Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se pamjet nga vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë, pas gjashtë vjetësh, për shkak të gjendjes së rënduar të bashkëshortes së tij, ishin të dhimbshme.
Sipas saj, ka vite që nuk kthehen dhe momente familjare që nuk rikuperohen.
Nagavci ka thënë se pamjet e Krasniqit ua kujtojnë pasojat e vendimeve politike.
“Ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër se vendimet politike nuk mbeten në dokumente, por dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, ka thënë ajo.
Nagavci ka thënë se Krasniqi është figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës.
Sipas saj, ai ishte pjesë e periudhave vendimtare të shtetit.
Ajo ka thënë se sot, vite më vonë, mund të shihen pasojat e vendimit që deputetët morën për votimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015.
“Votimi për themelimin e saj ishte gabim, pasojat e të cilit po i shohim edhe sot”, ka thënë ajo.
Nagavci ka shtuar se duhet të nxirret mësim për mënyrën se si ushtrohen detyrat parlamentare.