Brajan Grudës i janë dashur vetëm dy ndeshje për t’u shndërruar në yll të madh të përfaqësueses së Gjermanisë. Ai debutoi me gol më 13 nëntor, në fitoren 3:1 ndaj Serbisë. Startoi dhe luajti 86 minuta.
Edhe më i mahnitshëm ishte të hënën mbrëma. Shkëlqeu në fitoren brilante, 5:0, të Gjermanisë ndaj Holandës. Ndeshja u luajt në Berlin para 74 mijë e 667 shikuesve. Gjermanisë i është dashur fitore 5:0 për ta fituar grupin në Ligën A të Ligës së Kombeve. Dhe pikërisht këtë fitore e arriti, ndonëse përzgjedhësi Jurgen Klopp u tall për mundësinë që të arrihet një rezultat i tillë.
Kloppi sërish ia dha rastin Grudës nga fillimi. Dhe shqiptari shkëlqeu. Dy asistime të shkëlqyera dhe gol për 5:0. Ai mori duartrokitjet e shikuesve kur la fushën në minutën e 82-të dhe një përqafim të gjatë e pasionant nga Kloppi.
22-vjeçari po luan te RB Leipzigu, i huazuar nga Brightoni. Por nëse vazhdon me paraqitje si ajo në Berlin, do të jetë çështje kohe para se të bashkohet me ndonjë top-klub evropian.
Te Gjermania ai po paraqitet në krahun e djathtë të sulmit, ndonëse luan me këmbën e majtë. FIFA ka shkruar për mjeshtëri të jashtëzakonshme të Grudës te asistimi për Florian Wirtzin. Sipas FIFA-s, aq mbresëlënës ishte Gruda sa duket që e ka siguruar tashmë vendin në sulmin e Gjermanisë.
Kloppi është pyetur për dy yjet në ngjitje të Gjermanisë, Grudën dhe Derry Scherhant.
“Tash i kemi këta të dy”, tha selektori gjerman. “Të dy vërtet dinë të luajnë, o Zot! Por puna që bëjnë ata, dhe që u desh të bënin sot, është tejet e mundimshme. Kjo e krijon një ekip. Edhe të tjerët dinë të luajnë, por ajo që ka vërtet rëndësi është pasioni dhe përkushtimi që shfaqni”, ka shtuar Klopp.
Gjitha mediat e mëdha gjermane kanë shkruar për shkëlqimin e Grudës në vetëm paraqitjen e dytë të Gjermanisë.
“Gruda, Wirtz, Scherhant impresionojnë”, është titulli i shkrimit të “Sportschau” në të cilin analizohet paraqitja individuale e lojtarëve. Asistimin e shqiptarit për Wirtzin ky medium e ka cilësuar si një prej më të shkëlqyeshmeve të Gjermanisë në vjetet e fundit.
“Gjermania fluturon me krahë të vërtetë”, është titulli i një shkrimi tjetër për Scherhantin dhe Grudën, në këtë medium.
Gjermania ka pasur periudhë të vështirë për shumë vjet, ndërsa Kloppi i famshëm u angazhua për të kthyer përfaqësuesen në rrugën e suksesit. Ai ka bërë eksperimente të shumta. Disa rezultate ishin dëshpëruese, por tani duket se ka gjetur lojën. Edhe lojtarët e duhur po ashtu. Dhe Gruda përfundimisht është një prej tyre.
Holanda e pësoi humbjen më të thellë që nga viti 1959. Humbja 5:0 erdhi vetëm tri ditë pasi Holanda shkatërroi 7:0 Greqinë.