Thashethemet për një sëmundje të rreme në provincën Tshopo të Kongos u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe komunitete lokale, duke nxitur panik masiv dhe dhunë vdekjeprurëse ndaj punonjësve shëndetësorë. Dezinformimi, që mori hov nga media sociale dhe disa kisha, çoi në të paktën 17 vrasje të lidhura me pretendime të pabazuara. Autoritetet dhe organizatat shëndetësore theksojnë se mosbesimi ndaj sistemit shëndetësor dhe ndikimi i rrjeteve sociale kanë përkeqësuar krizën
Në fund të vitit të kaluar, në nëpër fshatrat e Tshopos, provincë verilindore kongoleze e mbuluar nga pyjet tropikale, u përhapën thashetheme se një sëmundje misterioze kishte shkaktuar atrofi (zvogëlimi ose dobësimi i një organi) të organeve gjenitale te burrat.
Brenda pak ditësh, dëshmi të shumta u shpërndanë në rrjetet sociale, duke e përforcuar këtë kërcënim të sajuar dhe duke nxitur një panik të vërtetë, i cili përfundoi tragjikisht përpara se qeveria të arrinte të reagonte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTurma të zemëruara sulmuan dhe vranë katër punonjës shëndetësorë që po kryenin kërkime për vaksinimin, në një ngjarje që ndodhi në tetor, kanë thënë për Reuters katër zyrtarë dhe një i mbijetuar, duke shënuar një shembull vdekjeprurës të rrezikut në rritje që paraqet dezinformimi shëndetësor online në Afrikë.
Dhuna është përhapur që atëherë edhe në pjesë të tjera të Republikës Demokratike të Kongos.
Sipas Aleancës Afrikane për Reagim ndaj Infodemisë, e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cila monitoron informacionet e rreme shëndetësore, janë raportuar të paktën 17 vrasje të lidhura me thashethemet për atrofinë, përfshirë edhe punonjësit shëndetësorë.
“Në Kongo, dezinformimi çoi realisht në vdekje dhe vrasje”, ka thënë drejtoresha e Aleancës me bazë në Nairobi, Elodie Ho.
“Filloi në komunitete. U përhap në rrjetet sociale dhe mediat lokale. U përforcua nga këta aktorë”, ka shtuar ajo.
Një analizë e bërë për dhjetëra video me dëshmi, njëra prej të cilave u pa qindra mijëra herë, zbuloi se kishat ndihmuan në përhapjen e thashethemeve në Tshopo.
Rol të madh luajtën edhe llogari nga jashtë vendit dhe media lokale.
Në dy prej videove, të verifikuara nga Reuters, pastorë dhe besimtarë në dy kisha në kryeqytetin provincial Kisangani deklaruan se lutja kishte shëruar viktimat e pretenduara.
Për të dokumentuar ngjarjet e tetorit në Tshopo dhe përhapjen e dezinformimit në pjesë të tjera të Afrikës, Reuters ka shqyrtuar studime mjekësore dhe ka folur me të paktën 20 persona, përfshirë zyrtarë lokalë dhe rajonalë, punonjës shëndetësorë dhe ekspertë mjekësorë
Në përgjigje të pyetjeve të Reuters, zëdhënësi i qeverisë së Tshopo-s ka thënë se autoritetet lokale i morën seriozisht thashethemet, duke hetuar pretendimet e pesë viktimave të supozuara, por nuk kanë gjetur asnjë provë se sëmundja ishte reale.
Qeveria ka ndërmarrë masa për të ndëshkuar ata që nxitën panikun. Një gjykatë lokale ka dënuar me 12 muaj burgim një burrë që akuzoi dikë tjetër për përhapjen e sëmundjes, ndërsa dhjetëra persona janë arrestuar, kanë thënë zëdhënësi dhe një zyrtar tjetër lokal.
Mosbesimi i rrënjosur në të kaluarën koloniale
E përhapur në shumë pjesë të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, mungesa e besimit në mjekësinë tradicionale në disa pjesë të Afrikës lidhet pjesërisht me trashëgiminë e periudhës koloniale dhe me provat klinike moderne të kryera nga vendet perëndimore.
Sipas Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të Bashkimit Afrikan (Africa CDC), ky mosbesim përforcohet nga inteligjenca artificiale e lirë dhe përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale. Qasja e pabarabartë në kujdesin shëndetësor, sundimi i dobët i ligjit dhe përdorimi i mediave sociale kontribuojnë në përhapjen e thashethemeve.
Doktori Jean Kaseya, drejtor i përgjithshëm i Africa CDC, ka thënë se informacioni i rremë po i largon njerëzit nga trajtimet që shpëtojnë jetë.
“Kur popullatat nuk u besojnë vaksinave, punonjësve shëndetësorë apo politikave qeveritare, kjo do të thotë se ata nuk marrin shërbime që mund t’i ndihmojnë të mbijetojnë”, ka thënë ai.
Përveç Kongos, sulme ndaj liderëve komunitarë dhe punonjësve shëndetësorë janë regjistruar edhe në Mozambik dhe Malavi, të lidhura me informacione të rreme mbi kolerën.
Një linjë telefonike e menaxhuar nga OBSH-ja, që synon të luftojë dezinformimin shëndetësor dhe të ofrojë këshilla të besueshme, ka parë një rritje të telefonatave nga 3,331 në tremujorin e parë të vitit 2025 në 31,636 në tremujorin e katërt.
Një tjetër projekt i OBSH-së, që monitoron ndërveprimet me komunitetet, ka regjistruar rreth 500 incidente që nga nisja vitin e kaluar, të lidhura me thashetheme, teori konspirative dhe informacione të tjera të rreme.
Kisha dhe “shërimi”
Video të rreme me përmbajtje shëndetësore po përhapen me shpejtësi në Afrikë, ndonjëherë me pasoja vdekjeprurëse.
Doktori Bavon Tangunza, menaxher për aleancën AIRA në Kongo, ka thënë se mori një paralajmërim për sëmundjen e rreme në Tshopo në fillim të tetorit, kur një koleg i raportoi thashethemet që po përhapeshin në provincë.
Shpejt në internet u shfaqën video me dëshmi të viktimave të pretenduara.
Një video tregonte një shofer taksie gjatë një tubimi të krishterë në Tshopo duke rrëfyer se si pastori i kishës “Drita e Botës” në Kisangani, e kishte shëruar përmes lutjes.
Shoferi nuk kishte paraqitur asnjë provë dhe Reuters nuk ka arritur ta identifikojë me emër. Agjencia nuk ka mundur të përcaktonte kush e kishte filmuar videon, e cila mbante logon e kishës. E postuar në TikTok nga një punonjës i njohur i kishës, ajo u pa dhe u shpërnda gjerësisht.
Në faqen e Facebook-ut të Boyoma Revolution, një faqe lajmesh online me adresë në Marsejë të Francës, videoja është parë më shumë se 300,000 herë.
Mulindwa, i cili e quan veten profet dhe ka mbi 400,000 ndjekës në TikTok, më parë kishte pretenduar në mënyrë të rreme se mund të shëronte koronavirusin, sipas platformës së verifikimit CongoCheck.
Ai ka marrë një dënim me 12 muaj burgim për shpifje vitin e kaluar, sipas një fotografie të vendimit të parë nga Reuters. Ai nuk e ka vuajtur dënimin, ka thënë një zyrtar i prokurorisë. Ndërkaq, një i afërm i tij, që punon për Mulindwn, e ka mohuar se ai ishte dënuar.
Mulindwa nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.
Një tjetër video, e postuar më 3 tetor nga një kishë lokale e quajtur Assemblee Chretienne de Kisangani, tregonte pastorin Christophore Kabamba duke pretenduar se kishte një shërim mrekullibërës. Kisha nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.
James Baka, student universitar në Kisangani që shfaqet në video, i ka thënë Reuters përmes Facebook-ut se kishte parë të tjerë të shëroheshin mrekullisht nga pastori.
Boyoma Revolution e ka pranuar se nuk kishte prova për ekzistencën e sëmundjes, por nuk u është përgjigjur pyetjeve se pse videoja vazhdonte të ishte në faqen e saj.
Kompania Meta, ka thënë se e kishte vendosur videon e tetorit të kishës së Mulindws në sistemin e verifikimit nga palë të treta pasi Reuters e ka raportuar atë.
TikTok ndërkaq nuk u është përgjigjur menjëherë pyetjeve të Reuters.
Tshopo Kwetu, një media lokale, gjithashtu ka shpërndarë postime për sëmundjen e rreme. Drejtori Gaston Mukendi ka thënë se media e tij publikonte informacion nga burime të ndryshme në përputhje me detyrat gazetareske.
Ai ka përmendur një intervistë me një student mjekësie që i rrëzonte thashethemet si një çrregullim ankthi.
Dobësitë e sistemit shëndetësor
Dhuna ka shpërthyer më 6 tetor, kur punonjësit shëndetësorë mbërritën në fshatrat e zonës Isangi të Tshopos për të kryer anketime mbi vaksinimin.
Në fshatin Ilambi, të rinj akuzuan punonjësit shëndetësorë se po përhapnin fshehurazi sëmundjen e rreme kur panë të huaj me jelekë reflektues dhe tableta elektronike, sipas zyrtarëve lokalë dhe Jean-Claude Kengefuku Mbatu, anëtar i ekipit që arriti të shpëtonte.
Dy të tjerë në ekip, Placide Mbungi dhe John Tangakeya, të dy mjekë, ishin përpjekur të shpjegonin kërkimet e tyre mbi vaksinat, të cilat nuk kishin lidhje me panikun shëndetësor.
Ata u vranë në vend, kanë thënë zyrtarët dhe Mbatu.
“I dogjën të gjallë, pa më lënë asnjë gjurmë prej tij”, ka thënë për Reuters Justine Tangakeya Basekauke, e veja e Tangakeyas.
Në fshatin pranë, Yafira, kolegët e tyre Mathieu Mosisi dhe Kevin Ilunga kishin kërkuar ndihmë nga një polic aty pranë, por një turmë e zemëruar i kishte vrarë edhe ata, ka thënë zyrtarja shëndetësore Marie Jeanne Lebe.
Reuters nuk ka mundur të verifikonte në mënyrë të pavarur të gjitha rrethanat e vrasjeve.
E rreme dhe e rrezikshme
Një ditë pas vrasjeve, më 7 tetor, zyra e guvernatorit ka publikuar një deklaratë ku thoshte se thashethemet ishin të rreme dhe të rrezikshme.
Gjatë muajit pasues, Tangunza nga AIRA ka ndihmuar në hartimin e mesazheve për t’u transmetuar në gjuhët lokale në radio, online dhe përmes punonjësve komunitarë, si dhe ka organizuar trajnime për t’u përgatitur për kriza të ardhshme dezinformimi.
Por, thashethemet vazhdojnë të rikthehen edhe muaj më vonë.
Në një incident në mars, një grua në provincën Lualaba të Kongos është akuzuar për përhapjen e sëmundjes dhe është linçuar, ndërsa një person i dytë i ka mbijetuar sulmit, ka njoftuar AIRA duke cituar raportime të mediave lokale.
Përpjekjet për të luftuar informacionin e rremë janë vështirësuar edhe më shumë nga shkurtimet e ndihmës nga SHBA-ja dhe vende të tjera gjatë vitit të kaluar, gjë që e ka lënë AIRA-n me mungesë fondesh, ka thënë drejtoresha Ho.
Një nga financuesit e AIRA-s, Fondacioni Gates, ka thënë se një grant për organizatën është aktiv deri në dhjetor, por nuk ka specifikuar nëse po shqyrtohen fonde të tjera.
AIRA tani ka personel vetëm në tri vende, përfshirë Tangunzën në Kongo, nga pesë sa kishte më parë.
Një platformë e inteligjencës artificiale e krijuar për të monitoruar bisedat online dhe për të zbuluar informacionin e rremë është jashtë funksionit sepse nuk ka para për abonimet mujore, ka sqaruar Ho.
Zyra rajonale e OBSH-së ka thënë se po zhvillohen bisedime për sigurimin e fondeve që do të mbështesin dhe zgjerojnë punën e AIRA-s.