Botë

Rënia e Rusisë në “Rrjetën e Merimangës”

Bombardues rus

Foto: Associated Press

I quajtur operacioni “Rrjeta e Merimangës”, misioni – i mbikëqyrur në fshehtësi nga vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky – përdori qindra dronë sulmues (FPV), që ishin kontrabanduar brenda në Rusi, të fshehur në kontejnerë druri. Sulmet shkatërruese që ndodhën të dielën, u dokumentuan nga video të postuara nga blogerë ushtarakë pro-Kremlin, që shfaqnin avionë të përfshirë nga zjarri në vende të shumta, përfshirë edhe thellë në Siberi mbi 4.000 kilometra larg nga vijat e frontit në Ukrainë.

Një sulm i befasishëm ukrainas me dronë që shënjestroi disa baza ajrore në Rusi, të cilat po mbanin avionë strategjikë me kapacitete bërthamore, ishte i pashembullt për nga shkalla dhe mënyra e ekzekutimit, duke shkuar përtej 4,000 kilometrave të vijës së frontit e deri në Siberi. 

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se rreth 40 avionë, apo një e treta e flotës strategjike të Rusisë, ishin dëmtuar apo shkatërruar të dielën, ndonëse Moska zyrtare e demantoi këtë duke thënë se vetëm disa prej tyre u goditën. Njoftimet kundërthënëse nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur, teksa videot e sulmit që u postuan nëpër rrjete sociale treguan për vetëm disa avionë të goditur.

Megjithatë operacioni i guximshëm, i emëruar “Rrjeta e Merimangës”, demonstron kapacitetet e Ukrainës për të goditur shënjestra shumë të rëndësishme gjithkund në Rusi, që në vetvete përbën moment turpërues për Kremlinin dhe i shkakton humbje të konsiderueshme makinerisë së tij luftarake.
Përderisa disa blogerë rusë të luftës e krahasuan sulmin e së dielës me një tjetër befasi famëkeqe – sulmin e Japonisë mbi bazën ushtarake amerikane Pearl Harbor në vitin 1941 – të tjerë e kundërshtuan këtë lloj analogjie, teksa argumentuan se dëmi i vërtetë ishte më i vogël sesa Ukraina pretendonte.

Bombarduesit rusë si aset

Për dekada, avionët me rreze të gjatë veprimi kanë qenë pjesë e triadës nukleare të Bashkimit Sovjetik dhe të Rusisë, përfshirë gjithashtu raketa balistike ndërkontinentale me bazë në tokë dhe nëndetëse me energji atomike që bartin raketa balistike ndërkontinentale. Avionët strategjikë kanë fluturuar rregullisht nëpër katër anët e globit, duke reflektuar fuqinë bërthamore të Moskës.

Gjatë luftës trevjeçare në Ukrainë, Rusia ka përdorur avionët për të lëshuar valë të tëra sulmesh me raketa në të gjithë vendin.

Modeli “Tupolev Tu-95”, i koduar nga NATO-ja me emrin “Bear”, është avion me katër motorë, i cili u projektua në vitet 1950 për ta rivalizuar bombarduesin amerikan B-52. Avioni ka rreze ndërkontinentale dhe ka aftësi të mbajë tetë raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi që mund të pajisen edhe me koka nukleare.

Para sulmit të së dielës është hamendësuar se Rusia ka një flotë prej rreth 60 bombarduesve të këtij lloji.

Nga ana tjetër, modeli “Tupolev Tu-22M” është një bombardues supersonik me dy motorë i projektuar që në vitet e '70, të cilin NATO-ja e quan me emrin e koduar “Backfire”. Si i tillë, ka rreze më të shkurtër veprimi në krahasim me “Tu-95”, edhe pse gjatë bisedimeve SHBA-Bashkim Sovjetik për kontrollin e armëve në vitet 1970, Washingtoni zyrtar këmbënguli që t’i llogariste ato si pjesë të arsenalit strategjik bërthamor sovjetik, për shkak të aftësisë së tyre për të arritur SHBA-në nëse furnizoheshin me karburant gjatë fluturimit.

VIDEO:

Versioni më i fundit i aeroplanit, “Tu-22M3”, mbart raketa “Kh-22” që fluturojnë me shpejtësi tri herë më të madhe sesa shpejtësia e zërit. Ai daton që nga vitet 1970, kur u projektua nga Bashkimi Sovjetik për të goditur transportuesit e avionëve amerikanë. Ai ka një fuqi të madhe, falë shpejtësisë së tij supersonike dhe aftësisë për të mbajtur 630 kilogramë eksplozivë, mirëpo sistemi i tij i vjetruar i drejtimit mund ta bënte atë shumë të pasaktë kundër objektivave tokësore, duke rritur mundësinë e dëmeve. 

Disa “Tu-22M” u humbën në sulmet e mëparshme ukrainase, ndërsa vlerësohet se Rusia kishte rreth 50 deri në 60 bombardues të këtij lloji në shërbim, para sulmit me dronë të së dielës.

Prodhimi i modeleve “Tu-95” dhe “Tu-22M” përfundoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, që do të thotë se asnjëri nga avionët e këtillë që u dëmtuan apo shkatërruan disa ditë më parë nuk mund të zëvendësohet.

Rusia gjithashtu ka një lloj tjetër bombarduesi strategjik të aftë për të mbajtur armë bërthamore, i njohur si “Tu-160” supersonik. Më pak se 20 prej tyre janë aktualisht në shërbim, teksa Rusia sapo ka filluar prodhimin e versionit të tij të modernizuar, i pajisur me motorë të rinj.

“Rusia humbi një pjesë të konsiderueshme të flotës së saj të bombarduesve gjatë sulmit pa ndonjë aftësi të menjëhershme për ta zëvendësuar”, ka deklaruar Douglas Barrie nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tek ka theksuar se plani i shpallur nga Moska për të zhvilluar gjeneratën e ardhshme të bombarduesve strategjikë është ende në fazat e hershme.

“Ironikisht, kjo mund t’i japë shtysë atij programi, sepse nëse dëshiron të mbash flotën e bombarduesve në madhësinë e duhur, atëherë do të duhet të veprosh”, ka thënë ai.

Modeli A-50, për të cilin zyrtarët ukrainas gjithashtu thanë se u godit gjatë sulmeve, është një avion i ngjashëm me avionët “AWACS” të SHBA-së, që përdoren për të koordinuar sulmet ajrore. Vetëm disa avionë të tillë janë në shërbim në ushtrinë ruse, dhe çdo humbje e tyre dëmton rëndë aftësinë ushtarake të Rusisë.

Zhvendosja e bombarduesve dhe masat e improvizuara të mbrojtjes

Sulmet e përsëritura të Ukrainës ndaj bazës ajrore “Engels”, njëkohësisht baza kryesore për bombarduesit strategjikë rusë të aftë për të mbajtur armë bërthamore pranë qytetit Saratov në lumin Volga, e detyruan Moskën të zhvendosë bombarduesit në baza të tjera sa më larg nga vijat e frontit.
Një prej tyre ishte Olenya, në Gadishullin e Kolas në Arktik, nga ku avionët “Tu-95” kanë kryer disa misione për të lëshuar raketa drejt Ukrainës. Sipas analistëve që kanë studiuar imazhet satelitore para dhe pas sulmit, disa bombardues në Olenya duket se u goditën nga dronët ukrainas të dielën.
Sipas analistëve, dronë të tjerë synuan bazën ajrore Belaya në rajonin e Irkutskut në Siberinë lindore, duke shkatërruar disa bombardues “Tu-22M”, 

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se 41 avionë — “Tu-95”, “Tu-22M” dhe “A-50” — u dëmtuan ose u shkatërruan në sulmin që thuhet se ishte përgatitur për afro 18 muaj, gjatë të cilit grupe dronësh dolën nga kontejnerë të transportuar me kamionë të parkuar pranë katër bazave ajrore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është informuar tashmë për sulmin, i cili sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes që foli në kushte anonimiteti, përfaqësoi një nivel të lartë organizimi që nuk ishte paraparë e as imagjinuar në Washington.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se sulmi u vuri zjarr disa avionëve luftarakë në bazat ajrore në rajonin Irkutsk dhe në rajonin Murmansk në veri, mirëpo sipas tyre zjarret u shuan.

Në njoftim është pretenduar gjithashtu se Ukraina u përpoq të godiste dy baza ajrore në Rusinë perëndimore, si dhe një tjetër në rajonin Amur në Lindjen e Largët të Rusisë, por ato sulme u zmbrapsën.

Sulmet me dronë shkaktuan zemërim te blogerët ushtarakë rusë, të cilët kritikuan Ministrinë e Mbrojtjes sa i përket dështimit për të nxjerrë mësime nga sulmet e mëparshme dhe për paaftësinë që të mbrojë bombarduesit.

Ndërtimi i strehëve ose hangarëve për avionë kaq të mëdhenj është një detyrë e vështirë, dhe ushtria ka provuar disa zgjidhje të improvizuara që janë kritikuar si “fasadë”.

Imazhet satelitore kanë treguar për disa bombardues “Tu-95” të lokalizuar nëpër baza të ndryshme ajrore të mbuluar me shtresa gomash të vjetra — veprim që ka ngjallur tallje dhe kritika në rrjetet sociale.