Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar se një "uragan i fuqishëm" do të "godasë qiellin e Qytetit të Gazës" më vonë të hënën, ndërsa ushtria vazhdon të zgjerojë sulmin e saj në qytetin më të madh të territorit.
"Sot, një uragan i fuqishëm do të godasë qiellin e Qytetit të Gazës dhe çatitë e kullave të terrorit”, ka shkruar ai në një postim në X.
"Ky është një paralajmërim i fundit për vrasësit dhe përdhunuesit e Hamasit në Gazë dhe në hotelet luksoze jashtë vendit: Lironi pengjet dhe dorëzoni armët tuaja - ose Gaza do të shkatërrohet dhe ju do të shfaroseni”, ka shtuar ai.
Sulmet ajrore kanë shkatërruar dhjetëra ndërtesa në zona të Qytetit të Gazës, teksa bombardimet masive thuhet se kanë rrafshuar disa lagje në javët e fundit.
Bombardimet janë intensifikuar përpara një ofensive tokësore të kërcënuar prej kohësh.
Banorëve të Qytetit të Gazës po u thuhet të zhvendosen në pjesën jugore të territorit, në zonat që janë nën bombardime të shpeshta izraelite dhe që janë tashmë të mbipopulluara.
Dhjetëra mijëra njerëz tashmë janë larguar nga qyteti, dhe rrugët që të çojnë në jug janë mbushur me banorë që mbajnë sendet e tyre në karroca dhe kamionë.
Qyteti i Gazës po përfshihet nga uria e shkaktuar nga kufizimet e Izraelit për ndihmën, dhe sulmi i zgjeruar vetëm sa do të thellojë vuajtjet e përhapura të popullsisë civile atje dhe mund të zhvendosë me forcë qindra mijëra palestinezë, shumë prej të cilëve janë të sëmurë ose të dobët.