Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pesticidet në fermat e Kenias: Punëtorët sëmuren, kompanitë përballen me padi

Pesticide - Kenia - storia

Punëtorët e fermave të luleve në Kenia po përballen me probleme të rënda shëndetësore, ndërsa familjarët dhe aktivistët fajësojnë pesticidet e rrezikshme që përdoren në bujqësi. Një padi kundër qeverisë dhe kompanive që prodhojnë pesticidet synon të vë në pikëpyetje sigurinë e këtyre produkteve dhe mungesën e mbrojtjes për punëtorët

Kur Reuben Muriki humbi ndjenjat teksa po kryente një punë në oborrin e shtëpisë së tij, pranë qytetit Timau në Kenian qendrore, filloi një varg problemesh gjithnjë e më të rënda shëndetësore.

Nyjat iu ënjtën, lëkura iu ndryshua dhe filloi të kishte vështirësi në frymëmarrje. Ai u shtrua disa herë në spital dhe u detyrua të largohej nga puna si spërkatës i pesticideve në një fermë lulesh. Mjekët e trajtuan për tuberkuloz të dyshuar, por pa sukses.

“Shpesh rrëzohej dhe humbiste plotësisht vetëdijen”, tha nëna e tij, Margaret Mwanjaro, në shtëpinë e tyre në fshatin Mukuri.

Sot, në moshën 30-vjeçare, Muriki nuk mund të ecë pa ndihmë. Ai flet në mënyrë të pakuptueshme dhe harron shpejt gjërat.

Nëna e tij, e cila kujdeset për të gjatë gjithë kohës, beson se gjendja e të birit është pasojë e helmimit nga pesticidet që ai përdorte në fermën e luleve.

Edhe Kërcënimi i punonjësve shëndetësorë në Kongo për ta braktisur reagimin ndaj Ebolës Botë Kërcënimi i punonjësve shëndetësorë në Kongo për ta braktisur reagimin ndaj Ebolës

Qyteti i vogël i Timaut, me rreth 10 mijë banorë, prej dekadash është qendër e kompanive të hortikulturës, të cilat punësojnë mijëra banorë të zonës. Shumë prej tyre janë sëmurë ndër vite, ndërsa disa kanë vdekur në moshë të re. Familjarët e tyre fajësojnë pesticidet.

Muriki është një nga 87 personat që kërkojnë t’i bashkohen një padie në gjykatë kundër qeverisë së Kenias dhe kompanive agro-kimike. Padia kundërshton shitjen e pesticideve me rrezikshmëri të lartë.
Përdorimi i pesticideve në Kenia ka arritur nivele rekord, pasi fermerët synojnë të rrisin prodhimin dhe cilësinë e produkteve për tregun vendas dhe atë të eksportit. Por vitet e fundit janë shtuar shqetësimet për përdorimin e kimikateve që paraqesin rreziqe serioze për shëndetin dhe mjedisin. Disa prej tyre janë të ndaluara në Bashkimin Evropian.

Dy agjenci të Kombeve të Bashkuara, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë paralajmëruar se pesticidet me rrezikshmëri të lartë mund të shkaktojnë pasoja të rënda, afatshkurtra ose afatgjata, për shëndetin dhe mjedisin.

Përbërësit vdekjeprurës

Me anë të padisë pesë kompani agro-kimike, “Monsanto”, “Syngenta”, “Bayer”, “BASF” dhe kompaninë “Twiga Chemical Industries” me seli në Nairobi, akuzohen se shesin në Kenia pesticide që përmbajnë përbërës aktivë vdekjeprurës.

Padia u paraqit në vitin 2022 nga organizata joqeveritare “African Centre for Corrective and Preventive Action” dhe avokati për çështje mjedisore dhe të të drejtave të njeriut, Kelvin Kubai.

Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata u dha leje paditësve të publikonin një njoftim për të ftuar personat që pretendojnë se janë dëmtuar nga 11 përbërës të pesticideve, t’i bashkohen procesit. Kjo do të mundësonte që çështja të trajtohej si padi kolektive. Gjykata pritet të vendosë në fillim të vitit të ardhshëm nëse do t’i përfshijë ata në proces.

“Këta janë njerëz të lënë pas dore nga qeveria jonë dhe nga kompanitë që prodhojnë e shesin këto produkte. Fermerët kenianë, ashtu si ata amerikanë dhe evropianë, meritojnë të mbrohen”, tha Kubai, i cili është nga Timau.

Personat që iu përgjigjën thirrjes kishin përjetuar simptoma që lidhen me ekspozimin ndaj pesticideve. Mes tyre kishte probleme me lëkurën, stomakun dhe kraharorin, marramendje, si dhe sëmundjen e Parkinsonit, e cila dëmton gradualisht qelizat nervore në tru.

Shkencëtarët e angazhuar nga paditësit analizuan mostrat e 87 personave për praninë e paraquatit, një kimikat shumë toksik që përdoret si herbicid dhe që është lidhur me sëmundjen e Parkinsonit, si dhe të glifosatit, një herbicid i lidhur me kancerin.

Sipas avokatit Kubai, analizat treguan se të 87 personat kishin nivele të të dy kimikateve mbi kufijtë e lejuar.

Në rastin e Murikit, niveli i paraquatit në mostrën e urinës ishte gati 200 herë më i lartë se kufiri i referencës, ndërsa ai i glifosatit 48 herë më i lartë.

“Nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë shkak tjetër për gjendjen e Murikit, përveç niveleve të paraquatit dhe glifosatit në organizmin e tij”, tha profesori i patologjisë, Zakayo Thaimuta, i cili punoi me paditësit.

Ai shtoi se të 87 personat kishin të paktën tri probleme serioze shëndetësore. Më të shpeshtat ishin sëmundja e Parkinsonit, inflamacioni i fytit dhe fibroza pulmonare, një sëmundje që dëmton mushkëritë.

Edhe hulumtimet kanë evidentuar përdorim të gjerë të pesticideve me rrezikshmëri të lartë në Kenia.

Një raport i publikuar në prill nga organizata “Greenpeace” zbuloi se 48 nga 141 përbërësit aktivë të pesticideve të regjistruara në vend vitin e kaluar klasifikoheshin si shumë të rrezikshëm.

Ashtu si i biri, edhe Mwanjaro kishte punuar në një fermë hortikulture për pesë vjet, deri në vitin 2017. Ajo merrej me pastrimin e barërave të këqija dhe mbledhjen e trëndafilave e luleve të tjera në sera. Edhe ajo filloi të kishte probleme shëndetësore.

Ajo tregoi se e niste punën herët në mëngjes, pa pajisje mbrojtëse, vetëm pak orë pasi punëtorët kishin spërkatur lulet me kimikate.

Edhe Ekspozimi ndaj pesticideve lidhet me rrezik më të lartë për sëmundjen e rëndë që prek nervat Lifestyle Ekspozimi ndaj pesticideve lidhet me rrezik më të lartë për sëmundjen e rëndë që prek nervat

“E ndieje erën e kimikateve që të hynte në fyt”, tha ajo.

Katër vjet pasi kishte filluar punën në fermë, u detyrua të largohej pasi në trup iu shfaqën flluska dhe filloi të ndiente dobësi. Sot, ajo vuan edhe nga dëmtimi i thonjve, inflamacioni i lëkurës dhe kolla e vazhdueshme.

Duke iu përgjigjur kërkesës për koment, kompania “Bayer”, e cila bleu “Monsanton” në vitin 2016, deklaroi se të gjitha produktet e saj janë të sigurta për njerëzit dhe mjedisin, nëse përdoren sipas udhëzimeve në etiketë. Kompania shtoi se zbaton të njëjtat standarde sigurie në të gjitha vendet ku operon.

Ndërkaq, një zëdhënës i kompanisë “Syngenta” tha se të gjitha produktet e saj të shitura në Kenia përmbushin standardet rregullatore të vendit. Ai theksoi se kompania garanton sigurinë dhe efektivitetin e tyre kur përdoren sipas udhëzimeve të përcaktuara.

Bordi për Produktet e Kontrollit të Dëmtuesve (PCPB) në Kenia, institucioni që mbikëqyr importin, eksportin dhe përdorimin e pesticideve, nuk pranoi të komentojë, me arsyetimin se çështja është në gjykatë. As kompanitë “BASF” dhe “Twiga Chemical Industries” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

 

Paaftësia për punë

Përreth qytetit Timau shtrihen ferma të mëdha hortikulture, të cilat prej dekadash sigurojnë punësim për mijëra banorë. Megjithatë, shumë punëtorë kanë përfunduar me probleme të rënda shëndetësore.
Një prej tyre është Alice Kagwiria, e cila për 11 vjet punoi në sera pa doreza, duke mbledhur perime të spërkatura me pesticide. Në vitin 2013, ajo filloi të kishte dhimbje të forta në qafë dhe shpinë, ndërsa dora iu mpi. Më vonë u largua nga puna. Sot çalon gjatë ecjes dhe ka probleme me lëkurën, sytë dhe stomakun.

Edhe Stephen Muriungi, i cili punoi për dy vjet e gjysmë si spërkatës pesticidesh në një fermë lulesh, përfundoi me pasoja të rënda. Në vitin 2018, filloi të kishte dhimbje të forta koke, ndërsa më vonë iu dobësuan këmbët dhe humbi aftësinë për të ecur. Sot ka vështirësi në lëvizje dhe në përdorimin e duarve, ndaj varet nga kujdesi i familjes.

Përdorimi i pesticideve me rrezikshmëri të lartë në Kenia ka nxitur reagime të shumta. Aktivistët dhe ekspertët kërkojnë ndalimin e tyre dhe përdorimin e alternativave më të sigurta.

Avokati Kelvin Kubai thotë se ndërhyrja është urgjente, pasi sistemi shëndetësor nuk ka kapacitet t’u ofrojë kujdes të plotë personave të prekur. Ai thekson se mbrojtja dhe parandalimi duhet të jenë përparësi.

Edhe studiuesit paralajmërojnë për pasojat. Millicent Kanario, eksperte e sigurisë ushqimore, thotë se disa pesticide qëndrojnë për vite në mjedis dhe dëmtojnë shëndetin e njerëzve dhe biodiversitetin. Ajo kërkon informim më të mirë të përdoruesve dhe kontroll më të rreptë nga qeveria.

Shqetësimet po shtohen edhe për numrin e rasteve me kancer. Doktori Stephen Chege, drejtues i qendrës së trajtimit të kancerit në spitalin e Merusë, thotë se vitet e fundit janë rritur rastet me kancer te fermerët dhe punëtorët e fermave të hortikulturës. Ai ka vërejtur më shumë raste me kancer të gjakut dhe të sistemit tretës, megjithëse ende nuk është e qartë nëse kjo lidhet drejtpërdrejt me ekspozimin ndaj pesticideve.

Një studim në Peru, i publikuar në prill, gjeti gjithashtu lidhje të fortë mes ekspozimit ndaj pesticideve dhe rritjes së rrezikut për kancer.

Një tjetër shqetësim është se në Kenia lejohen pesticide që janë të ndaluara në Bashkimin Evropian. Sipas raportit të “Greenpeace”, 47 për qind e përbërësve aktivë të pesticideve të regjistruara në Kenia janë të ndaluara në BE për shkak të rreziqeve për shëndetin dhe mjedisin.

Të dhënat e organizatave “Unearthed” dhe “Public Eye” tregojnë se në vitin 2024, kompanitë evropiane njoftuan eksportin e 474 tonëve pesticide drejt Kenias, pavarësisht zotimit të Komisionit Evropian për t’i dhënë fund kësaj praktike.

Përfaqësues të organizatave për bujqësi organike dhe mbrojtje të mjedisit e cilësojnë këtë politikë si standard të dyfishtë. Ata kërkojnë që Kenia të forcojë ligjet dhe kontrollet për pesticidet.

Ndërkaq, kompania “Bayer” thotë se lejimi i produkteve në disa vende afrikane, por jo në BE, nuk dëshmon se ato janë të pasigurta. Sipas saj, rregullat ndryshojnë në varësi të kushteve bujqësore dhe klimatike të secilit vend. Edhe “Syngenta” deklaron se respekton rregullat e vendeve ku eksporton.
Përdorimi i pesticideve ka sjellë pasoja edhe për eksportet keniane. Produktet bujqësore janë ndaluar gjithnjë e më shpesh në kufijtë evropianë për shkak të përbërësve të ndaluar ose niveleve të larta të kimikateve. Si pasojë, të ardhurat nga eksporti i perimeve ranë me 68 për qind nga viti 2023 deri në vitin 2025.

Edhe Thashetheme të rreme e vrasje reale – Kriza vdekjeprurëse e dezinformimit shëndetësor në Kongo Botë Thashetheme të rreme e vrasje reale – Kriza vdekjeprurëse e dezinformimit shëndetësor në Kongo

Ndërkohë, familjet e prekura në Timau po përballen edhe me vështirësi ekonomike, pasi nuk janë më në gjendje të punojnë.

“Nuk mund të bëj shumë punë. E kam të vështirë të kujdesem për veten dhe djalin. Nuk i përballoj dot dhimbjet”, tha Mwanjaro, duke treguar se prej pesë ditësh nuk kishte para për t’ia blerë të birit barnat e nevojshme.