Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

IJF-ja me vlerësime të veçanta për Kosovën

ijf

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) e ka përzgjedhur Kosovën si vend nga Evropa për programin “Sakura Judo”. Programi ka të bëjë me asistimin e xhudisteve për karrierë përtej tatamit. Ky program po implementohet për herë të parë.

IJF-ja për çdo kontinent ka zgjedhur nga një shtet për të implementuar këtë program. Për Evropë përzgjodhi Kosovën, për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme të xhudisteve kosovare dhe komunitetit të grave që tashmë kontribuojnë në sportin e xhudos, brenda dhe jashtë tatamit.

Dhe në prezantimin e Kosovës si pjesë e këtij programi, IJF-ja ka bërë disa vlerësime të veçanta për xhudon kosovare.

“Kosova u veçua për rezultatet e saj të jashtëzakonshme në xhudon për femra dhe për numrin e grave që tashmë janë të përfshira në këtë sport, si dhe në role të lidhura me të”, ka thënë Larisa Kiss, drejtoreshë e IJF-së për Lojëra Olimpike dhe Lëvizjen Olimpike për Xhudo. Ajo e udhëheq programin “Sakura Judo”.

“Ne pamë një mundësi për të zhvilluar tutje atë që tashmë ekziston, për të mbështetur rritjen e xhudos për femra dhe për t’i ndihmuar më shumë gra të gjejnë vendin e tyre në aktivitete dhe profesionet që lidhen me këtë sport”, ka shtuar Larisa Kiss.

Programi nuk ka të bëjë shumë me trajneret. Është më shumë për të identifikuar mundësi për gratë në fushën e gjykimit, administratës, menaxhimit sportiv, arsimit dhe medias.

Gratë e përfshira në xhudo, në kuadër të programit, do të punojnë me gra nga Komiteti Olimpik i Kosovës, federata të tjera sportive, institucione publike, media dhe fusha të tjera.

Në program do të trajtohen tema si udhëheqja, komunikimi, vetëbesimi, zhvillimi personal dhe vetëmbrojtja. Kontributin do ta japin ekspertët e IJF-së dhe xhudistet kosovare si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Laura Fazliu.

Majlinda e Nora Gjakova tashmë po punojnë si trajnere. Distria e Laura vazhdojnë karrierën, ndërsa synim i madh mbetet medalja në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. Këto katër xhudiste i kanë plot pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta.