Botë

Suedia: Vendi që ta “përshkruajnë” mjekët

Suedia

“A e dini se Suedia është shteti i parë në botë që mjekët mund ta përshkruajnë?” – pyet një grua me një xhaketë të bardhë laboratori dhe një stetoskop të varur rreth qafës, duke qëndruar pranë një mali të mbuluar nga bora. “Sepse Suedia është e mbushur me aktivitete që të bëjnë të ndihesh mirë”, shton ajo.

Një fushatë e re reklamuese pretendon se vizita në Suedi dhe përqafimi i kulturës suedeze mund ta përmirësojë mirëqenien tuaj – dhe po i drejtohet ekspertëve mjekësorë për ta argumentuar këtë çështje.

Një video për fushatën e fundit reklamuese të Suedisë fillon me një pyetje interesante.

Video:

“A e dini se Suedia është shteti i parë në botë që mjekët mund ta përshkruajnë?” – pyet një grua me një xhaketë të bardhë laboratori dhe një stetoskop të varur rreth qafës, duke qëndruar ndërsa një mal i mbuluar me borë shihet në prapavijë.

“Sepse Suedia është e mbushur me aktivitete që të bëjnë të ndihesh mirë”, shton ajo.

Ndërsa kamera zmadhon pamjen ajo shihet se është gjysmë e zhytur në një liqen të ngrirë.

“Një saunë klasike aktivizon sistemin tuaj nervor parasimpatik për relaksim më të thellë”, thotë gruaja, ende e veshur plotësisht me xhaketën e saj të laboratorit, ndërsa ndan një saunë me avull me disa klientë tjerë.

“Apo ndoshta preferoni jetën e natës?” – pyet ajo, duke mbajtur një palë syze dielli ndërsa dielli i mesnatës ndriçon një fjord.

“Këtu në Suedi, dielli nuk perëndon për 100 ditë. Vetëm imagjinoni se çfarë mund të bëjë për ju terapia me 24/7 dritë”, thotë ajo.

Iniciativa më e re turistike e Suedisë, e cila u lansua në fund të muajit të kaluar dhe quhet “Receta Suedeze”, synon të nxjerrë në pah se si eksplorimi i natyrës së madhe të vendit nordik dhe përqafimi i kulturës suedeze mund ta përmirësojë mirëqenien tuaj – dhe po mbështetet në shkencë për të argumentuar këtë gjë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, studimet kanë treguar se ekspozimi i shtuar ndaj natyrës ndihmon në uljen e stresit, përmirësimin e disponimit dhe përmirësimin e funksionit njohës dhe po ashtu ul rrezikun nga sëmundjet kronike.

Në një vend që ka më shumë se 265 mijë ishuj, 100 mijë liqene e 5700 rezervate natyrore, udhëtarët jo vetëm që lejohen të eksplorojnë natyrën e Suedisë, por inkurajohen ta bëjnë këtë.

Shtoni edhe konceptet e “friluftsliv” apo jetesës në ambient të hapur, në të cilën suedezet rregullisht kërkojnë natyrën; aktivitetet që e ulin stresin.

Hartimi i fushatës me mbështetje të rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë

Siç thotë Steve Robertshaw, menaxher i lartë i marketingut në “Visit Sweden”, këto aktivitete tradicionale të dizajnuara për “çlirim të trurit dhe trupit”, janë pjesë e rëndësishme e “ADN-së suedeze”.

“Ne jetojmë në një botë trazirash. Shumë njerëz po përpiqen ta përballojnë dhe vuajnë nga stresi dhe ankthi. Kjo iniciativë krijon një mundësi për të nxjerrë në pah përfitimet e natyrës dhe stilit të jetesës së Suedisë, si një lëvizje në rritje e mbështetur nga kërkimet në kujdesi ndaj pacientëve”, thotë Robertshaw.

Për të hartuar fushatën, “Visit Sweden”, u bashkua me katër ekspertë mjekësorë me seli në SHBA, Britani të Madhe, Holandë dhe Gjermani, për t’i identifikuar “pesë aktivitete në natyrën suedeze që mund të përmirësojnë shëndetin tuaj”, ndër të tjera si:  larja në pyll, mbledhja e ushqimit dhe shikimi i qiellit. E po ashtu ceken edhe “tri zakone suedeze që mund të balancojnë jetën tuaj të përditshme”, si: pushim i qetë për kafe apo zhytja në një liqen të ngrirë pas një vizite në saunë.

Fushata rendit një sërë studimesh të mbështetura nga kërkime nga grupet si Shoqata Amerikane e Psikologjisë, Revista Ndërkombëtare e Kërkimeve Mjedisore dhe Shëndetit Publik dhe Agjencia Evropiane e Mjedisit dhe ka pyetur profesoreshën emeritus Yovnne Foresell në Institutin Karolinska që në mënyrë të pavarur ta verifikojë çdo pretendim.

Megjithëse skema e marketingut pretendon se “Suedia është vendi i parë në botë që përshkruhet nga mjekët”, fushata nuk është e pa precedent. Në fund të viteve 1800 dhe fillim të viteve 1900, mjekët u rekomanduan pacientëve me tuberkuloz të shkonin në malet e Zvicrës për t’u shëruar. Duke filluar nga vitet 1830, profesionistët mjekësorë i dërguan ata që vuanin nga sëmundje të ndryshme të kanaleve të frymëmarrjes për në miniera të kripës nëpër Evropën Qendrore.

“Imagjinoni një vend ku kënga e zogjve është i vetmi tingull që thyen heshtjen”, shkruhet në të. “Ku mund të notosh në çdo liqen dhe të shijosh natyrën. Ku mund të biesh në gjumë nën një qiell nate me yje, larg ndotjes”.

Megjithatë, mesazhi i fushatës për t’u rilidhur me natyrën mund të ketë tingull veçanërisht të fortë sot.

Sipas Institutit Global të Mirëqenies, turizmi i mirëqenies – i cili përfshin aktivitete si frekuentim i saunave, spa-ve – vlerësohet të arrijë në 2.1 trilionë dollarë deri në vitin 2030.

“Ne padyshim shohim shumë udhëtarë që kërkojnë këto lloj aktivitetesh në Suedi”, thotë Francisca Leonardo, shefe ekzekutive e kompanisë së udhëtimeve me seli në Stokholm, “XperienceSthlm”. “Gjatë viteve, Suedia ka bërë një punë efikase në reklamimin e natyrës së saj të pafundme”.

Trendi i shteteve nordike

Kjo reklamë e fundit e udhëtimit i bashkohet një fluksi të fundit të fushatave të shteteve nordike. Në vitin 2024, një video virale nga bordi i turizmit të Oslos mblodhi mbi 20 milionë shikime, ndërsa një norvegjez - në dukje i paimpresionuar - pyete veten pse dikush do të donte ta vizitonte qytetin.

“Mund të ecësh nga njëra anë e qytetit në tjetrën për rreth 30 minuta”, tha ai në video. “A është qytet?”

Vitin e kaluar, fushata “Suedia (jo Zvicra)” u mbështet në një gabim të zakonshëm të bërë nga udhëtarë të hutuar. Katër vjet më parë, një reklamë tjetër paraqiste një grua të re duke i treguar një shoqeje të gjitha gjërat që nuk i gjeti në Suedi, ndërsa pamjet e saj tregonin udhëtimet nëpër ishuj, duke bërë çiklizëm, duke shijuar kafe, duke ndjekur aurorat dhe duke u zhytur në liqene të ftohta.

“Unë vetëm jam adhurues i një saune të mirë me një zhytje të ftohtë”, thotë Robertshaw, që u rekomandon udhëtarëve Banjën Arktike në Laplandin suedez, saunën nëntokësore në Minierat e Aventurës të Dalarnës dhe Astad Vingardin në Halland.

Leonardo thotë se klientët shpesh kërkojnë Arkipelagun e Stokholmit gjatë verës për t’u rrethuar nga uji dhe gjelbërimi, për t’u çlodhur nga stresi i jetës në qytet.

“Në dimër, Dritat Veriore dhe peizazhet e mbuluara me borë janë pika tërheqëse”, shton ajo. “Gjatë vjeshtës, ne i çojmë udhëtarët në ecje dhe kërkim ushqimi në pyje, dhe guida jonë suedeze, Jana, dërgon mysafirët në një ecje me meditim nëpër pyetjet e Stokholmit”.

Ajo që bën “Receta Suedeze”, në mënyrë veçanërisht efikase, është se si i shfrytëzon markën karakteristike të satirës së thatë, e cila mund t’i lërë udhëtarët të pyesin nëse duhet ta marrin seriozisht apo jo.

“Ajo pjesa e ‘efekteve anësore’ në fund të videos, është gjëja me të cilën kam qeshur fortë”, thotë një komentues në YouTube.

Tregon efektet e papritura nga pushimi suedez, përfshirë: vlerësim të papritur për pishat dhe për t’i përqafuar ato, mbidozë e endorfinës së boronicave, gjumë aq i mirë sa ndihesh si person i ri, varësi nga uji i shijshëm i rubinetit dhe çorientim kur has transport publik falas.

Ekziston edhe një “recetë” e formatit PDF që mund të shkarkohet duke i nxitur “pacientët” të sjellin këtë dokument te mjekët dhe të kërkojnë që të përshkruhet një vizitë në Suedi.

“Është kurioze të shohësh se si ‘Visit Sweden’ po përpiqet të përziejë stereotipat suedezë me gjetjet e vërteta bazuar në hulumtime. Mendoj se fakti që ata kanë siguruar mjekë të kualifikuar për të garantuar këtë ‘recetë’ është mjaft qesharake, veçanërisht pasi vetë suedezët i marrin shumë seriozisht urdhrat e mjekut!” – tha Leonardo.