Botë

Izraeli bën thirrje për evakuim të plotë të Gazës para operacionit tokësor

GAZA

(AP) - Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve të Gazës të evakuojnë plotësisht qytetin të martën në mëngjes, përpara nisjes së një operacioni ushtarak të zgjeruar në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Ky është paralajmërimi i parë për një evakuim tërësor të qytetit që nga fillimi i kësaj faze të re të luftimeve.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar të martën se Izraeli ka shembur 30 ndërtesa të larta në Gaza, të cilat, sipas tij, janë përdorur nga Hamasi për qëllime ushtarake.

Kryeministri Benjamin Netanyahu të hënën tha se Izraeli ka shkatërruar të paktën 50 “kulla terrori” që, sipas tij, përdoreshin nga Hamasi. Nuk është e qartë nëse ndërtesat që përmendi Katz janë shtesë ndaj atyre të përmendura nga Netanyahu, i cili i quajti shkatërrimet “vetëm hyrje, vetëm fillimi i operacionit intensiv kryesor — ofensiva tokësore e forcave tona.”

Ditët e fundit, Izraeli ka shkatërruar disa ndërtesa të larta në qytetin e Gazës, duke paralajmëruar se Hamasi kishte instaluar pajisje të mbikëqyrjes në to.

Këto veprime janë pjesë e një përshkallëzimi të ofensivës izraelite për të marrë kontrollin e asaj që e cilëson si bastioni i fundit i Hamasit. Izraeli ka bërë thirrje që palestinezët të largohen nga pjesë të qytetit të Gazës drejt një zone të shpallur si “humanitare” në jug të territorit.