Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Formalizohet marrëveshja, Enkel Rexhepi do ta drejtojë Këshillin Kombëtar Shqiptar

Qeveria

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të shtunën mbrëma në Prishtinë në takim anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit Kombëtar Shqiptar, me rastin e formalizimit të marrëveshjes për drejtimin e përbashkët të këtij institucioni. 

Pas zgjedhjeve të 8 nëntorit dhe përfundimit të përsëritjes së votimit më 22 nëntor në Breznicë dhe Samolicë, sipas rezultateve përfundimtare të konfirmuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi më 26 nëntor, PVD–AL me Enkel Rexhepin prin me 4.752 vota dhe 10 mandate; LPD–PDSH me Shqiprim Musliun ka marrë 4.267 vota dhe 9 mandate; APN me Levent Qazimin 2.843 vota dhe 5 mandate, ndërsa PD–LR me Sali Salihin 2.410 vota dhe 5 mandate.

Sipas marrëveshjes për drejtimin e përbashkët të KKSh-së, Enkel Rexhepi do ta drejtojë këtë Këshill. Marrëveshja bashkon 24 nga 29 anëtarët e sapozgjedhur. Ajo mbështetet në parimet e gjithëpërfshirjes, respektimit të fituesit, peshës që qytetarët përmes votës ia kanë dhënë secilës listë dhe ndarjes së përgjegjësive institucionale, thuhet nga Qeveria e Kosovës. 

“Kryeministri Kurti dhe anëtarët e sapozgjedhur theksuan se në Këshillin Kombëtar Shqiptar, si institucion i përbashkët për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, nuk duhet të ketë ndarje në pozitë dhe opozitë, por bashkëpunim dhe bashkëpërgjegjësi institucionale. Në këtë frymë, mirëpritën që marrëveshjes t’i bashkohen edhe pesë anëtarët e Lëvizjes së Progresit Demokratik, duke mundësuar përfshirjen e të gjithë 29 anëtarëve në drejtimin e përbashkët të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. “Pas marrëveshjes së 29 shtatorit në Prishtinë, e cila mundësoi pjesëmarrjen e përbashkët të subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, formalizimi i marrëveshjes së re përbën një hap të mëtejmë në konsolidimin e bashkëpunimit politik dhe institucional të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”.

Kurti theksoi se rruga e bashkëpunimit, e dëshmuar në zgjedhjet parlamentare dhe tash edhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar, duhet të vazhdojë e të shtrihet edhe në institucionet e tjera përfaqësuese, duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në avancimin e të drejtave të tyre individuale e kolektive, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në fuqizimin e institucioneve të tyre përfaqësuese”, thuhet në njoftimin.