Botë

Izraeli do që t’i zhvendosë të gjithë palestinezët në një qytet

gaza

Foto: Associated Press

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se ka udhëzuar ushtrinë që ta përgatisë një plan për t’i lëvizur të gjithë palestinezët në Gaza në një kamp në jug të vendit.

Katz ka thënë se ai dëshiron ta krijojë një “qytet humanitar” mbi rrënojat e qytetit të Rafahut për të strehuar fillimisht rreth 600,000 palestinezë, e më pas të gjithë popullsinë prej 2.1 milionë banorësh, raportoi BBC.

Siç ka pretenduar ai, qëllimi është që të sillen njerëzit brenda pas kontrolleve të sigurisë për t’u siguruar që ata nuk janë njerëz të Hamasit.

Nëse plani shkon përpara, Katz ka shtuar se ndërtimi do fillojë gjatë armëpushimit 60-ditor të cilin Izraeli dhe Hamasi po përpiqen ta arrijnë.

Një avokues izraelit i të drejtave të njeriut e ka kritikuar këtë plan duke thënë se nuk është gjë tjetër pos një “plan operacional për krime kundër njerëzimit”.

“Bëhet fjalë për transferimin e popullsisë në skajin jugor të Rripit të Gazës në përgatitje për deportim jashtë Rripit”, ka thënë Michael Sfard.

Kombet e Bashkuara më herët patën paralajmëruar se deportimi apo transferimi i dhunshëm i popullatës është rreptësishtë i ndaluar sipas të drejtës ndërkombëtare dhe mund të përcaktohet si spastrim etnik.