Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia nis hakmarrjen për luftanijen “Moskva”

Anija e famshme ruse u fundos teksa po tërhiqej në port të enjten, pasi pësoi dëme të mëdha në rrethana që mbetën të diskutueshme. Moska e pranoi se ka pasur zjarr në bord, mirëpo jo ndonjë sulm. SHBA-ja dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë nuk mund ta konfirmonin se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Një ditë pasi Moska pësoi disfatë simbolike me humbjen e anijes luftarake të saj të Detit të Zi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë të premten ka kërcënuar me ashpërsim të sulmeve në kryeqytetin ukrainas në shenjë hakmarrjeje për bombardimin e “Moskvas” nga ushtria ukrainase.

Kërcënimi i sulmeve të intensifikuara në Kiev erdhi pasi autoritetet ruse akuzuan Ukrainën për plagosjen e shtatë personave dhe dëmtimin e rreth 100 ndërtesave të banimit me sulmet ajrore në Bryansk, rajon që kufizohet me Ukrainën. Autoritetet në një rajon tjetër kufitar të Rusisë gjithashtu raportuan për bombardime ukrainase të enjten.

Kievi ka shfaqur gradualisht disa shenja të jetës së paraluftës pasi trupat ruse nuk arritën të pushtonin qytetin dhe u tërhoqën për t’u fokusuar në sulmin ajror të përqendruar në Ukrainën lindore, duke lënë prova të krimeve të mundshme të luftës gjatë tërheqjes së tyre. Një bombardim i ri mund t’i kthejë banorët në strehën e stacioneve të metrosë dhe melodinë e trishtë të sirenave të sulmit ajror.

Zyrtarët ukrainas nuk i kanë konfirmuar objektivat goditëse në Rusi dhe raportet nga autoritetet ruse nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Megjithatë, ata pretenduan se forcat e tyre goditën anijen luftarake kryesore ruse me raketa të enjten. Nëse është e vërtetë, pretendimi do ta përfaqësonte një fitore të rëndësishme.

Mst: Humbja e madhe

Anija e famshme ruse u fundos teksa po tërhiqej në port të enjten, pasi pësoi dëme të mëdha në rrethana që mbetën të diskutueshme. Moska e pranoi se ka pasur zjarr në bord, mirëpo jo ndonjë sulm. SHBA-ja dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë nuk mund ta konfirmonin se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Moskva e kishte kapacitetin për t’i mbajtur 16 raketa me rreze të gjatë dhe fundosja e saj redukton fuqinë e Rusisë në Detin e Zi. Fundosja e saj është e para luftanije e madhe që fundoset që nga Beteja e Falklands. Një nëndetëse britanike e kishte shkatërruar luftanijen e marinës argjentinase të quajtur ARA General Belgrano gjatë konfliktit të vitit 1982, duke vrarë mbi 300 marinarë në bord.

Humbja e anijes luftarake ruse në një pushtim që tashmë shihet gjerësisht si gabim historik ishte po ashtu disfatë simbolike për Moskën, pasi trupat e saj po rigrupohen për një ofensivë në Ukrainën lindore, pasi u tërhoqën nga rajoni i Kievit dhe pjesa më e madhe e veriut.

Në fjalimin e tij të enjten, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksyy, ka theksuar se populli i vendit të tij duhet të jetë krenar që ka mbijetuar 50 ditë nën sulm, kur pushtuesit rusë “na dhanë maksimum pesë”.

Zelenksyy nuk e përmendi Moskvan me emër, ama duke renditur mënyrat se si Ukraina është mbrojtur kundër sulmit, përmendi se “disa treguan se luftanijet ruse mund të lundrojnë larg, madje deri në fund të detit”. Kjo ishte referenca e tij e vetme për Moskvan.

Mst: Rrethimi i Mariupolit

Lajmet për luftanijen i lanë nën hije pretendimet ruse për përparimet në qytetin port jugor të Mariupolit, ku forcat e Moskës janë duke luftuar me ukrainasit që në ditët e para të pushtimit në disa nga luftimet më të rënda të luftës – me një kosto të tmerrshme për civilët.

Rënia e numrit të mbrojtësve ukrainas në Mariupol po përballet me një rrethim që ka bllokuar mbi 100.000 civilë në nevojë të madhe për ushqim, ujë e ngrohje. David Beasley, drejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, ka thënë për Associated Press në një intervistë të enjten se njerëzit “po vdisnin nga uria” në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Kryetari i bashkisë së qytetit ka theksuar se këtë javë më shumë se 10.000 civilë kishin vdekur dhe se numri i të vdekurve mund të kalojë në 20.000. Zyrtarët e tjerë ukrainas kanë thënë se presin të gjejnë prova të mizorive të kryera kundër civilëve, si ato të zbuluara në Bucha dhe qytete të tjera jashtë Kievit pasi rusët të tërhiqeshin.

Këshilli Bashkiak i Mariupolit të premten ka bërë të ditur se vendasit raportuan që kishin parë trupa ruse duke gërmuar trupat që ishin varrosur në oborret e banimit dhe duke mos lejuar ndonjë varrim të ri “të personave që janë vrarë prej tyre”.

“Përse po kryhet zhvarrosja dhe ku do të merren trupat, nuk dihet”, ka thënë këshilli në deklaratën e postuar në aplikacionin e mesazheve, Telegram.

Kapja e Mariupolit është e rëndësishme për Rusinë, sepse do t’i lejonte forcat e saj në jug, të cilat dolën përmes gadishullit të aneksuar të Krimesë, të lidhen plotësisht me trupat në rajonin e Donbasit, qendrën industriale lindore të Ukrainës dhe objektivin e ofensivës së afërt.

Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase në Donbas që nga viti 2014, në të njëjtin vit që Rusia pushtoi e Krimenë nga Ukraina. Rusia ka njohur pavarësinë e dy zonave të rajonit të kontrolluara nga rebelët.

Megjithëse nuk është e sigurt se kur Rusia do ta nisë fushatën në shkallë të plotë, një zyrtar rajonal ukrainas të premten ka njoftuar se shtatë persona vdiqën dhe 27 të tjerë u plagosën pasi forcat ruse hapën zjarr ndaj autobusëve që transportonin civilë në fshatin Borovaya, pranë qytetit verilindor të Kharkivit.

Agjencitë ukrainase të zbatimit të ligjit po punojnë për të përcaktuar rrethanat e sulmit, ka thënë Dmytro Cubenko, zëdhënës i zyrës së prokurorit rajonal.

Chubenko ka treguar se autoritetet ukrainase kishin hapur procedime penale në lidhje me një “shkelje të dyshuar të ligjeve dhe zakoneve të luftës, të kombinuara me vrasje me paramendim”. Pretendimet për një sulm ndaj autobusëve civilë nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Ministria ruse e Mbrojtjes të premten ka njoftuar se sulmet ruse në rajonin e Kharkivit “likuiduan një skuadër mercenarësh nga një kompani ushtarake private polake” me deri në 30 persona dhe “çliruan” një fabrikë hekuri e çeliku në Mariupol nga “nacionalistët ukrainas”. Pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Të enjten, Ministria e Mbrojtjes ka shpjeguar se dëmtimi i anijes ruse të Detit të Zi nga një zjarr kishte shkaktuar që municionet e vendosura në bord të shpërthenin. Përveç raketave të lundrimit, anija luftarake kishte edhe raketa të mbrojtjes ajrore dhe armë të tjera.

Ministria nuk tha se çfarë mund ta kishte shkaktuar zjarrin, mirëpo raportoi se “armët kryesore të raketave” nuk u dëmtuan dhe ekuipazhi, i cili zakonisht numëron rreth 500 njerëz, e braktisi anijen. Nuk ishte e qartë nëse kishte viktima.

Artikuj të ngjashëm