Sulmet ruse kanë vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë në disa pjesë të Ukrainës, kanë njoftuar autoritetet të dielën.
Ndërkohë, Rusia ka thënë se për të dytën natë radhazi kishte rrëzuar më shumë se 1.000 dronë ukrainas.
Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ajrore gjatë muajve të fundit, pavarësisht se po zhvillojnë bisedime të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për t'i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, gati pesë vjet më parë.
Në rajonin e Odesës, një person është vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një sulm shkaktoi zjarr në katet e katërt dhe të pestë të një ndërtese banimi 14-katëshe, si dhe dëmtoi disa automjete, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Në një pjesë tjetër të rajonit, është dëmtuar një fermë, ndërsa një zjarr i madh ka përfshirë disa magazina ku ruheshin lodra dhe pajisje shtëpiake. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, në këtë incident janë plagosur edhe dy persona të tjerë.
Në Zaporizhja, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat një vajzë 14-vjeçare, pasi bomba ajrore të drejtuara goditën qendrën e qytetit, ka thënë guvernatori rajonal, Ivan Fedorov.
Nëna e vajzës është vrarë, ndërsa dy persona të tjerë janë plagosur. Sulmi ka shkatërruar disa shtëpi dhe ka dëmtuar ndërtesa të tjera, ka shtuar ai.
Të shtunën vonë, një dron rus ka goditur oborrin e një ndërtese banimi në qytetin Kremenchuk, në rajonin e Poltavës, në Ukrainën qendrore. Një person është vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur ka njoftuar guvernatori rajonal, Vitalii Dyakivnych.
Forcat ajrore ukrainase kanë thënë se Rusia kishte lëshuar 140 dronë drejt Ukrainës gjatë natës. Sipas të dhënave paraprake të publikuara të dielën, 101 prej tyre janë rrëzuar ose janë neutralizuar.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar të dielën se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin kapur 1.017 dronë ukrainas gjatë natës, mbi 19 rajone të Rusisë dhe Krimenë e pushtuar nga Rusia.