Ylli i filmave “Twilight” dhe “Batman”, Robert Pattinson, raportohet se ka negociuar një marrëveshje për tre filma me studion “Amazon MGM”, në vend që të angazhohej për katër filma, mes planeve për një epokë të re të agjentit 007, nën regjinë e Denis Villeneuve.
Pattinson thuhet se ka negociuar një kontratë më të kufizuar për rolin e James Bond, sesa ajo që producentët kishin dëshiruar fillimisht.
Të hënën u konfirmuar se aktori britanik, 40 vjeç, do të jetë James Bondi i ri, duke pasuar aktorin Daniel Craig, 58 vjeç, pas një ndërprerjeje pesëvjeçare të serisë së filmave.
Sipas gazetës Daily Mail, Pattinson ka arritur të negociojë pjesëmarrjen në tre filma, në vend të katër filmave që producentët kishin kërkuar fillimisht. Thuhet se përfaqësuesit e tij kanë negociuar për këtë angazhim më të shkurtër.
“Amazon MGM Studios” dhe Robert Pattinson nuk i kanë konfirmuar publikisht kushtet e kontratës së tij.
“Robert refuzoi të nënshkruante kontratë për katër filma – një kusht me të cilin kishin rënë dakord kandidatët e tjerë për rolin e Bondit. Ai e nënshkroi kontratën vetëm pasi numri i filmave u reduktua në tre”, raportoi Daily Mail, shkruan Femalefist.
“Kjo ka ngritur shqetësime se klauzola që i lejon të largohet më herët mund të jetë një shenjë se ai tashmë po mendon të heqë dorë nga roli i tij i ri, pavarësisht se e ka cilësuar atë si ‘nderin më të madh të jetës së tij’”, shkruan kjo media.
Kur Pattinson u zgjodh për këtë rol deklaroi se Bond është një nga personazhet më legjendare në historinë e kinemasë dhe se besimi për të interpretuar agjentin 007 është nderi më i madh që i është bërë në jetë.
“Jam thellësisht mirënjohës ndaj Denis, Amy, David, Tanya dhe të gjithë ekipit të Amazon MGM Studios për besimin që më kanë dhënë. Të them se ky rol është një ëndërr e bërë realitet është shumë pak”, ka shkruar ai.
Filmi i ardhshëm i James Bond do të drejtohet nga Denis Villeneuve, 59 vjeç, ndërsa skenari do të shkruhet nga Steven Knight, 67 vjeç, krijuesi i serialit “Peaky Blinders”.
Producentë të filmit do të jenë Amy Pascal, 68 vjeç, dhe David Heyman, 65 vjeç, ndërsa Tanya Lapointe do të shërbejë si producente ekzekutive.
Ky film do të shënojë fillimin e një epoke të re për serinë, pasi “Amazon MGM Studios” mori kontrollin krijues nga drejtuesit e saj të mëparshëm, Barbara Broccoli, 66 vjeç, dhe Michael G. Wilson, 84 vjeç, në vitin 2025.
Përzgjedhja e Pattinsonit shënon gjithashtu një ndryshim nga tradita e gjatë e filmave James Bond, të cilët zakonisht kanë preferuar aktorë që nuk ishin ende yje të afirmuar ndërkombëtarë në momentin kur merrnin këtë rol.
Përzgjedhja e tij në këtë rol nxiti gjithashtu diskutime rreth përgatitjes së tij fizike, veçanërisht pasi ai kishte bërë komente që sugjeronin se nuk kishte ndjekur një regjim tradicional stërvitjeje për një film të tillë.
Aktualisht, Patinson është duke punuar në filmin “The Batman Part II”, ndërsa xhirimet e filmit të tij të parë si James Bond pritet të nisin në vitin 2027, megjithëse ende nuk është bërë e ditur data zyrtare e publikimit.