Botë

Operacioni “Rrjeta e Merimangës”, gjatë të cilit Ukraina ia shkatërroi Rusisë dhjetëra bombardues

Operacioni Spiderweb shkaterrimi i bombarduesve rusë

Skenat ngjasonin me ndonjë film triller spiunazhi nga periudha e Luftës së Ftohtë. Pamjet dhe efektet e operacionit të fshehtë të Ukrainës brenda Rusisë, kanë lënë shumë të befasuar se si ishte e mundur të organizohej ky mision, që i shkatërroi dhjetëra avionë luftarakë rusë, raporton "Daily Mail". 

I quajtur operacioni “Rrjeta e Merimangës”, misioni – i mbikëqyrur në fshehtësi nga vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky – përdori qindra dronë sulmues (FPV), që ishin kontrabanduar brenda në Rusi, në kontejnerë druri të maskuar si shtëpi modulare. 

Kamionët drejtoheshin nga shoferë rusë, që nuk ishin në dijeni se çfarë po transportonin. Ata u parkuan pranë bazave ajrore strategjike përpara se çatitë e kontejnerëve të hapeshin me komanda nga distanca dhe të lëshoheshin tufa dronësh, që synuan dhe shkatërruan aeroplanë bombardues rusë, që gjendeshin në fusha ajrore.

Sulmet shkatërruese që ndodhën të dielën, me video dramatike, që u postuan nga blogerë ushtarakë pro-Kremlin, shfaqnin avionë të përfshirë nga zjarri në vende të shumta, përfshirë edhe thellë në Siberi mbi 4.000 kilometra larg nga vijat e frontit në Ukrainë. 

Së paku katër baza të tjera ajrore strategjike ruse u goditën; Olenya në rajonin Murmansk në Arktik; Dyagilevo në perëndim të Rusisë; Ivanovo në verilindje të Moskës dhe Podmoskovye në Moskë. 

Burime brenda Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), pohuan se operacioni dëmtoi 34 për qind të bombarduesve strategjikë me rreze të gjata veprimi të Rusisë, duke përfshirë edhe Tu-95 dhe Tu22M3 me kapacitete bërthamore, të cilat shpesh përdoren për të lëshuar raketa lundruese në Ukrainë. 

Por, këta aeroplanë nuk prodhohen më dhe nuk mund të zëvendësohen. 

“Në momentin e duhur, çatitë e kabinave u hapën nga distanca dhe dronët fluturuan për t’i goditur bombarduesit rusë”, tha një burim inteligjence për “Kyiv Independent”. 

Në një deklaratë, SBU-ja tha se të paktën 41 bombardues rusë me rreze të gjatë veprimi u dëmtuan apo shkatërruan. 

Dronët ishin fshehur në ato që shoferët menduan se ishin shtëpi modulare dhe u dorëzuan në aeroportet ruse në Murmansk, Irkutsk, Ryazan dhe Ivanovo.

Në imazhet e publikuara nga shërbimet sekrete ukrainase, shihen kontejnerët e drurit të mbushur me 117 dronë kamikazë FPV – të cilët pilotët i kontrollojnë nga distanca, përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë. 

Dhjetëra dronë të zinj ishin të rreshtuar një pas tjetrit, ndërsa çatitë e kabinave prej druri kishin hapësirat brenda, ku fshiheshin dronët. 

Ishin transportuar nga kamionë civilë brenda territorit rus, ku shoferët e kamionëve duket se nuk ishin të vetëdijshëm se çfarë po transportonin. 

Më në fund, të dielën pasdite, me të gjithë kamionët brenda rrezes së pesë aeroporteve, që shtriheshin nga pjesa veriore e Rusisë deri në Siberi – nisi zbatimi i operacionit. 

Disa shoferë, që po merren në pyetje nga hetuesit rusë, pretendojnë se nuk e kishin idenë se po transportonin dronë vdekjeprurës ukrainas. 

Sipas kanalit “Baza” në Telegram, një nga shoferët, Alexander Z. 55-vjeçar nga Chelyabinsku, tha se kishte marrë një porosi nga një sipërmarrës nga rajoni i Murmanskut, i cili tha se duhej ta organizonte dorëzimin e katër shtëpive modulare nga Chelyabinsku për në rrethin Kolsky të rajonit Murmansk. 

Burrat ranë dakord për çmimin, pas së cilit Alexander ngarkoi “mallrat” në kamionë dhe u nis. 

Sipas shoferit, ndërsa po drejtonte kamionin, një person i panjohur e kontaktoi në telefon dhe i dha udhëzime se ku dhe kur duhej të ndalonte. 

Pastaj, ai u ndal në pompën e derivateve Rosneft pranë një aeroporti në Murmansk, kur çatia e kamionit u hap dhe dhjetëra dronë shpërthyen. 

Me ndihmën e kamerave të pozicionuara para, dronët e ngarkuar me material shpërthyes, u drejtuan drejt aeroplanëve bombardues rusë, që janë shumë të shtrenjtë. 

Imazhet dhe pamjet nga  vendi i ngjarjes treguan se si dronët u ngritën nga pjesa e pasme e një kamioni të zakonshëm, në rajonin e Irkutskut, ku u nisën sulmet drejt fushave ajrore. 

Ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në Irkutsk, ku një shofer 61-vjeçar Andrey M., kishte marrë porosi për të dërguar shtëpi modulare në rajon. 

Megjithatë, në momentin kur shoferi parkoi në kafenenë Teremok në Usolye-Sibirskoye, dronët filluan të fluturonin. 

Histori të ngjashme u treguan edhe nga shoferët e kamionëve, nga të cilët u lëshuan dronë në rajonet Ryazan dhe Ivanovo. 

Sergey 46-vjeçar, u tha hetuesve se po transportonte një shtëpi modulare nga Chelyabinsku. Por, kur hyri në Ryazan, çatia e kamionit të tij u rrëzua dhe dronët filluan të shpërthenin. 
Kamioni i katërt, nga i cili u lëshuan dronët dje në aeroportin e Ivanovos, u ngarkua, gjithashtu,  në Chelyabinsk. 
Mes shpërthimeve të dronëve, një burrë rus tregoi në kanalin “Mash” në Telegram se po hidhte gurë në pjesën e pasme të kamionit në tentim për të ndaluar që dronët të niseshin. 

Pamjet kapën momentin kur dhjetëra vendës rusë gjuanin me gurë drejt kamionëve, ku disa prej tyre edhe u ngjitën sipër për t’i ndaluar dronët. 

Një video shfaqi momentin kur një nga kamionët e përdorur për t’i lëshuar dronët FPV, u shkatërrua. 
Pamjet kapën një burrë rus duke u futur në kamion, i pavetëdijshëm për mekanizmin e integruar të vetëshkatërrimit, që u aktivizua disa sekonda më vonë dhe rezultoi me shpërthim masiv. 

Sistemi i vetëshkatërimit të kamionit u aktivizua për t’u përkujdesur që forcat ruse të mos rikuperonin asnjë provë apo teknologji. 

Kamionët ishin të gjithë të lidhur me një burrë misterioz të quajtur Artem (37), që besohet se është ukrainas dhe thuhet se ishin ngarkuar në Chelyabinsk. 

Të gjithë shoferët raportuan se kishin marrë telefonata të fshehta, me udhëzime se ku saktësisht të ndalonin vetëm disa orë para se të niseshin dronët sulmues. 

Kamionët e përfshirë u panë në videot, që qarkulluan në rrjete sociale me tym që dilte nga çatitë.

Pamjet treguan aeroplanët rusë në flakë në fushat ajrore dhe mbrëmë nga autoritetet ukrainase u raportua për shkatërrimin e 41 aeroplanëve rusë me vlerë totale rreth 7 miliardë dollarë. 

Në pamjet e dronëve shiheshin disa aeroplanë rusë të përfshirë nga zjarri, dronët i godisnin ata një nga një. 

Në pamjet nga Gadishulli Kola shihej tym i madh pas shpërthimit në një bazë sekrete. 

Sipas kanalit të Telegramit “Baza”, zyrtarët rusë kanë nisur një hetim për terrorizëm dhe po e kërkojnë Artemin, i cili besohet se është arratisur. 

Presidenti rus Vladimir Putin nuk është deklaruar që nga sulmet në operacionin “Rrjeta e Merimangës”, por burime kanë paralajmëruar: “Ai do t’i kundërpërgjigjet Ukrainës, por,  gjithashtu, do t’u hakmerret vartësve të tij, që lejuan që ky poshtërim të ndodhte”. 

Ndërkohë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) ka thënë se i gjithë personeli ukrainas i përfshirë në përgatitjen dhe drejtimin e misionit, tashmë është larguar dhe gjendet në Ukrainë.

Në një deklaratë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përshëndeti operacionin duke e vlerësuar si “të përgatitur në mënyrë të përkryer”. Ai pretendoi se operacioni u drejtua nga një ndërtesë që gjendet pranë një selie rajonale të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB). 

FSB-ja – e drejtuar nga aleati i ngushtë i Putinit, 73-vjeçari Alexander Bortnikov, tash përballet me fajin se Ukraina e ka përdorur një depo ngjitur me selinë e inteligjencës në Chelyabinsk, për t’i përgatitur sulmet me dronë në bazat ajrore ruse. 

Operacioni “Rrjeta e Merimagës”, ishte planifikuar për 18 muaj dhe ishte nën kontrollin e Vasyl Makyukut, kreut të SBU-së. 

Zelensky, po ashtu, vuri në dukje momentin simbolik të operacionit. Operacioni erdhi pikërisht 29 vjet pasi Ukraina ia dorëzoi bombarduesit e saj strategjikë Rusisë, si pjesë e Memorandumit të Budapestit, sipas të cilit Moska premtoi se s’do ta sulmonte kurrë fqinjën e saj. 

“Mund të themi me besim se ky është një operacion absolutisht unik”, tha Zelensky, duke zbuluar se u përdorën 117 dronë për t’i synuar bombarduesit “që përdoreshin për t’i goditur qytetet tona”. “Ajo që është më interesante, ‘zyra’ e operacionit tonë në territorin rus ndodhej direkt pranë selisë së FSB-së në një nga rajonet e tyre. Në total, në operacion u përdorën 117 dronë, me një numër përkatës operatorësh dronësh të përfshirë, dhe 34 për qind e transportuesve strategjikë të raketave lundruese të stacionuar te bazat ajrore, u goditën. Ne do ta vazhdojmë këtë punë”. 

Ai vlerësoi se sulmi ndaj bombarduesve rusë të Putinit “padyshim do të futet në librat e historisë”. 

Blogeri ushtarak Roman Alekhin tha se incidenti do të mbahet në mend si “Pearl Harbouri i Rusisë” – një referencë për sulmin japonez ndaj SHBA-së në vitin 1941, që e shtyri SHBA-në të hynte në Luftën e Dytë Botërore. 

Kanali pro-rus në Telegram, “Fighterbomb”, që besohet se drejtohet nga kapiteni i Ushtrisë ruse, Ilya Tumanov, pranoi se e diela “më vonë do të quhej një ditë e zezë për aviacionin rus me rreze të gjatë veprimi”. 

Ish-piloti dhe analisti ushtarak Mikey Kay i ka thënë BBC-së se “rusët nuk e kanë pritur kurrë një gjë të tillë”. 

“Dua të them, është gjeniale, nëse mendoni vetëm për efektin shkatërrues që ka pasur në asetet strategjike të Putinit”. 

Philip O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin St. Andrews, tha se “ishte operacioni më i jashtëzakonshëm dhe i suksesshëm i luftës”. 

Ai tha për “The Times”: “Kjo është goditje e madhe për fuqinë ajrore strategjike të Rusisë. Nuk e dimë se cili do të jetë reagimi rus, megjithatë mund të supozojmë se do të jetë i dhunshëm”. 

Vetëm disa orë para se të niste vala e sulmeve me dronë, një valë sulmesh me bomba shënjestroi urat dhe linjat hekurudhore ruse në rajonet në kufi me Ukrainën.

Rusia i quajti “akte terrorizmi”, ndërsa u raportua për shtatë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. 

E, në një sulm rus me raketa në një zonë stërvitje të Ushtrisë ukrainase, vrau të paktën 12 ushtarë të dielën, dhe plagosi 60 të tjerë.