Boksieri shqiptar i kategorisë së rëndë Nelson Hysa thotë se u desh të dorëzojë meçin për titull bote kundër Agit Kabayelit, shkaku i një lëndimi në bërryl. Hysa u dorëzua në raundin e dytë në meçin për titull të botës në versionin WBC në kategorinë e rëndë.
Meçi u zhvillua të shtunën mbrëma në Duesseldorf para 50 mijë tifozëve.
Në një video të publikuar nga “ShkodraWeb” e disa mediume tjera shqiptare, Hysa 42-vjeçar shihet duke biseduar me stafin e tij.
Ai i tregon trajnerit se u desh të dorëzohej pasi e lëndoi bërrylin. Tregon se Kabayel ia kishte kapur bërrylin.
Hysa po ashtu thotë se Kabayel “s’kishte grusht fare” dhe po ashtu thotë se e kishte tronditur Kabayelin me goditje.
“I ikën sytë”, dëgjohet Hysa të thotë në video.
E Kabayel në një intervistë pas meçit ka thënë se priste një luftë më të fortë dhe të gjatë nga Hysa dhe se ishte i përgatitur për një luftë të tillë.
Për Hysën ishte humbja e parë pas 25 fitoreve (23 KO). Kabayel shënoi fitoren e 28-të nga po aq meçe.