Fëmijët e rrëmbyer në Ukrainë dhe ata nga territoret e pushtuara po shfaqen në kampe stërvitore ruse të stilit ushtarak, ndërsa ka frikë se disa tashmë janë në vijën e frontit
Verën e kaluar Sonya*, 17-vjeçare në atë kohë, kishte përjetuar dy vjet shumë të vështira nën pushtimin rus në rajonin Kherson në jug të Ukrainës. Nëna e saj kujdestare u pajtua se ajo kishte nevojë për një pushim.
Rritja nën asimilim të detyruar kishte qenë e frikshme, thotë Sonya, dhe shkolla e saj kishte ofruar t’i çonte në një kamp në Krime, një gadishull dikur i njohur si vend i famshëm turistik nën Bashkimin Sovjetik.
Por vetëm pasi u largua, ajo e kuptoi se po dërgohej në Volgograd, një qytet mbi 1000 kilometra larg në jugperëndim të Rusisë. Dukshëm larg nga të qenit një vendpushim, qyteti është shtëpia e njërit prej kampeve stërvitore të stilit ushtarak më të mëdha të Rusisë, ku stërviten fëmijët ukrainas dhe rusë.
Sonya kaloi një muaj në kampin Avangard, që ka disa degë të tjera nëpër Rusi dhe Mbretëria e Bashkuar i vendosi sanksione në nëntor për rolin e këtij kampi në deportimin me forcë dhe shpëlarjen e trurit të fëmijëve ukrainas. Sonya tregon se si ajo dhe fëmijët e tjerë u përballën me një program aktivitetesh që përfshinin mësimin për të hapur llogore dhe për t’i pajisur ato me kurthe dhe tela, më pas mbushjen e mitralozave, marrjen pjesë në formacione ushtarake. Po ashtu mbajtjen e fëmijëve tjerë mbi shpinë për të simuluar evakuime mjekësore.
Ngjashëm me kampet e të rinjve të kohës sovjetike, këto qendra janë rritur në numër që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Kritikët thonë se ato përdoren për t’i indoktrinuar fëmijët dhe për t’i përgatitur ata për shërbim të ardhshëm në Ushtrinë ruse.
Një numër i madh fëmijësh nga rajonet e pushtuara të Ukrainës thuhet se po dërgohen së bashku me rusët e rinj. Kremlini i portretizon këto ambiente si mundësi për mësim fizik dhe kulturor për fëmijët.
“Instruktorët më thanë se me certifikatën që më japin pas trajnimit, mund t’i bashkohem ushtrisë ruse, kështu që e kuptova se nuk ishte thjesht lojë. Isha shumë e shqetësuar, sepse e dija që së shpejti do të mbushja 18 vjeç dhe mund të detyrohesha të regjistrohesha”, tha Sonya.
Pas më tepër se tre vjet luftë, mijëra fëmijë ukrainas mbeten në Rusi pasi u dërguan me forcë atje, ndërsa 1.6 milionë tjerë po rriten nën pushtim, thuhet në një raport nga “GlobSec”, një think-tank me seli në Bratislavë.
Natyralizimi i fëmijëve ukrainas
Janë rritur shqetësimet se fëmijët po përgatiten për luftime, ndërsa mendohet se disa tashmë janë në vijë të frontit.
“Rekrutimi i detyruar i shtetasve të huaj është i ndaluar sipas të drejtës ndërkombëtare, pavarësisht moshës, por Rusia po i natyralizon këta fëmijë duke i bërë qytetarë të saj për të krijuar një mbulim ligjor”, thotë Nathaniel Raymond, drejtor i Laboratorit Kërkimor Humanitar në Universitetin Yale, laborator që dokumenton dëmet civile dhe abuzimet me të drejtat e njeriut në të gjithë Ukrainën.
Qëllimi, thotë Raymond, është të “fshihet identiteti ukrainas dhe fëmijët të bëhen rusë”.
“Rusia po përdor versione të kësaj që nga viti 2014, duke i rritur ato pas pushtimit të shkallës së plotë”, tha Raymond.
Sonya dhe familja e saj duhej t’i merrnin pasaportat dhe dokumentet tjera ruse, dhe në shkollë ajo duhej të studionte sipas kurrikulës dhe gjuhës ruse. Vëllai i saj më i vogël është dërguar gjithashtu në një kamp Avangard, ku ajo thotë se ra viktimë e indoktrinimit.
“Pasi iu nënshtrua propagandës së tyre, ai mori anën e Rusisë. Ai thotë se do t’i bashkohet ushtrisë ruse. Ai flet për këtë me miqtë e tij”, thotë Sonya.
Hulumtuesit në Yale kanë identifikuar më tepër se 100 kampe, disa prej tyre ushtarake, të tjera të përqendruara në indoktrinim e shumë prej tyre të kombinuara. Ato janë të përshtatura sipas moshës dhe gjinisë, dhe studiuesit gjithashtu kanë ndjekur seancat stërvitore me mjete ushtarake dhe poligonet e qitjes duke përdorur imazhe satelitore.
Gjatë qëndrimit të tyre në ato kampe, fëmijët thonë se dëgjojnë fjalime nga propagandistë të njohur dhe figura të tjera të përfshira në pushtimin e Ukrainës. Mësojnë të përdorin ose montojnë dronë dhe shikojnë filma lidhur me Luftën e Dytë Botërore. Pamjet e postuara online nga kampet tregojnë fëmijë me veshje në stil ushtarak që paraqesin flamurin rus dhe duke mbajtur shirita të kuq në krah.
Rregullat e kampit, të cilat qarkullojnë në rrjete sociale, sugjerojnë se fëmijëve u ndalohet të flasin gjuhë “të huaja”, siç është ukrainishtja, dhe të veshin ngjyra të verdha dhe kaltra të flamurit të Ukrainës. Kontakti me familjen është shpesh i kufizuar.
Ndëshkimi
Sonya thotë se stafi në kampin e saj i ndëshkoi djemtë ukrainas për mosbindje, duke i urdhëruara ata të zhvisheshin në të brendshme dhe të kryenin ushtrime intensive fizike. Ajo thotë se gjithashtu shpesh përdorin një term përçmues rus për ukrainasit.
Rrjeti i kampeve “ushtarako-patriotike” ruse përshtatet në një model më të gjerë të militarizimit, thonë vëzhguesit, ku shteti organizon një numër gjithnjë në rritje programesh për t’i përgatitur fëmijët për shërbim, duke i mësuar ata të veshin jelekë të papërshkueshëm nga zjarri apo të dizajnojnë dhe testojnë dronë.
Fëmijëve ukrainas në territoret e pushtuara shpesh u jepet pak zgjidhje për pjesëmarrje, thotë Megan Gittoes, nga think-tanku GlobSec, ku kushtet në kampe shpesh janë abuzive – fizikisht, mendërisht dhe në aspektin psikologjik. Gittoes thotë se ka dokumentuar raste ku djemtë detyrohen të boksojnë me njëri-tjetrin apo të durojnë rrahje.
“Fëmijët detyrohen të marrin pjesë në programe ose prindërit e tyre rrezikojnë ta humbin kujdestarinë. Është shprehimisht shtrënguese. Fëmijët ukrainase përballen me indoktrinim më të ashpër, sepse identiteti i tyre duhet të fshihte. Qëllimi është të ngjallet frika, varësia nga shteti dhe besnikëria ndaj Rusisë”, thotë ajo.
Gittoes thotë se është e vështirë të vlerësohet se sa fëmijë janë regjistruar në Ushtrinë ruse. Ndërsa ekziston një regjistër i fëmijëve që kanë luftuar për Rusinë dhe kanë vdekur që nga viti 2014, ajo thotë se është më e vështirë të gjurmohen gjërat që kanë ndodhur që nga fillimi i pushtimit të plotë, pasi zonat e pushtuara janë të izoluara dhe të paarritshme.
“Ne e dimë që djemve në Zaporizhzhia (një rajon pjesërisht i pushtuar dhe i pretenduar nga Rusia) u është thënë t’i dorëzojnë pasaportat për rekrutim. Ne kemi konfirmuar njoftimet e rekrutimit që janë dërguar”, thotë Gittoes, e cila ka parë gjithashtu prova të regjistrimeve vullnetare. “Këta njerëz ishin ukrainas dhe tash e shohin veten si rusë. Ata janë vetëm provë se politika ruse e indoktrinimit po funksionon”.
Mykola Kuleba, kreu i organizatës bamirëse “Save Ukraine”, që ndihmon në shpëtimin e fëmijëve ukrainas, thotë se ata kanë kthyer një numër në rritje të të rinjve që kanë marrë njoftime për rekrutim.
Në një rast, ata ndihmuan të kthehej një adoleshent nga Khersoni, pasi ai kishte shërbyer një vit në Ushtrinë ruse. Ai ishte çuar në Rusi nga familja e tij, që ishin simpatizues e Moskës. Ai nuk i ndante pikëpamjet e tyre, por kur iu dërgua thirrja për rekrutim, ai kishte frikë se do të arrestohej nëse s’do të shkonte. Më vonë ai arriti të arratisej në një zonë të Ukrainës, që nuk është pushtuar nga Rusia.
Kievi këmbëngul se kthimi i fëmijëve të rrëmbyer është i panegociueshëm në çdo bisedim paqeje, por Moska mohon rrëmbimet masive dhe e ka hedhur poshtë çështjen, duke ofruar të kthejë vetëm disa prej tyre.
Pas qëndrimit të saj në kampin ushtarak, Sonya – tash 18-vjeçare – u kthye te familja e saj kujdestare në një pjesë të pushtuar të Khersonit. E frikësuar se do të detyrohej të kthehej në kamp, ajo arriti të arratisej në fillim të këtij viti me ndihmën e “Save Ukraine” në Kiev. Vëllai i saj ka qëndruar në Kherson.