Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “duhet ta ketë” autorizuar sulmin me agjent nervor që aksidentalisht ia mori jetën një gruaje britanike më 2018, dhe ai mban “përgjegjësi morale” për vdekjen e saj, sipas një hetimi britanik të publikuar të enjten.
Dawn Sturgess, 44-vjeçare, vdiq katër muaj pasi një ekip i agjentëve nga shërbimi sekret ushtarak rus e hodhi agjentin nervor, Novichok, në një shishe parfumi, në Salisbury të Anglisë, pasi e përdorën si cak për ish-spiunin rus, Sergei V.Skripal, që i kishte dhënë sekrete Britanisë. Skripal dhe e bija e tij ishin helmuar afër shtëpisë së tyre, pasi helmi i ishte vendosur dorëzës së shtëpisë. Pavarësisht gjendjes së rëndë, ata i mbijetuan helmimit.
Në një raport të publikuar të enjten, një hetim publik për vdekjen e Sturgessit ka gjetur se ajo vdiq si pasojë e një shisheje që mendonte se ishte parfum. Kjo shishe ishte gjetur nga partneri i saj, që më pas ia kishte dhënë si dhuratë, pa dijeni për përmbajtjen e vërtetë. Sturgess vdiq pasi vendosi Novichok në kyçet e duarve, duke u bërë viktimë e atentatit në tentativë. Pra caku ishte Skripali e viktimë ra Sturgessi.
Duke ofruar për publikun gjetjet në një konferencë për media, shefi i ekipit që kreu hetimet, Anthony Huges, ish-gjyqtar në Gjykatën Supreme në Britani, ka thënë se operacioni që kishte cak Skripalin “duhej të ishte autorizuar në nivelin më të lartë, në fakt nga presidenti Putin”, dhe kishte për qëllim “të shfaqej si demonstrim publik i fuqisë ruse”.
Hughes ka thënë se Sturgess, që kishte tre fëmijë, ishte viktimë e një sulmi “çuditërisht të pamatur” që kishte vënë në rrezik “një numër të pacaktuar njerëzish që s’lidhen me spiunazhin dhe që ishin të pafajshëm”.
Hetimi ka gjetur se “ekziston lidhje direkte fatale” mes vdekjes së Sturgessit dhe veprimeve të agjentëve të Inteligjencës ruse që kryen misionin, mbikëqyrësve të tyre dhe vetë Putinit. “Ata, dhe vetëm ata, mbajnë përgjegjësi morale për këtë”, ka thënë ai.
Qeveria e Rusisë ka mohuar përfshirjen në sulmin ndaj Skripalit. Dy burra të akuzuar nga prokuroria britanike në një intervistë për televizionin “Russia Today” më 2018 kishin thënë se janë shitës të suplementeve sportive dhe se e kanë vizituar Salisburyn “për shkak të katedrales me famë ndërkombëtare”.