Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Adoleshentët ukrainas po kryejnë akte tradhtie. Si duhet të gjykohen ata?

Ukraina

Foto: Associated Press

Qindra adoleshentë ukrainas janë akuzuar për sabotim dhe akte tradhtie kundër shtetit pasi u rekrutuan përmes rrjeteve sociale nga persona të dyshuar si të lidhur me shërbimet ruse. Historia e 17-vjeçarit Vitalii ngre pyetje të vështira për drejtësinë, manipulimin online dhe fatin e një brezi që po rritet mes luftës.

Gjersa muzgu binte në një mbrëmje të freskët shtatori të vitit 2024, një grup adoleshentësh ukrainas u mblodhën pranë shinave të trenit në rajonin e Çernihivit. Zona ishte nën sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa ruse. Vetëm dy ditë më parë, Rusia kishte goditur një spital.

Sipas prokurorëve të Çernihivit, 15-vjeçari Vitalii dhe shokët e tij hapën zyrat e pajisjeve të komunikimit dhe sinjalizimit hekurudhor, hodhën lëndë djegëse dhe u vunë flakën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas kësaj, ata filmuan zjarrin, e shuan me ujë dhe videon ia dërguan një djali tjetër, i cili më pas ia përcolli një personi me nofkën “Sania”. Sipas hetimeve, ai u kishte premtuar qindra dollarë për të kryer detyra që në fakt përbënin sabotim ndaj shtetit ukrainas.

Që nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022, mbi 1.100 ukrainas janë akuzuar për zjarrvënie, terrorizëm ose sabotim, sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU). Një në pesë prej tyre janë të mitur. Rreth gjysma janë dënuar, ndërsa të tjerët janë liruar me kusht, janë shpallur të pafajshëm ose janë dënuar me shërbim në komunitet.

Në shumicën e rasteve, të rinjtë rekrutohen online nga persona anonimë që hetuesit dyshojnë se punojnë për shërbimet sekrete ruse.

“Unë nuk i shoh si kriminelë. Janë vetëm nxënës”, tha një prej personave të përfshirë në trajtimin e rasteve.

"Reuters" ndoqi për një vit rastin e Vitaliit dhe shokëve të tij për të kuptuar se si Ukraina po përballet me një fenomen të ri: të mitur që manipulohen për të kryer veprime kundër vendit të tyre.

Vitalii mori vetëm rreth 23 dollarë për pjesëmarrjen në zjarrvënie. Më shumë se një vit më vonë, në qendrën e paraburgimit në Çernihiv, ai mezi kujtonte si i kishte shpenzuar ato para.

“Mund të them se rashë pre e mashtrimit”, tha ai. Avokati i tij kërkon që akuza për sabotim të zbutet në dëmtim prone, duke argumentuar se djemtë nuk kishin qëllim të dëmtonin Ukrainën.

Sa herë arrestohen adoleshentë të dyshuar për sabotim përmes Telegramit apo Facebookut, SBU publikon fotografi të tyre me fytyra të paidentifikueshme. Reagimet në rrjetet sociale janë shpesh të ashpra.

“Është e tmerrshme që adoleshentët ukrainas janë gati të shkatërrojnë vendin e tyre”, shkruante një koment.

Në shumicën e rasteve, motivi kryesor i të rinjve është paraja dhe jo bindjet pro-ruse. Një raport i OKB-së në mars 2025 theksoi rritjen e rasteve ku Rusia dyshohet se ka përdorur fëmijë ukrainas për sabotime dhe mbikëqyrje.

Vitin e kaluar, një 17-vjeçar humbi jetën dhe një 15-vjeçar u plagos rëndë kur një pajisje shpërthyese, e ndërtuar sipas udhëzimeve të marra online, shpërtheu në Ukrainën perëndimore.

Raporti i OKB-së paralajmëroi se përdorimi i fëmijëve në aktivitete të lidhura me luftën shkel të drejtën ndërkombëtare.

Rekrutimi i të rinjve për spiunazh nuk po ndodh vetëm në Ukrainë. Gjatë vitit të kaluar, adoleshentë në Gjermani, Poloni, Britani dhe Lituani janë arrestuar në raste të lidhura me sabotime pro-ruse.

Për të frenuar fenomenin, SBU dhe Policia Kombëtare e Ukrainës nisën një fushatë ndërgjegjësuese. Një video e publikuar në janar 2025 tregonte adoleshentë që kryenin sabotime dhe më pas arrestoheshin.

“Këto krime dënohen rëndë, edhe kur kryhen nga të mitur”, thuhej në mesazhin e videos.
SBU krijoi gjithashtu një bot në Telegram, ku qytetarët mund të raportojnë raste kur dikujt i ofrohen para për sabotime apo zjarrvënie.

Deri në shkurt 2026, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës deklaroi se 240 të mitur ishin përfshirë në krime kundër sigurisë kombëtare dhe akte terroriste të lidhura me interesat e Rusisë. Prej tyre, 102 janë ndaluar nga autoritetet.

Mësim në kohë lufte

Hennadiy Yachnyi, mësues fizike në një shkollë të mesme në Çernihiv, përballet pothuajse çdo ditë me të mitur të burgosur.

Në një ditë të ftohtë vjeshte, ai kaloi dyert metalike të qendrës së paraburgimit, ngjiti shkallët e vjetra dhe hyri në një bibliotekë të vogël ku zhvillohen mësimet.

Vitalii, tashmë 17 vjeç, hyri në sallë bashkë me disa të rinj të tjerë në pritje të gjykimit. Vetëm ai dhe një vajzë akuzohen për sabotim, ndërsa të tjerët përballen me akuza të zakonshme penale. Yachnyi shkon disa herë në javë në qendrën e paraburgimit për t’u dhënë mësim.

“Nuk i shoh si kriminelë”, tha ai për Reuters. “Janë nxënës, vetëm nxënës”.

Ai është pjesë e një programi që lidh mësuesit me të miturit në paraburgim. Për shkak të rritjes së rasteve të sabotimit, një shkollë e zonës dërgon mësues me rotacion për të zhvilluar lëndë të ndryshme, nga historia te matematika.

Drejtoresha e shkollës, Antonina Kharchenko, nisi programin në vitin 2023. Ai ishte planifikuar të zgjaste dy vjet, por autoritetet arsimore kërkuan vazhdimin edhe për dy vjet të tjera. Ajo tha se pjesëmarrja e mësuesve është vullnetare. Në shkollën e saj askush nuk ka refuzuar, megjithëse disa mësues në shkolla të tjera nuk kanë pranuar të japin mësim për të rinjtë e akuzuar.

“Fëmijët e shohin luftën çdo ditë. Shumë prej prindërve të tyre janë në front. Disa kanë humbur jetën, të tjerë kanë humbur nënën ose babanë”, tha Kharchenko.

Sipas saj, shumë të rinj që kërkojnë para të shpejta bien pre e ofertave të dyshimta online, ndërsa prindërit shpesh nuk dinë asgjë.

“Ata vijnë nga familje ukrainase. Mendojnë se po fitojnë disa para, por janë ende fëmijë”, tha ajo. “Varfëria, lufta dhe mungesa e prindërve krijojnë terren të përshtatshëm për rekrutuesit rusë”.

Në shkollën e Çernihivit, mësuesit përpiqen të paralajmërojnë nxënësit për rreziqet e rrjeteve sociale. Një polic qëndron vazhdimisht në hyrje të shkollës dhe SBU zhvillon rregullisht takime informuese me nxënësit.

Edhe familjarë të Kharchenkos shërbejnë në front.

Në muajt e parë të luftës, ajo e shndërroi bodrumin e shkollës në strehimore kundër bombardimeve. Më vonë, shkolla u përdor si qendër ndihme për banorët dhe më pas bodrumi u kthye në klasa të improvizuara. Gjatë dimrit, qyteti përjetoi ndërprerje të gjata të energjisë dhe ngrohjes për shkak të sulmeve ruse.

Kur u pyet pse vazhdon t’u japë mësim të rinjve të akuzuar për sabotim, ndërsa ish-nxënësit e saj luftojnë në front, Kharchenko nxori Kushtetutën e Ukrainës dhe tregoi nenin 53.

“Këtu thuhet qartë se çdo person ka të drejtë për arsim”, tha ajo. “Ne po përpiqemi ta mbrojmë këtë të drejtë, edhe në kohë lufte”.

Yachnyi beson se shumë prej të rinjve pendohen për atë që kanë bërë.

“E kuptoj nga mënyra si flasin dhe si presin të shkoj t’i takoj”, tha ai, përpara se t’u kërkonte nxënësve të uleshin në banka gjatë kohës sa binte zilja.

“Nuk ka mënyra të lehta për të fituar para”

Vitalii u rrit në periferi të një qyteti të vogël në rajonin e Çernihivit, pranë kufirit me Bjellorusinë dhe Rusinë - një zonë që në fillim të luftës u pushtua përkohësisht nga trupat ruse.

Para incidentit me zjarrin, ai kalonte shumicën e kohës brenda shtëpisë prej druri të familjes, pranë rrugës me zhavorr afër varrezave të qytetit.

“Ai është djalë i qetë. Nuk pi duhan, nuk konsumon alkool… nuk është përfshirë kurrë as në ndonjë sherr”, tha nëna e tij, Nataliia, ndërsa qëndronte jashtë shtëpisë në të ftohtë, vetëm pak minuta larg varreve të ushtarëve ukrainas të rënë në luftë.

Nataliia punon herë pas here në pastrim, në fshat ose në Kiev, sa herë gjen mundësi. Ajo tregoi se Vitalii kishte nisur gjithashtu të punonte për një dentist pasi babai i tij vdiq nga kanceri në veshka 6 vjet më parë. Vëllai më i vogël shpesh ishte i sëmurë dhe Vitalii donte të ndihmonte familjen financiarisht. Familja kërkoi që mbiemri të mos publikohej për të shmangur sulmet apo ngacmimet.

“Kishim provuar çdo punë që mund të gjenim, por paratë kishin mbaruar”, tha Vitalii.

Në fund të verës së vitit 2024, një shok shkolle iu afrua me një “ofertë pune”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorët e Çernihivit, shoku i tij kishte komunikuar online me një person që premtonte pagesa për kryerjen e detyrave të caktuara.

Fillimisht, njërit prej djemve iu kërkua t’u vinte flakën automjeteve ushtarake ukrainase, por sipas avokatit të tyre, ai nuk e bëri këtë. Më pas, kërkesa nga personi që prezantohej si “Sania” ishte dëmtimi i pajisjeve hekurudhore.

Përpara pagesës, “Sania” kërkonte prova - video dhe fotografi me kohë dhe vendndodhje të regjistruar përmes aplikacionit “Timemark”. Shoku i Vitaliit rekrutoi edhe djem të tjerë, duke u dhënë udhëzime të detajuara.

Disa javë më vonë, në tetor 2024, një punonjës hekurudhe i kapi teksa po përpiqeshin të ndiznin një zjarr tjetër. Ata pranuan menjëherë gjithçka dhe i treguan policisë emrat e të gjithë pjesëmarrësve, përfshirë Vitaliin.

Vitalii dhe katër djem të tjerë u arrestuan dhe u akuzuan. Familja e tij ishte e vetmja që nuk mundi të paguante garancinë prej rreth 6 mijë dollarësh. Një vit më vonë, ai vazhdonte të mbahej në qendrën e paraburgimit në Çernihiv, ndërsa të tjerët ishin liruar me kusht.

“Nëse do të mund t’i flisja dikujt që po mendon të bëjë diçka të tillë, do t’i thosha të mos e bëjë,” tha ai me zë të ulët, duke parë duart. Një roje qëndronte pranë. “Do t’i thosha se nuk ka mënyrë të lehtë për të fituar para”.

Asnjë prej djemve të tjerë apo familjeve të tyre nuk pranoi të fliste për Reuters. Edhe gjyqtarët që trajtonin çështjen refuzuan të komentonin, duke përmendur procesin ende në vazhdim.
Atë ditë në qendrën e paraburgimit, fytyra e Vitaliit dukej e zbehtë dhe sytë i kishte të lodhur. Me flokë të prerë shkurt dhe i veshur me rroba sportive të zeza, dukej më i vogël se mosha që kishte. Nëse shpallet fajtor, ai dhe djemtë e tjerë rrezikojnë deri në dhjetë vjet burgim - dënimi maksimal për këtë vepër. Të rriturit që kryejnë krime të ngjashme mund të dënohen edhe me burgim të përjetshëm.
Mes orëve të mësimit në qendrën e paraburgimit, Vitalii kishte nisur të lexonte kujtimet e një njeriu që kishte kaluar vite në një burg amerikan. Libri fliste për mënyrat se si mund të mbijetohej në burg - duke mbajtur trupin aktiv dhe mendjen të angazhuar.

“Ata e kuptojnë që kanë bërë një gabim”

Yevheniy Muzychuk, avokati i Vitaliit dhe i dy djemve të tjerë të përfshirë në çështje, tha se Vitalii nuk kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personin e njohur si “Sania”, i cili prezantohej në Telegram si patriot ukrainas.

Sipas tij, djemtë – vetëm 14 dhe 15 vjeç në kohën e ngjarjes – nuk mund ta dinin se mund po punonin për shërbimet sekrete ruse. Ai shtoi se identifikimi i rekrutuesve të vërtetë rusë është shumë i vështirë dhe se autoritetet shpesh përqendrohen te ndëshkimi i adoleshentëve të pambrojtur.

Muzychuk argumenton se prokurorët duhet të sjellin prova më të forta për të treguar se të rinjtë e kuptonin se po tradhtonin vendin e tyre.

“Nuk është e qartë për një qytetar të zakonshëm, aq më pak për një të mitur, se dëmtimi i pajisjeve hekurudhore mund të konsiderohet sabotim serioz ndaj Ukrainës”, tha ai.

Djemtë kanë pranuar pjesërisht fajësinë për zjarrvënien dhe avokati shpreson që gjykata të marrë parasysh faktin se ata nuk e kuptonin plotësisht çfarë po bënin.

“Ata vetë e kuptojnë se kanë bërë një gabim”, tha ai.

Në një përgjigje për Reuters, prokuroria rajonale e Çernihivit deklaroi se gjatë hetimit janë marrë parasysh të gjitha provat dhe rrethanat e çështjes. Sipas prokurorëve, të miturit ishin paralajmëruar më parë për mënyrën se si Rusia përdor rrjetet sociale për të rekrutuar sabotatorë.
Ata thanë se adoleshentët ishin informuar posaçërisht për përpjekjet ruse për të rekrutuar të rinj që të sulmonin infrastrukturën hekurudhore. Ndërkohë, hetimet për identifikimin e “Sanias” vazhdojnë ende.
Në Kiev, zv.ministri ukrainas i Drejtësisë, Yevhen Pikalov, po përballet me sfidën e trajtimit të këtyre rasteve, ndërsa njëkohësisht përpiqet të reformojë sistemin e burgjeve në Ukrainë. Ai tha se sistemi korrektues ishte lënë pas dore për dekada.

Qendra e paraburgimit në Çernihiv përbëhet nga ndërtesa të vjetra betoni, me korridore të amortizuara dhe qeli të vogla me hekura.

Të miturit si Vitalii mbahen të ndarë nga të rriturit deri në përfundim të gjyqit, por pas dënimit mund të qëndrojnë me të burgosur më të moshuar.

Pikalov nuk komentoi drejtpërdrejt për dënimet e të miturve gjatë luftës, por tha se shoqëria ukrainase do t’i pranojë sërish pasi të kenë vuajtur dënimin.

“Mendoj se shoqëria ukrainase e kupton që një 15-vjeçar nuk e kupton plotësisht çfarë ka bërë. Dhe kjo ka rëndësi”, tha ai.

“Më në fund është i lirë”

Në fund të nëntorit, pasi kishte kaluar më shumë se një vit në qendrën e paraburgimit në Çernihiv, nëna e Vitaliit arriti më në fund të siguronte shumën për lirimin me kusht të djalit të saj.

Ditën e lirimit, Nataliia priste me ankth përpara portave të mëdha metalike të burgut.

Kur Vitalii doli jashtë, i veshur me të zeza, ajo vrapoi drejt tij dhe e përqafoi fort me buzëqeshje.

“Më në fund është i lirë,” tha ajo.

Më vonë, në shtëpi, Nataliia dhe motra e saj përgatitën një darkë festive për kthimin e Vitaliit. Në murin e kuzhinës varej një flamur i madh ukrainas, i mbushur me firma dhe mesazhe nga ushtarët. Flamuri ishte i partnerit të Nataliias, i cili kishte luftuar kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014.

“Një vit e një muaj”, tha Nataliia, duke dalë për pak çaste në oborrin me baltë. Për të siguruar shumën prej 6 mijë dollarësh për garancinë, ajo tregoi se kishte marrë kredi në bankë dhe kishte kërkuar ndihmë nga familjarët dhe miqtë.

“Çdo ditë e këtij viti ka qenë e mbushur vetëm me shqetësim – ose për djalin tim, ose për paratë”, tha ajo.

“Ky ka qenë ndoshta viti më i tmerrshëm i jetës sime”.

Gjykimi ndaj Vitaliit vazhdon ende. Avokati i tij tha se do të ankimojë çdo vendim fajësie, por procesi mund të zgjasë me muaj, ndoshta edhe vite. Kthimi në shtëpi mund të jetë vetëm një pushim i shkurtër para asaj që e pret më pas.

“Mendoj se këta djem thjesht nuk e kuptuan se çfarë po bënin”, tha Nataliia, duke vazhduar ta mbrojë të birin.

Vitalii qëndronte jashtë, pranë qenit, i veshur me shapka të zeza. Ai dëgjonte në heshtje fjalët e nënës së tij. Me duart në xhepa, mbante kokën ulur.