Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mjekët e rinj protestojnë – Racaj kundërshton shifrat e Kurtit, thotë se 534 mjekë janë të papunë

mjeket proteste

Foto: EO

Mundësi të rregullta punësimi, konkurse transparente për specializime dhe pagesë të stazhit gjashtëmujor kanë qenë kërkesat kryesore të disa mjekëve të rinj, të cilët të shtunën kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, duke paralajmëruar se mungesa e mundësive po i shtyn drejt emigrimit. 
Protesta është organizuar nga iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë”, ndërsa në emër të tyre ka folur Besfort Racaj, student i vitit të fundit në Fakultetin e Mjekësisë.

Ai ka thënë se profesionistët e rinj shëndetësorë nuk po kërkojnë privilegje, por mundësi për të punuar dhe për të ndërtuar të ardhmen në Kosovë.

“Për të kërkuar të drejtat tona dhe, mbi të gjitha, për të kërkuar një të ardhme në vendin tonë. Një dhimbje që ka një emër: pasiguri për të ardhmen tonë. Ne nuk jemi kundër askujt. Ne nuk jemi këtu për të kërkuar privilegje. Ne jemi këtu sepse duam të punojmë, të zhvillohemi dhe t’i shërbejmë popullit tonë”, ka thënë Racaj.

Ai ka pyetur se për kë po përgatiten profesionistët shëndetësorë, nëse nuk po krijohen mundësi që të punojnë në vendin e tyre. 

“Për çfarë po arsimohemi, nëse në fund të rrugëtimit tonë profesional na pret papunësia, pritja e gjatë dhe emigrimi ... A duhet që prindërit tanë të na shohin duke u larguar nga Kosova vetëm sepse këtu nuk po na u jepet mundësia për të punuar? Ne nuk duam të largohemi. Ne nuk duam t’i lëmë familjet tona. Ne duam të qëndrojmë në Kosovë. Por na duhet një arsye për të qëndruar. Dhe kjo arsye duhet të jetë mundësia, siguria dhe dinjiteti”, ka deklaruar Racaj. 

Ai ka paraqitur edhe kërkesat e protestuesve, duke përfshirë punësimin e profesionistëve shëndetësorë të licencuar, shpalljen e konkurseve për specializime çdo vit dhe përcaktimin e kuotave sipas nevojave të spitaleve dhe sistemit shëndetësor.

Ai ka kërkuar gjithashtu transparencë dhe meritokraci në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për specializime, si dhe ndryshimin e udhëzimit administrativ për vlerësimin e tyre.

Gjatë fjalimit, Racaj ka paraqitur edhe shifra që, sipas tij, pasqyrojnë gjendjen e punësimit dhe emigrimit të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë. Ai ka deklaruar se gjatë viteve 2021–2026 nga Kosova kanë emigruar 650 mjekë, ndërsa 534 doktorë, sipas tij, janë të papunë.

Ai e ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti dhënë ditë më parë se gjatë vitit 2025 janë kthyer në Kosovës 171 mjekë.

“Jo, kryeministër, nuk janë 171 mjekë të kthyer në Kosovë. Janë 650 mjekë të emigruar nga Kosova gjatë viteve 2021-2026. 534 doktorë janë të papunë në Kosovë. Shumë prej tyre madje presin për më shumë se 3 vite vetëm për një mundësi punësimi. Ndërkohë, 611 doktorë nga Kosova janë të licencuar në shoqatat mjekësore në Gjermani. Nga 2.751 stomatologë të licencuar, vetëm 365 janë të punësuar në sektorin publik. Vetëm rreth 50% e infermierëve të licencuar janë të punësuar në sektorin publik. Vetëm 9 vende specializimi për stomatologji nga konkursi i fundit për qindra stomatologë në pritje. Vetëm 110 vende specializimi për më shumë se 1.000 mjekë të përgjithshëm në pritje. Dhe 155 vende të impunuara për mjekësi familjare, të cilat shumë lehtë do të mund të ishin vende të stimuluara. Ministër, stimulo e mos impuno”, tha ai.

Në protestë ka marrë pjesë edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, e cila ka thënë se si profesoreshë e Fakultetit të Mjekësisë dhe deputete e ndien obligim që kërkesat e studentëve dhe mjekëve të rinj t’i adresojë edhe në institucione.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë të dielën, në orën 10:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Aty, sipas njoftimit, do të vendosen tavolina ku profesionistët shëndetësorë do të ofrojnë shërbime simbolike për qytetarët. /EO