Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Kosova si Spanja

Sikur te ne, brenda pesë muajve Spanja është dashur të mbajë dy palë zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e paralizës politike. Sikur te ne, bllokada u bë modë, ndërsa kompromisi u bë fjalë e pistë

“Askund në botë nuk ndodh kjo”, është thënie që e përdorim shpesh në jetët tona – vend, e pa vend. Por fiks ky ishte reagimi im fillestar kur kuptova që me të vërtetë do të shkojmë në zgjedhje të reja. Thënë të drejtën, besimi im ka qenë që nuk do të shkojmë në zgjedhje dhe se përkundër deklaratave publike, partitë politike do të gjejnë një lloj kompromisi në momente të fundit. Kur ky besim i imi u shemb përfundimisht atëherë u bëra kurioz për të kuptuar nëse vende të tjera kanë gjetur veten ndonjëherë në kësi lloj pozite. Besoj se ky kuriozitet imi u motivua nga nevoja për të racionalizuar situatën ku gjenim veten dhe të shërbejë si një lloj guide se si edhe ne mund të dalim tani nga kjo situatë. Thënë ndryshe nëse të tjerët ia kanë dalë, do t’ia dalim edhe ne. Ky kuriozitet imi rezultoi në tri kolumne të fundit, ku kam shpjeguar se si ndonëse kjo është një situatë e re për ne, shtetet tjera kanë përjetuar kësi lloj situatash para nesh. Në këtë kontekst tri kolumne të fundit kanë folur për përvojën e Izraelit, Bullgarisë dhe Greqisë si shembujt se çfarë lloj të ardhmesh mund ta presin edhe Kosovën.

Këtë seri kolumnesh do ta përmbyll sot me vendin e fundit i cili e ka gjetur veten në po të njëjtën situatë sikur ne sot dhe çfarë lloj të ardhmeje përvoja e këtij vendi sugjeron për Kosovën. Ky rrëfimi i fundit na dërgon në Spanjë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sikur ne, në vitin 2015 Spanja është dashur të mbajë dy palë zgjedhje të jashtëzakonshme brenda pesë muajve si pasojë e paralizës politike. Sikur te ne, bllokada u bë modë, ndërsa kompromisi u bë fjalë e pistë. Për më shumë se tridhjetë vite Spanja është qeverisur ndërmjet dy forcave kryesore politike: Partia Popullore (PP) dhe Socialistët (PSOE). Mendoni për këta si një lloj i PDK-së dhe LDK-së këtu te ne. Pra për kohë të gjatë këto dy parti kanë qeverisur Spanjën. E gjithë kjo ndryshoi në vitin 2015. Në 2015 një partie e re, radikale dhe energjike përmbysi skenën politike spanjolle. PODEMOS lindi nga Lëvizja Popullore e Pakënaqësisë – një iniciativë qytetare që kundërshtonte masat qeveritare për menaxhimin e krizës globale financiare. Në zgjedhjet e vitit 2015 – zgjedhjet e tyre të para – PODEMOS gati zuri vendin e dytë, kryesisht duke dëmtuar PSOE-në (apo LDK-në në analogjinë tonë). Kësisoj zgjedhjet e dhjetorit 2015 ndan skenën politike në tre akterë kryesorë. Partia Popullore e cila ndonëse kishte fituar zgjedhjet, kishte rënie të paprecedent dhe legjitimiteti i saj ishte shumë kontrovers për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit. PSOE-ja e cila ndonëse kishte pësuar humbje të ndjeshme, kishte ruajtur vendin e dytë për fije floku. Dhe partia e re dhe radikale PODEMOS fitorja e së cilës kishte revolucionarizuar skenën politike spanjolle. Tani me përfundimin e zgjedhjeve Spanja ishte në udhëkryq – konstruktivitet nga ana e partive politike dhe krijimi i institucioneve të reja apo bllokadë dhe zgjedhje të reja. Sipas modelit politik spanjoll, fituesi i zgjedhjeve (PP) ishte në gjendje të krijojë qeveri dhe institucione spanjolle dhe për këtë nuk kishte nevojë për votën e partive të tjera - abstenimi do të ishte i mjaftueshëm. Shpresa ishte në veçanti të PSOE-ja (LDK jonë) që të tregojë përgjegjësi institucionale dhe të tregojë konstruktivitet me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të reja. Sidoqoftë, partitë opozitare refuzuan konstruktivitetin dhe zgjodhën bllokadën. Kësisoj vendi u detyrua që menjëherë të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja dënuan bllokadën politike dhe shpërblyen konstruktivitetin. PP-ja u rrit dhe u shpërblye për konstruktivitetin e saj, ndërsa PSOE-ja dhe PODEMOS u dënuan me humbje votash. Dhe këtu arritëm në momentin më kritik të shembullit spanjoll. Historikisht PSOE-ja ishte parti tradicionale institucionaliste spanjolle e cila sapo kishte humbur thellë dy zgjedhje radhazi dhe tani në zgjedhjet e përsëritura kishte shënuar rezultat më të dobët historik. Tani PSOE-ja ishte në udhëkryq – a të vazhdojë bllokadën e saj dhe të rrezikojë përsëri zgjedhje të reja, apo të tregohet konstruktive dhe të mundësojë krijimin e qeverisë së PP-së? PSOE-ja zgjodhi konstruktivitetin dhe përmes abstenimit lejoi zgjedhjen e qeverisë së kundërshtarit të saj të përbetuar. Lideri i saj, Javier Fernández, tha “Në mes vazhdimit të bllokadës dhe abstenimit, abstenimi është e keqja më e vogël”. Për këtë vendim të saj ajo do të masakrohet nga partie e re dhe radikale PODEMOS, por bllokada spanjolle përfundoi dhe Spanja fitoi institucione të reja. Ndonëse vota konstruktive dhe e përgjegjshme e PSOE-së (LDK-ja e jonë) do të shkaktojë kaos dhe traumë brenda partisë në afatshkurtër, në afatgjatë ajo do të shpërblejë PSOE-në me kthimin në pushtet dhe qeverisjen e vazhdueshme gati dhjetëvjeçare të Spanjës. Ajo parti e re, radikale dhe bllokuese PODEMOS me kalimin e kohës do të zhduket nga skena politike spanjolle.

E gjithë çfarë ka ndodhur në Spanjë tingëllon shumë e njohur për ne këtu në Kosovë: dominancë e partive të establishmentit dhe ardhja e një force të re e cila përmbys rendin politik, refuzimi i kompromisit dhe bllokimi i jetës politike dhe institucionale, militarizimi politik i proceduarve kushtetuese dhe ligjore, fajësimi i ndërsjellë i partive politikë për gjendjen e krijuar. Të gjitha këto, sikur spanjollët, jemi duke i përjetuar edhe ne. Dhe tani sikur spanjollët, brenda pesë muajve do të mbajmë dy palë zgjedhje. 

Kësisoj dy gjëra mësojmë nga shembulli i Spanjës. E para, bllokimi sanksionohet nga qytetarët. PSOE-ja (LDK-ja e jonë) është penalizuar për sjellje antiinstitucionaliste nga qytetarët spanjoll. Në dëlirin e saj që të jetë më e ashpër dhe më ekstreme ndaj mazhorancës se partia radikale PODEMOS, ajo humbi busullën morale dhe arsyen institucionaliste. Kjo i solli dy humbje historike brenda pesë muajve. E dyta çfarë na mëson shembulli i Spanjës është se përgjegjësia politike shpërblehet në afatgjatë. Ka qenë tejet e vështirë për PSOE-në të mundësojë krijimin e qeverisë nga kundërshtari i saj më i ashpër. Ky akt gati e shkatërroi partinë. Por ai ishte një akt i drejtë. Një akt i cili me të vërtetë jetësoi standardin më të lartë në politikë – ai vendosi vendin para partisë. Koha provoi sa i drejtë ishte. 

Ajo çfarë ka bërë opozita në Spanjë nuk arrihet përmes kalkulimeve elektorale, nuk mësohet nga spindoktorët dhe nuk imponohet nga Washingtoni apo Berlini. Ajo është kulturë dhe pjekuri politike. Atë gjë ose e ke, ose nuk e ke. Nuk ta mëson askush. Tani shumë shpejt do ta kuptojmë nëse opozita jonë ka një gjë të tillë.