Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pianoja e dhuruar – e braktisur dhe e harruar në “ekspozitën” e Teatrit

Pianoja

Në një ditë të zakonshme në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, kushdo që kalon pranë hapësirave të shfrytëzuara nga Teatri Kombëtar dhe “Innovation Centre Kosovo” sheh pianon e markës “Yamaha” dhe lirshëm ka qasje në të

Ajo që ishte donacion shumë i rëndësishëm, tash është imazh i moskujdesit institucional. Pianoja që iu dhurua Teatrit Kombëtar të Kosovës më 2009 me marrëveshjen që ta ketë në shfrytëzim për 99 vjet, është nxjerrë jashtë përdorimit pa u bërë dy dekada. gjendet në përdhes, nën shkallët që çojnë drejt Ateliesë dhe Sallës së Kuqe. Dy profesionistë të fushës e kanë konfirmuar se pianoja është dëmtuar. E, për Kushtrim Mehmetin, i cili është edhe udhëheqës artistik e edhe ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të TKK-së të cilit i takon kjo piano, kjo është vetëm një ekspozitë

Dikur ishte instrument shumë i rëndësishëm, mbase edhe jetik për të ilustruar një rrëfim muzikor në skenë teatri. Sot, pianoja e dhuruar Teatrit Kombëtar të Kosovës qëndron në hapësirat e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve, e ekspozuar si objekt i së kaluarës, me pluhur mbi sipërfaqe dhe dëmtime që kanë prekur edhe pjesët e saj të brendshme. Ajo që ishte donacion shumë i rëndësishëm, tash është imazh i moskujdesit institucional. 

Paradoksi është se pianoja nuk është thjesht objekt i vjetër që ka humbur vendin në institucion. Është pjesë e një donacioni të vitit 2009, kur gjashtë piano iu dhuruan institucioneve kulturore të Kosovës nga fondacioni “International Arts and Music Foundation”. Në atë kohë, rëndësia e donacionit ishte shënuar edhe me koncert inaugurues në Sallën e Kuqe. Gati dy dekada më vonë, njëra prej këtyre pianove është larguar nga përdorimi. 

Në një ditë të zakonshme në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, kushdo që kalon pranë hapësirave të shfrytëzuara nga Teatri Kombëtar dhe “Innovation Centre Kosovo” sheh pianon e markës “Yamaha” dhe lirshëm ka qasje në të. Ajo gjendet në përdhes, nën shkallët që çojnë drejt Ateliesë dhe Sallës së Kuqe. Është hapësirë e cila qëndron hapur gjatë tërë ditës, me raste edhe deri vonë kur ka ngjarje kulturore që zhvillohen aty. 

Ngjitësja që dëshmon prejardhjen e pianos si donacion i fondacionit “IMAF” ende është e vendosur në instrument. Pluhuri dallohet edhe nga distanca, ndërsa për dëmtimet që ka pësuar, nuk ka nevojë për sy të mprehtë. 

Por, për Kushtrim Mehmetin, i cili është edhe udhëheqës artistik e edhe ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilit i takon kjo piano, kjo është vetëm një ekspozitë.
Ai ka mohuar se pianoja është lënë në atë hapësirë për shkak të mungesës së vendit. Ka thënë se institucioni aktualisht i ka dy piano: një të re, të vendosur në skenë dhe që përdoret për nevojat e shfaqjeve, si dhe pianon e dhuruar, e cila, sipas tij, është vendosur si eksponat në atë që i është referuar si foaje i Amfiteatrit. 

“Pianoja tjetër ndodhet në foajeun e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ajo është vendosur aty si pjesë e ekspozimit të elementeve të vjetra që kanë qenë pjesë e historisë së teatrit. Në të njëjtën hapësirë ekspozohen edhe reflektorë të vjetër, karrige dhe pajisje të tjera të dikurshme”, ka thënë Mehmeti për KOHËN. 

Ai ka thënë se pianoja është nën monitorimin e kamerave dhe se Teatri kujdeset për të, njësoj si për objektet e tjera të ekspozuara. Siç ka thënë ai, instrumenti është vendosur aty në mënyrë që publiku të ketë mundësi të shohë elemente nga historia e institucionit.

“Nuk është vendosur aty për shkak të mungesës së hapësirës, sepse kemi hapësira të mjaftueshme për ta sistemuar, por është vendosur si eksponat pasi është më e vjetër, në mënyrë që publiku të ketë mundësi të shohë elemente nga historia e teatrit”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se nuk ka informacione që pianoja apo eksponatet e tjera të jenë dëmtuar fizikisht dhe se ajo do të vazhdojë të qëndrojë në atë hapësirë deri në largimin e Teatrit nga ambientet e përkohshme. Tash e pesë vjet TKK-ja është zhvendosur nga objekti i vet që po rinovohet. 

Megjithatë, ky shpjegim nuk e zhbën çështjen e gjendjes teknike të instrumentit, për të cilën profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka dhënë dëshmi konkrete, duke konfirmuar për telat e këputur në piano dhe pjesët e thyera. Për atë se pianoja është vendosur si eksponat nuk e sqaron nëse është bërë ndonjë vlerësim profesional i gjendjes së saj. Madje, edhe po të jetë si eksponat ekspozues, nuk ka as edhe një fjalë të shkruar në lidhje me historikun e veprës apo një shenjë njoftuese se aty gjendet një ekspozitë e cila as nuk ishte njoftuar. 

Në mesin e atyre që së fundmi e ka ngritur çështjen e pianos në Amfiteatrin e TKK-së ka qenë edhe jazz-pianisti, Ilir Bajri, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale. Por ai nuk ka pranuar të prononcohet. 
Për vite me radhë institucionet kulturore ishin të varura nga donacionet. Filharmonia e Kosovës, si institucioni qendror i muzikës klasike në vend, që nga themelimi nuk kishte blerë instrumente, por kishte funksionuar kryesisht me ato të pranuara si donacione. Ndër to ishte edhe donacioni i shtetit japonez i vitit 2014, me vlerë prej 600 mijë eurosh, i cili, sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, vepronte me instrumentet e këtij institucioni. Në të njëjtin kontekst ishte përmendur edhe pianoja koncertale e dhuruar nga fondacioni i Lihtenshtajnit më 2009. 

Në tetor të vitit 2025, shteti bëri pranimin zyrtar të një furnizimi me instrumente muzikore që kishte kushtuar 943 mijë e 627 euro. Nga ky investim përfituan gjashtë institucione qendrore të kulturës, teatrot e qyteteve, shtëpitë e kulturës, shkollat e muzikës dhe dy universitete publike. Kontrata përfshinte edhe piano të reja për institucionet kulturore. Tri piano të mëdha koncertale, me çmim prej 53 mijë e 990 eurosh secila, iu ndanë Filarmonisë së Kosovës, Pallatit të Rinisë dhe Bibliotekës Universitare. Teatri Kombëtar dhe Biblioteka Kombëtare përfituan piano të tjera me vlerë prej 23 mijë e 200 eurosh secila. 

Por investimi në instrumente të reja nuk e zgjidh automatikisht çështjen e ruajtjes së atyre ekzistuese. Pianoja dhuruar Teatrit Kombëtar mbetet shembulli konkret se si një instrument me vlerë për jetën muzikore të vendit mund të përfundojë jashtë përdorimit. 

Kompozitori Valton Beqiri ka thënë se gjashtë pianot e dhuruara u janë ndarë institucioneve të ndryshme kulturore dhe se secili institucion e ka pasur obligim të kujdeset për instrumentin që ka marrë në shfrytëzim. 

“Secili institucion e ka pasur për obligim të kujdeset për inventarin e vet. Pianot janë pronë e organizatës që i ka dhuruar. Është detyrë e institucioneve që t’i mirëmbajnë dhe të kujdesen për to”, ka thënë Beqiri.

Ngjitësja që dëshmon prejardhjen e pianos si donacion i fondacionit “IMAF” ende është e vendosur në instrument. Pluhuri dallohet edhe nga distanca, ndërsa për dëmtimet që ka pësuar, nuk ka nevojë për sy të mprehtë

Ai ka theksuar se me kthimin e institucionit në objektin e vet, pianoja duhet të riparohet në mënyrë që të jetë sërish funksionale.

“Çdo lëvizje e një instrumenti të tillë bart rrezik dëmtimi, sepse është instrument i rëndë dhe kërkon ekip të specializuar për transportim. Prandaj, duhet të ketë kontroll dhe kujdes më të madh si gjatë huazimit, ashtu edhe gjatë zhvendosjes apo dhënies në shfrytëzim”, ka thënë ai.
Për historinë e kësaj pianoje ka folur edhe profesoresha e muzikës, Besa Luzha, bashkorganizatore e festivalit “Chopin Piano Fest”. Ajo ka treguar se në kohën kur donacioni ishte dhënë, ishte organizuar një koncert inaugurues në Sallën e Kuqe.

“Donacioni është dhënë në vitin 2009. Madje, ne si ‘Chopin Piano Fest’ e kemi inauguruar pianon e Sallës së Kuqe me një koncert”, ka thënë Luzha.

Ajo ka treguar se pianot ishin dhuruar me kusht që të mbeteshin në përdorim të institucioneve kulturore dhe të mos u jepeshin madje as institucioneve arsimore. 

Edhe Luzha e edhe Beqiri kanë thënë se nga një piano ishte ndarë për Sallën e Kuqe, RTK-në, Filharmoninë, Baletin, ansamblin “Shota” dhe për TKK-në. 

“Më vonë, kur Teatri Kombëtar është larguar nga objekti për shkak të renovimit, pianoja ka mbetur në hapësirat e tij. Kemi vërejtur se ishte dëmtuar dhe se i ishin këputur telat. Jemi interesuar për mundësinë e riparimit të saj. Kemi kontaktuar edhe me përfaqësues të kompanisë ‘Yamaha’ në Vjenë dhe Beograd, si dhe me akordues profesionistë, përfshirë Adrian Junikun, që të na ndihmonin t’i gjenim telat e nevojshëm”, ka thënë profesoresha Luzha. 

Ajo ka treguar se në një moment kishin vërejtur dëmtime të konsiderueshme, përfshirë telat e këputur dhe ka nevojë për riparim. Sipas saj, këtë e ka obligim TKK-ja. 

“Kjo piano nuk ka nevojë vetëm për akordim, por për riparim, sepse ka dëmtime dhe pjesë të thyera. Sigurisht që kjo ka një kosto, por mendoj se nuk mund të lihet në atë gjendje. Me një investim të duhur mund të rikthehet në funksion. Pianoja i takon Teatrit Kombëtar dhe, sipas marrëveshjes, i është dhënë këtij institucioni në shfrytëzim për 99 vjet. Prandaj, Teatri e ka edhe obligim që ta rikthejë në funksion”, ka thënë ajo.

Ka thënë se ishte ngritur si çështje për të marrë iniciativën për riparimin e saj, por se kjo është lënë anash edhe nga ana e tyre e edhe nga ajo e Teatrit. 

“Në një moment, kur drejtor i Teatrit ishte Kushtrim Sheremeti, kemi diskutuar mundësinë që, nëse e riparonim pianon, ta merrnim ne në mënyrë që të mos dëmtohej më tej. Ai kishte shprehur gatishmëri për këtë, por më pas nuk e kemi vazhduar angazhimin. Dhe pianoja ka mbetur në atë gjendje. Është e dhimbshme që një dhuratë e tillë, e dhënë për t’u shfrytëzuar nga institucionet kulturore, të përfundojë e dëmtuar, të shpërdorohet”, është shprehur ajo.