Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar të premten se qyteti i Gazës mund të shkatërrohet nëse grupi militant palestinez Hamas nuk i pranon kushtet e Izraelit, teksa shteti hebraik po përgatitet për zgjerimin e ofensivës në këtë zonë të enklavës.
Katzi ka deklaruar se qyteti më i madh në Rripin e Gazës mund të “kthehet në Rafah dhe Beit Hanoun” – zona këto që janë shndërruar në rrënoja përgjatë zhvillimit të luftës.
“Portat e ferrit së shpejti do të hapen mbi kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gazë – derisa ata të pranojnë kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Mes tjerash, Katzi i ka ripërsëritur kërkesat e Izraelit për marrëveshje të armëpushimit, e që kanë të bëjnë me lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve të mbajtura në Gazë dhe çarmatosjen e plotë të Hamasit, ka raportuar AP.
Nga ana tjetër, zyrtarët e Hamasit kanë deklaruar se do ta pranojnë lirimin e pengjeve në këmbim të përfundimit të luftës, mirëpo e kanë kushtëzuar opsionin e çarmatosjes me krijimin e një shteti palestinez.
Edhe
Izraeli kërcënon Libanin se do t’ia bëjë si Gazës
Një ditë më parë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte deklaruar se Izraeli ishte i gatshëm të vazhdonte negociatat për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve si dhe për ndërprerjen e luftës, porse vetëm në kushte që janë të pranueshme për të.
Tek ka folur me ushtarët afër kufirit të Izraelit me Gazën, Netanyahu ka thënë se qëndrimi i tij rreth planeve të miratuara për mposhtjen e Hamasit dhe riokupimin e qytetit të Gazës ka mbetur i pandryshuar.
Si pasojë e këtyre planeve, mijëra palestinezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre përderisa tanket izraelite i janë afruar qytetit të Gazës gjatë 10 ditëve të fundit.
E gjatë ditës së premte (sot) pritet që organizata e mbështetur nga OKB-ja, Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), të publikojë përditësimin më të ri për situatën e urisë në Rripin e Gazës.
Ky trup monitorues i sigurisë ushqimore pati deklaruar muajin e kaluar se “skenari më i keq i urisë” është duke “u zhvilluar në Rripin e Gazës”.
Në Ministrinë e Shëndetësisë në Gazë kanë raportuar se 271 persona kanë vdekur nga “uria dhe kequshqyerja” që prej 7 tetorit të 2023-tës, ndër ta 112 fëmijë.
Edhe
Izraeli bën thirrje për evakuim të plotë të Gazës para operacionit tokësor
Agjencitë humanitare kanë bërë thirrje që Izraeli të lehtësojë qasjen për më shumë ndihma në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se mungesa e ushqimit dhe ujit mund të përshkallëzohet në uri masive.
Autoritetet izraelite i kanë mohuar pretendimet se ka krizë të urisë në enklavën palestineze. Vetë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte deklaruar më herët këtë muaj se “politika e Izraelit gjatë gjithë luftës ka qenë të parandalojë një krizë humanitare, ndërsa politika e Hamasit ka qenë ta krijojë atë”.