Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka konfirmuar të enjten mbrëma, se anija kryesore luftarake e saj “Moskva”, është fundosur, ka raportuar BBC-ja.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, anija u fundos rrugës teksa po tërhiqej për ta çuar në një port të sigurt.
“Gjatë tërheqjes për në bazën e saj, "Moskva", për shkak të dëmtimeve që pësoi gjatë zjarrit, humbi stabilitetin”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Gjatë ditës, ka pasur raporte kontradiktore për këtë anije që gjerësisht është parë si krenari e Rusisë në Detin e Zi.
Rusia tha se anija është dëmtuar rëndë nga një shpërthim i raketave që mbante, derisa Ukraina pretendon se dy raketa të saj “Neptun” e kanë goditur dhe e kanë fundosur.