Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Spanja mban sot zgjedhje të parakohshme parlamentare

Spanja

Foto: Associated Press

Qytetarët në Spanjë po votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. 

Kryeministri socialist, Pedro Sanchez, i shpalli zgjedhjet tetë muaj para afatit, pasi deputetët në Spanjë hodhën poshtë ndryshimet e planifikuara në ligjet për banimin, raporton “BBC”. 

Partia e tij, PSOE, do të përballet me konkurrencë të fortë nga Partia Konservatore Popullore (PP), e cila mund të ketë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë Vox për ta siguruar shumicën parlamentare.

Sondazhet sugjerojnë se kryeministri po mbetet pak prapa rivalit të tij, Alberto Núñez Feijóo, lider i PP-së. Megjithatë, të premten, Sanchez u tha mbështetësve se ishte i bindur se fitorja ishte e mundur.

Miliona qytetarë spanjollë do të mund të votojnë deri në orën 20:00 të së dielës.

Edhe Sanchezi këmbëngul se do të fitojë, përkundër sondazheve Botë Sanchezi këmbëngul se do të fitojë, përkundër sondazheve

Rezultatet paraprake pritet të publikohen rreth një orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa rezultatet zyrtare do të bëhen të ditura gjatë natës, deri të hënën.

Mungesa e banesave me çmime të përballueshme ka qenë tema kryesore e kësaj fushate zgjedhore, e ndjekur nga çështjet më të gjera të kostos së jetesës dhe imigracionit.

Sanchez, i cili është në pushtet që nga viti 2018, ka dëshmuar se është një politikan që arrin të mbijetojë në skenën politike dhe ka fituar një profil të lartë ndërkombëtar për shkak të kundërshtimit të veprimeve të Izraelit në Gaza dhe kritikave ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, krahas krizës së banimit, skandalet e korrupsionit dhe dy aksidentet vdekjeprurëse hekurudhore kanë dëmtuar pozitën e tij në vend.

Nëse partia e Sanchezit fiton numrin më të madh të ulëseve në parlament, ai mund të ketë vështirësi në formimin e një koalicioni të partive të majta.

Nëse partia e Feijóos arrin ta formojë qeverinë, këtë do ta bëjë me mbështetjen e Vox-it, të udhëhequr nga Santiago Abascal.

Këto parti tashmë kanë ndarë pushtetin në katër rajone të Spanjës, por përfshirja e Vox-it në qeverinë qendrore mund të ketë pasoja të rëndësishme për Spanjën dhe të ndryshojë më tej balancën e fuqisë në Evropë.

Vox mbështet politika të tilla si “përparësia kombëtare” – që nënkupton vendosjen e qytetarëve spanjollë në radhë të parë për përfitimet sociale – si dhe “riatdhesimin” e të huajve që konsiderohen se nuk kontribuojnë në ekonomi.

Edhe Spanja voton të dielën, Sanchezi synon një mandat tjetër Botë Spanja voton të dielën, Sanchezi synon një mandat tjetër

Kritikët kanë thënë se ideologjia e kësaj partie u ngjan disa aspekteve të periudhës së diktatorit Francisco Franco, një krahasim që Vox e kundërshton.

Fushata zgjedhore në gjithë Spanjën përfundoi të premten, ndërsa e shtuna ishte dita tradicionale e reflektimit, gjatë së cilës ndalohet zhvillimi i fushatave zgjedhore.