Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shpresë e madhe për një bar kundër kancerit të pankreasit, gjatë një prove klinike tumoret u zhdukën

kanceri i pankresait

Ekspertët e kanë cilësuar si përparimin më të madh në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekada, një pilulë e cila merret çdo ditë dhe që duket se e zvogëlon, e në disa pacientë mund edhe të zhdukë plotësisht tumoret, te një prej formave më vdekjeprurëse dhe më të vështira për t'u trajtuar të kancerit.

Kanceri u bë i padukshëm në skanimet mjekësore te një në 12 pacientë që morën ilaçin daraxonrasib, së bashku me kimioterapinë, gjatë fazave të hershme të provave klinike.

Tumoret ndaluan së rrituri te pothuajse të gjithë 61 pjesëmarrësit, të cilët sapo ishin diagnostikuar me kancer të avancuar të pankreasit, që ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.

Megjithatë, mjekët theksojnë se ende nuk dihet se për sa kohë trajtimi mund ta mbajë nën kontroll sëmundjen dhe se ai nuk duhet konsideruar si një kurë.

Jashtëzakonisht emocionuese

Organizata “Cancer Research UK” e cilësoi këtë rezultat si “përparimin më të madh në dekada” për pacientët me kancer të pankreasit.

Doktori Sam Godfrey, nga kjo organizatë tha për BBC News se rezultatet janë jashtëzakonisht emocionuese.

“Ky ilaç i ri ka arritur të gjejë një mënyrë për të trajtuar atë që deri më tani konsiderohej e pamundur për t'u trajtuar me barna. Më në fund po shohim përparim në trajtimin e kancerit të pankreasit, një përparim që është dashur të vinte shumë më parë”, ka theksuar Godfrey.

Kanceri i pankreasit njihet si një nga format më të vështira për t’u trajtuar dhe ka shkallën më të ulët të mbijetesës nga të gjitha format e zakonshme të kancerit në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe pse kimioterapia mund t'i zvogëlojë disi tumoret, kanceri shpesh fillon të rritet përsëri.

Shumica e pacientëve me sëmundje të avancuar jetojnë vetëm me muaj, e jo me vite.

Mjekët shpresojnë se trajtimi i ri mund t'u ofrojë pacientëve më shumë kohë për të jetuar, edhe nëse nuk arrin ta ndalojë përgjithmonë sëmundjen.

Studimi i ndoqi pacientët për një periudhë mesatare prej një viti e gjysmë dhe disa prej tyre nuk patën rikthim të kancerit gjatë kësaj kohe.

Por nevojiten studime më të gjata për të kuptuar nëse disa prej këtyre rasteve mund të arrijnë remisionin (zhdukjen e shenjave të sëmundjes) dhe sa mund të zgjasë kjo gjendje.

Rezultatet e studimit të fazës së parë dhe të dytë 

Te 90% e pacientëve tumoret ndaluan së rrituri;

Pak më shumë se 60% e pacientëve patën zvogëlim ose zhdukje të tumoreve;

Te rreth 8% e pacientëve, ose një në 12, tumoret u bënë të padukshme në skanimet CT;

Mbijetesë më e gjatë

Doktori Wungki Park, nga Qendra e Kancerit Memorial Sloan Kettering në SHBA, i cili është i përfshirë në këtë studim, tha se rezultatet e deritanishme janë jashtëzakonisht inkurajuese.

“Po fillojmë të shohim jo vetëm një përqindje më të lartë të reagimit të tumoreve ndaj trajtimit, por edhe rezultate më të thella dhe pothuajse dyfishim të kohëzgjatjes së kontrollit të sëmundjes, gjë që përfundimisht mund të përkthehet në mbijetesë më të gjatë”, tha ai.

Daraxonrasib është një ilaç që vepron duke bllokuar disa mutacione të caktuara, të njohura si RAS, të cilat gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe që nxisin rritjen e tumoreve.

Dhjetëra lloje të tjera të kancerit, përfshirë kancerin e mushkërive dhe atë të vezoreve, mund të kenë mutacione të ngjashme. Kjo do të thotë se ilaçi mund të ndihmojë edhe shumë pacientë të tjerë.

“Shpresoj që suksesi i hershëm që po fillojmë të shohim në trajtimin e kancerit të pankreasit të mund të shtrihet edhe në format e tjera të kancerit”, ka theksuar Godfrey.

Ai ka thënë se nevojiten prova më të gjata klinike dhe rezultate të mëtejshme.

“Kanceri mund të rikthehet dhe, edhe nëse skanimet nuk tregojnë asnjë shenjë të tij, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeni shëruar plotësisht, derisa të kalojë më shumë kohë”.

Profesoresha Elena Garralda, kryetare e simpoziumit evropian për kancerin ka thënë se këto rezultate janë emocionuese, sepse sipas saj tregojnë se trajtimi i kombinuar potencialisht mund të përmirësojë ndjeshëm mbijetesën e përgjithshme të pacientëve, si dhe të zgjasë periudhën para se tumoret të fillojnë të rriten përsëri.

Sa i përhapur është kanceri i pankreasit?

Kanceri i pankreasit përbën rreth 3% të të gjitha rasteve të kancerit në Shtetet e Bashkuara dhe konsiderohet shkaktar për rreth 8% të të gjitha vdekjeve nga kanceri. Ai shkakton rreth 53 mijë vdekje në vit.

Në Britani, sipas organizatës “Cancer Research UK”, çdo vit me këtë sëmundje diagnostikohen rreth 11.500 persona dhe rreth 10.200 persona humbin jetën prej saj.

Aktori Alan Rickman ndërroi jetë nga kjo sëmundje në vitin 2016, vetëm pesë muaj pas diagnostikimit.

Cilat janë simptomat?

Simptomat e kancerit të pankreasit mund të përfshijnë:

Verdhëzën (zverdhjen e lëkurës dhe të syve);

Kruarjen e lëkurës;

Urinën me ngjyrë më të errët;

Jashtëqitjen me ngjyrë më të çelët;

Humbjen e pashpjegueshme të peshës;

Lodhjen;

Temperaturën e lartë;

Rezultatet e studimit janë premtuese, por mjekët theksuar se bëhet fjalë për një studim në fazat e hershme dhe se zhdukja e tumorit në skanime nuk nënkupton domosdoshmërisht shërim të plotë nga kanceri.