Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, gjashtë të vdekur

Ukraina

Foto: Associated Press

Gjashtë persona janë vrarë në Ukrainë pas sulmeve ruse gjatë natës në portin e Odesës në Detin e Zi dhe qytetin lindor të Sumyt, sipas zyrtarëve lokalë.

Guvernatori i rajonit të Odesës, Oleh Kiper, ka thënë se sulmi "masiv" me dronë dhe raketa shënonte ditën e pestë në të cilën Rusia ka sulmuar rajonin.

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës ka thënë se dronët e saj kanë goditur gjatë natës të së martës 20 anije ruse, përfshirë 17 cisterna nafte, në Detin e Zi.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar se kishte sulmuar Odesën, duke thënë se kishte synuar qëllimisht infrastrukturën portuale, "të përdorur për shkarkimin e naftës, vajit dhe lubrifikantëve".

Ndërkohë, duke shkruar në Telegram, Kiper ka akuzuar Rusinë për synim të qëllimshëm të popullsisë civile dhe ka thënë se banorët janë vrarë dhe plagosur kur një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe.

Edhe Vala e sulmeve ruse lë të paktën 16 të vdekur në Ukrainë Botë 1 muaj më parë Vala e sulmeve ruse lë të paktën 16 të vdekur në Ukrainë

Ai ka thënë se janë goditur gjithashtu një ndërtesë jo-banesore dhe një tubacion gazi.

Por në deklaratën e saj, Rusia pretendonte se kishte synuar vendet e përfshira në prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe transportin e mallrave.

Sulmet e Rusisë në ditët e fundit kanë synuar portet e thella të Detit të Zi të Ukrainës, në zonën më të gjerë të Odesës, ku transportohet pjesa më e madhe e grurit dhe ngarkesave të tjera të vendit, dhe janë jetësore për ekonominë e saj në kohë lufte.

Kjo vjen pas sulmeve intensive ndaj anijeve ruse në Detin e Azov, i cili ndodhet midis Krimesë, vijës bregdetare lindore të Ukrainës dhe Rusisë.

Sulmet ukrainase e kanë detyruar Rusinë, eksportuesin kryesor të grurit në botë, të kufizojë transportin detar në Detin e Azov, një rrugë nëpër të cilën kalon rreth një e katërta e eksporteve të saj të grurit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Ndërsa sulmet vazhdojnë, Ukraina po përballet edhe me në një situatë të trazuar politike, e cila ka bërë që presidenti, Volodymyr Zelensky, të shkarkojë kryeministren, Yulia Svyrydenko, pas më pak se një viti në këtë post.

Edhe Katër të vrarë në Rusi nga sulmet ukrainase Botë 1 muaj më parë Katër të vrarë në Rusi nga sulmet ukrainase

Një mocion për të pranuar dorëheqjen e Svyrydenko është miratuar në parlamentin e Ukrainës të martën, pavarësisht se disa ligjvënës vunë në dyshim nëse arsyeja e ndryshimit ishte shpjeguar.

Të mërkurën në mëngjes, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Kiev për të diskutuar mbi bashkëpunimin midis industrive evropiane dhe ukrainase të mbrojtjes.