Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina pretendon se i ka shkatërruar dy anije ruse në afërsi të Krimesë

Ukraina ka njoftuar se ka goditur dy anije zbarkuese, një qendër komunikimi dhe një infrastrukturë tjetër të përdorur nga flota ruse në Detin të Zi afër Krimesë së aneksuar, raporton “BBC”.

Një njoftim nga shtabi i përgjithshëm ukrainas ka bërë të ditur se anijet “Yamal” dhe “Azov” ishin shkatërruar.

Guvernatori i vendosur nga Rusia, i qytetit të Sevastopolit ka treguar se 10 raketa ukrainase janë rrëzuar.

Rusia gjithashtu nisi një sulm me raketa dhe dronë në kryeqytetin, Kiev, dhe rajonin e Lviv herët të dielën.

Banorët e Kievit u strehuan në stacionet e metrosë kur sulmi nisi në orët e hershme të mëngjesit, ka raportuar BBC.

Edhe Rusia pretendon se Ukraina ka sulmuar me raketa Krimenë Botë Rusia pretendon se Ukraina ka sulmuar me raketa Krimenë

Zyrtarët ukrainas thanë se mbrojtja e tyre kishte rrëzuar 18 raketa ruse dhe 25 dronë atje. Ka pasur vetëm dëme të vogla.

Rreth 20 raketa ruse dhe shtatë dronë shënjestruan “infrastrukturën kritike” në rajonin perëndimor të Lvivit. Nuk u raportua për dëme.

Një nga raketat e lundrimit hyri në hapësirën ajrore të Polonisë fqinje, anëtare e NATO-s, njoftuan forcat e armatosura.

“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarakë”, njoftuan forcat e armatosura në një deklaratë.

Në njoftimin e tij, Mikhail Razvozhayev, kryetari i bashkisë së Sevastopolit, i emëruar nga Rusia, tha se një zyre dhe një linjë gazi ishin shkatërruar në sulmin ukrainas teksa një grua kishte pësuar lëndime.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Ka pasur një rritje të sulmeve ajrore nga të dyja palët në ditët e fundit, edhe pse Rusia bën përparim të ngadaltë në marrjen e disa territoreve në lindje të Ukrainës.

Të premten, Rusia lansoi dhjetëra raketa në Ukrainë, duke goditur një digë dhe duke lënë një milion ukrainas pa energji elektrike.

Edhe Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, gjashtë të vdekur Botë Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, gjashtë të vdekur

Ndërkaq, Ukraina ka goditur objektivat në Krime më rregullisht.

Në veçanti, Ukraina ka goditur vazhdimisht flotën e Detit të Zi - e parë si më e mira e marinës ruse. Imazhet satelitore vitin e kaluar treguan se shumë nga luftanijet me bazë në Krime ishin larguar nga gadishulli për në portin rus të Detit të Zi të Novorossiyskut.

Sipas forcave të armatosura të Ukrainës, muajin e kaluar, anija ruse “Cesar Kunikov” u fundos në brigjet e Krimesë.

Anija tjetër, Novocherkassk u godit ndërsa ishte në port në Feodosiya në dhjetor të vitit të kaluar.

Në një nga sulmet më të mëdha në flotën e Detit të Zi, shtatorin e kaluar Ukraina sulmoi objektivat detare dhe infrastrukturën, duke përdorur deri në 10 raketa dhe tri varka pa pilot. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh në një kantier detar në Sevastopol.

Fitorja më e madhe e Ukrainës në luftën detare ka qenë deri më tani fundosja e anijes luftarake ruse “Mosvka”, në prill të 2022-s.

Ukraina ka shënjestruar gjithashtu urën e Kerchit disa herë, pasi ajo është një rrugë e rëndësishme furnizimi për forcat ruse që pushtojnë pjesë të jugut të vendit.

Kievi ka thënë vazhdimisht se planifikon të rimarrë Krimenë dhe të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.

Edhe Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë Botë Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë

Ukraina është në mënyrë kritike e varur nga furnizimet me armë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë për të vazhduar mbrojtjen nga Rusia – një forcë shumë më e madhe ushtarake me një bollëk armësh dhe artilerie.

Përveçse është një platformë për të sulmuar Ukrainën, flota e Detit të Zi është simbol kryesor i pranisë ushtarake shekullore të Rusisë në rajon.