Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Birmania ka kryer gjenocid ndaj pakicës rohingya, thotë GJND-ja

GJND

Foto: Associated Press

Birmania ka kryer akte gjenocidi ndaj pakicës së saj rohingya gjatë “operacioneve të spastrimit”, gati një dekadë më parë, ka vendosur të enjten Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).  gjykata më e lartë në botë.

Vendimi i gjykatës më të lartë në botë, e cila deri më tani nuk kishte shpallur asnjë shtet përgjegjës për gjenocid, i jep fund një beteje ligjore shtatëvjeçare, dhe shihet si një provë vendimtare globale për trajtimin e krimeve më të rënda që mund të kryejë një shtet.

“Gjykata është plotësisht e bindur se Birmania ka kryer akte që përfshihen në ... Konventën për Gjenocidin, me qëllimin për të shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rohingya në Birmani”, ka thënë presidenti i GJND-së, Yuji Iwasawa, gjatë leximit të vendimit.

Një fushatë e ushtrisë së Birmanisë, gjatë viteve 2016-2017, ka detyruar më shumë se 700 mijë pjesëtarë të pakicës rohingya, kryesisht myslimanë, të largoheshin përtej kufirit drejt Bangladeshit.

Refugjatët mbërritën me rrëfime për vrasje masive të të rriturve dhe fëmijëve, përdhunime në grup dhe fshatra të djegura.

Edhe Të rinjtë në Birmani jetojnë me frikën nga rrëmbimi për rekrutim në ushtri Botë Të rinjtë në Birmani jetojnë me frikën nga rrëmbimi për rekrutim në ushtri

Qeveritë në mbarë botën e kanë pritur me shqetësim vendimin, të shpallur në Hagë të Holandës, pjesërisht sepse vendimi do të krijojë një precedent për pretendimet për gjenocid, veçanërisht për një çështje të profilit të lartë kundër Izraelit.

Gjenocidi, i përkufizuar pas Holokaustit nazist përmes një konvente të OKB-së të vitit 1948, është më i vështirë për t’u provuar sesa krimet e luftës, sepse kërkon dëshmi për një “qëllim” të posaçëm për të shkatërruar një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Çështja kundër Birmanisë është ngritur nga Gambia, një shtet me shumicë myslimane, në emër të të mbijetuarve rohingya nga Birmania. 

Ajo u mbështet në pretendimet për deklarata me përmbajtje gjenocidale dhe “modele sjelljeje” që dëshmonin përpjekjet për shkatërrimin e këtij grupi gjatë sulmeve në shtetin Rakhine, përfshirë vrasjen me armë të njerëzve teksa përpiqeshin të largoheshin dhe pengimin e kthimit të tyre.

Në janar, GJND-ja ka mbajtur seanca me dyer të mbyllura për të dëgjuar dëshmitë e të mbijetuarve, të cilët udhëtuan nga kampet në Bangladesh. Më shumë se një milion rohingya vazhdojnë të jetojnë atje, në vendbanimin më të madh të refugjatëve në botë, ndërsa vlerësohet se më pak se 600 mijë kanë mbetur në Birmaninë me shumicë budiste.

Uashingtoni zyrtar e kishte cilësuar krizën e Rohingyave si gjenocid, bazuar në një vendim të administratës së Bidenit. Megjithatë, administrata Trump ka ndërmarrë një ofensivë kundër institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Edhe Udhëheqësi i Birmanisë thyen izolimin diplomatik pas grushtshtetit, viziton Tajlandën Botë Udhëheqësi i Birmanisë thyen izolimin diplomatik pas grushtshtetit, viziton Tajlandën

Dy raste të tjera të trajtuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), që kishin të bënin me mizoritë e kryera gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990, nuk arritën të vërtetonin përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të shteteve për gjenocid. Megjithatë, Serbia u shpall ligjërisht përgjegjëse për mosparandalimin dhe mosndëshkimin e gjenocidit të kryer nga trupat serbe të Bosnjës gjatë masakrës së Srebrenicës.

Gjykata dhe tribunale të tjera të Kombeve të Bashkuara kanë vërtetuar gjenocidin vetëm në një numër të vogël rastesh që nga Holokausti, përfshirë regjimin e Khmerëve të Kuq në Kamboxhia gjatë viteve 1970 dhe vrasjet masive të vitit 1994 në Ruandë.