Gjatë të shtunës në Kosovë janë raportuar katër raste të dhunës në familje. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, dy raste janë raportuar në Prishtinë e nga një në Ferizaj e Gjakovë.
Në Prishtinë një grua dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa bashkëshorti, që dyshohet se është përdorues i narkotikëve, me vendim të prokurorit u lirua në procedurë të rregullt.
E në një rast tjetër në Prishtinë, një person ka tentuar të kryejë vetëvrasje pas një mosmarrëveshjeje në familje.
“I dyshuari ka pranuar tretman mjekësor dhe më pastaj është intervistuar si i dyshuar për dhunë në familje dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Në Ferizaj një person është arrestuar nën dyshim se ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht nënën e tij.
“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
E në Gjakovë është arrestuar një person nën dyshim për sulmin ndaj babait të tij. Ai është dërguar në mbajtje.
Po ashtu në Gjakovë janë paraqitur dy të dyshuar, çift bashkëjetues, për intervistim në Polici, për një rast të dhunës në familje të raportuar më 20 nëntor. Ata pas një mosmarrëveshje në familje rreth fëmijëve të tyre, kishin kanosur verbalisht njëri-tjetrin.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ku ndaj të dyshuarit mashkull është aplikuar urdhër mbrojtës i përkohshëm emergjent. Rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.