“Një vit, gjashtë muaj e nëntë ditë nga fillimi i planifikimit deri në ekzekutimin efikas. Operacioni ynë më afatgjatë. Njerëzit tanë të përfshirë në përgatitjen e operacionit u tërhoqën nga territori rus me kohë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Një sulm ukrainas me dron ka shkatërruar më shumë se 40 avionë ushtarakë rusë thellë në territorin e Rusisë, ka njoftuar të dielën Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, ndërsa Moska ka goditur Ukrainën me raketa dhe dronë vetëm pak orë para se të hënën të mbahet rundi i radhës i bisedimeve për paqe në Stamboll, transmeton agjencia “AP”.
Një zyrtar ushtarak, që foli në kushte anonimiteti, tha se sulmi i shkallës së gjerë u përgatit për një vit e gjysmë dhe u mbikëqyr personalisht nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Edhe Zelensky vet, në një fjalim të dielën mbrëma, e konfirmoi se operacioni u përgatit afro një vit e gjysmë.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha se u përdorën 117 dronë dhe se baza operacionale ishte në një zyrë pranë selisë lokale të Shërbimit Federal Rus të Sigurisë (FSB). FSB është shërbimi rus i inteligjencës dhe sigurisë.
Ai ka thënë se operacioni ka pasur rezultat të shkëlqyer dhe është e arritur vetëm e Ukrainës.
“Një vit, gjashtë muaj e nëntë ditë nga fillimi i planifikimit deri në ekzekutimin efikas. Operacioni ynë më afatgjatë. Njerëzit tanë të përfshirë në përgatitjen e operacionit u tërhoqën nga territori rus me kohë”, ka thënë Zelensky.
Zelensky tha se u takua me kreun e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), gjeneralin Vasyl Malikun, dhe i kërkoi t'i zbulonte detajet dhe rezultatet e operacionit për publikun.
“Sigurisht jo çdo gjë mund të bëhet publike këtë moment, por këto janë veprime ukrainase që padyshim do të jenë në librat e historisë”, ka thënë Zelensky. “Ukraina po mbron veten dhe me të drejtë – ne po bëjmë gjithçka që Rusia të ndiejë nevojën për t’i dhënë fund kësaj lufte. Rusia e filloi këtë luftë, Rusia duhet ta përfundojë atë. Lavdi Ukrainës!”.
Burimi ushtarak tha se ishte operacion “shumë kompleks” që përfshinte kontrabandën e dronëve për në Rusi, e më pas ata u vendosën në shtëpi mobile prej druri.
“Më vonë, dronët u fshehën nën çatitë e këtyre shtëpive, ndërsa ishin vendosur tashmë në kamionë. Në momentin e duhur, çatitë e shtëpive u hapën nga distanca dhe dronët fluturuan për t’i goditur bombarduesit rusë”, tha burimi.
Pamjet në rrjete sociale tregojnë dronët që ngrihen nga brenda kontejnerëve, ndërsa panele të tjera u hodhën në rrugë. Një klip duket se tregon burra që ngjiten në një kamion në përpjekje për t’i ndaluar dronët.
Shënjestër bombarduesit me rreze të gjatë veprimi
Dronët goditën 41 aeroplanë të dielën në aeroporte ushtarake ruse, duke përfshirë avionë A-50, Tu-95 dhe Tu-22M, tha zyrtari.
Moska më parë ka përdorur bombarduesit me rreze të gjatë veprimi Tupolev Tu-95 dhe Tu-22 për të lëshuar raketa në Ukrainë, ndërsa A-50 përdoren për t’i koordinuar objektivat dhe për t’i zbuluar mbrojtjet ajrore.
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tha se operacioni, të cilin e kodoi me nofkën “Spider Web”, shkatërroi 34 për qind të flotës ruse të transportuesve të raketave ajrore, me dëme që vlerësohen rreth 7 miliardë dollarë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në një deklaratë konfirmoi sulmet, të cilat dëmtuan avionë dhe shkaktuan zjarre në bazat ajrore në rajonin e Irkutskut, mbi 4000 kilometra larg nga Ukraina, si dhe në rajonin e Muramunskut në veri.
Ministria ruse tha se janë sprapsur sulmet në rajonin Amur në pjesën e Rusisë në Lindjen e Largët dhe në rajonet perëndimore të Ivanovos dhe Ryazanit.
Po ashtu të dielën, organi më i lartë hetimor i Rusisë tha se shpërthimet shkaktuan shembjen e dy urave dhe nxorën nga shinat dy trena në Rusinë perëndimore gjatë natës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën shtatë personave dhe lëndimin e dhjetëra të tjerëve.
Zyrtarët rusë, megjithatë nuk thanë se çfarë kishte shkaktuar shpërthimet dhe fjala “shpërthim” më vonë u hoq nga komunikata e Komitetit Hetues.
Sulmi përpara bisedimeve
Sulmi me dron ndodhi në të njëjtën ditë kur Zelensky tha se Ukraina do të dërgojë një delegacion në Stamboll për rundin e radhës të bisedimeve direkt për paqe me Rusinë.
Zelensky tha se do të dërgojë ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov, për ta udhëhequr delegacionin.
“Po bëjmë gjithçka për ta mbrojtur pavarësinë tonë, shtetin tonë dhe popullin tonë”, tha Zelensky.
Zyrtarët ukrainas më herët i kishin bërë thirrje Kremlinit të ofronte një memorandum, që kishte premtuar, për të treguar qëndrimin e tij për fundin e luftës. E kërkuan këtë para rundit të radhës të bisedimeve. Moska ka thënë se do ta ndajë këtë memorandum gjatë bisedimeve.
Sulmet ruse godasin një njësi ushtarake në Ukrainë
Rusia të dielën lëshoi numrin më të madh të dronëve – 472 sosh – në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të shkallës së plotë në shkurt të vitit 2022, ka thënë forca ajrore e Ukrainës.
Kreu i komunikimit i forca ajrore tha se forcat ruse lëshuan shtatë raketa dhe po ashtu qindra dronë. Ushtria e Ukrainës tha se janë vrarë së paku 12 ushtarë ukrainas dhe më shumë se 60 janë plagosur kur një sulm me raketa goditi një njësi stërvitore të ushtrisë.
Komandanti i Ushtrisë ukrainase, Mykhailo Drapatyi, më vonë të dielën dorëzoi dorëheqjen e tij pas sulmit.
Qendra stërvitore ishte vendosur prapa vijës aktive të frontit të gjatë 1000 kilometra, ku janë në gjendje të godasin dronët rusë. Forca ukrainase janë në mungesë të trupave dhe marrin masa shtesë për t’i evituar grumbullimet.