Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord të rrisin furnizimin global me naftë, sipas një deklarate të përbashkët të publikuar pas takimit historik mes tre liderëve të enjten në Kinë.
Në një marrëveshje me katër pika, të cilën mediat shtetërore kineze dhe ruse e kanë cilësuar si një “deklaratë për paqen”, presidentët janë zotuar gjithashtu të punojnë për reformimin e Kombeve të Bashkuara.
Ata kanë rënë dakord edhe të angazhohen në bisedime të mëtejshme për çarmatimin bërthamor, si dhe që zyrtarëve shtetërorë t'u garantohet imuniteti.
Putini ka thënë se bisedimet, të zhvilluara në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen të Kinës, shkuan edhe më mirë nga sa pritej.
Xi e ka cilësuar takimin si “pozitiv, konstruktiv dhe frytdhënës”. Mediat shtetërore kineze raportuan se tre liderët shkëmbyen mendime për Ukrainën, përhapjen e armëve bërthamore dhe “Gadishullin Korean”.
Në hapje të takimit trepalësh, Trumpi ndërkaq ka thënë se liderët po “bënin histori”.
Para takimit trepalësh, Trumpi ka zhvilluar edhe takime të ndara me Xi-në dhe Putinin.
Sipas Kremlinit, Putini është larguar nga bisedimet me dyer të mbyllura me presidentin amerikan, ku u diskutua edhe lufta në Ukrainë, në një “humor të shkëlqyer”.