Ukraina lëshoi qindra dronë në të gjithë Rusinë të dielën, duke vrarë të paktën gjashtë persona në një nga sulmet më të mëdha ajrore të Kievit që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, raporton agjencia "AP".
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte shkatërruar 822 dronë ukrainas gjatë natës. Rreth 600 dronë u zbuluan duke u drejtuar drejt kryeqytetit rus, Moskës, tha kryebashkiaku i kryeqendrës ruse Sergei Sobyanin, ndërsa një e treta e tyre u shkatërruan mbi rajonin e Moskës.
Një burrë 83-vjeçar u vra pasi një dron ukrainas goditi një shtëpi private në rajonin e Moskës, tha guvernatori lokal Andrey Vorobyov. Ai konfirmoi gjithashtu se një sulm ukrainas kishte shkaktuar një zjarr në një magazinë në pronësi të gjigantit rus të shitjeve me pakicë Wildberries në qytetin e Podolskut, ku pamjet e shpërndara nga mediat ruse tregonin zjarr masiv e tym të madh.
Një sulm me dronë goditi tre qytete në rajonin jugperëndimor rus të Rostovit, duke vrarë pesë persona, tha guvernatori lokal Yury Slyusar. Sulmi, me më shumë se 150 dronë, dëmtoi disa shtëpi dhe një stacion hekurudhor dhe shkaktoi një zjarr pyjor.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha në një postim në Telegram se goditi fabrikën “Kamensky” në rajonin e Rostovit, në perëndim të Rusisë.
Edhe
Ukraina sulmon Moskën me qindra dronë, mbyllen dy aeroporte
E përshkroi atë si “një objekt të rëndësishëm të industrisë ushtarake të armikut”, i cili “përdoret drejtpërdrejt për të përmbushur nevojat e forcave të armatosura ruse”.
Më herët, Ukraina tha se gjatë natës së së shtunës kishte goditur disa “objektiva ushtarake me vlerë të lartë”.
Ukraina ka shtuar sulmet e saja ndaj Rusisë këtë vit, me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe tufa dronësh që po synojnë gjithnjë e më shumë industritë ushtarake dhe objektet energjetike. Ajo gjithashtu ka goditur gjithnjë e më shpesh magazinat gjigante të Wildberries, duke djegur mallra me vlerë miliarda dollarë dhe duke e sjellë luftën në shtëpitë e publikut rus, gati 4 vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
E një sulm me raketa ruse në Kryvyi Rih të Ukrainës vrau dy persona dhe plagosi 14 të tjerë, shkroi në rrjetet sociale të dielën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai tha gjithashtu se një person tjetër ishte vrarë në qytetin e Sumyt.
Edhe
Tensione të larta në kufirin izraelito-libanez pas vrasjes së 11 personave
Ndërkohë, një sulm rus në Kiev shkaktoi zjarre në të gjithë kryeqytetin ukrainas dhe plagosi gjashtë persona.
“Ku do që rusët mund të arrijnë me raketat e tyre balistike, ata godasin infrastrukturën civile,” tha Zelensky. “Që nga mëngjesi, alarmet e sulmeve ajrore kanë vazhduar në shumë rajone – rusët lëshuan një valë tjetër dronësh”.