Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Spanja shpall zgjedhje të parakohshme, Sanchez kërkon mandat të ri

Pedro Sanchez

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka njoftuar se Spanja do të mbajë zgjedhje të përgjithshme më 29 nëntor, shumë më herët se afati i parashikuar. 

Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar politike dhe sociale, të shoqëruar me protesta për krizën e strehimit dhe pas dështimit të qeverisë për të miratuar një paketë masash për mbrojtjen e qiramarrësve, raportoi të hënën BBC-ja.

Sanchez ka konfirmuar se vendi do t’u drejtohet kutive të votimit më 29 nëntor, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 

Zgjedhjet e ardhshme ishin parashikuar fillimisht të zhvilloheshin në verën e vitit 2027.

Në deklaratën e tij, Sanchez vlerësoi punën e qeverisë së koalicionit dhe tha se Spanja ka përballuar një sërë krizash gjatë viteve të fundit, përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Sipas kryeministrit, pavarësisht vështirësive dhe përpjekjeve për të “bojkotuar” progresin e qeverisë, ekonomia spanjolle ka vijuar të rritet. Sanchezi e cilësoi Spanjën si “shembull botëror të paqes, feminizmit dhe prosperitetit”.

Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi nevojën për një mandat të ri politik. 

Pas shpalljes së zgjedhjeve, ai tha se vendi duhet të zgjerojë mbështetjen për qeverinë dhe se parlamenti duhet të sigurojë një shumicë progresiste më të gjerë.

“Na duhet mbështetja e njerëzve për të çuar përpara reformat”, deklaroi Sanchez.

Në qendër të Madridit, në sheshin Puerta del Sol, protestues kanë ngritur kampingje në shenjë pakënaqësie ndaj rritjes së kostove të banimit dhe në mbështetje të të drejtave të qiramarrësve.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në pjesë të tjera të vendit.

Kriza politike u thellua pasi qeveria e Sanchezit nuk arriti javën e kaluar të siguronte mbështetjen e mjaftueshme në Kongres për një paketë masash që synonte të trajtonte krizën e strehimit. 

Sanchez është kryeministër i Spanjës që nga qershori i vitit 2018.