Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Problemi teknik në JPMorgan Chase shkakton telashe në shërbimet bankare online në SHBA

Chase

Foto: Associated Press

Mijëra klientë raportuan të hënën vështirësi në qasjen në llogaritë e tyre online në disa prej bankave më të mëdha amerikane dhe në shërbimin e transferimit të parave Zelle, pasi një problem teknik në JPMorgan Chase shkaktoi efekte zinxhirë në të gjithë sistemin financiar, raporton agjencia “AP”.
Megjithatë, Chase bëri të ditur të hënën se problemet teknike nuk ishin pasojë e ndonjë sulmi kibernetik dhe se po punonte për rikthimin e shërbimeve bankare në funksion.

“JPMorgan Chase ka përjetuar një problem të përkohshëm të lidhur me një defekt në softuerin e një sistemi harduerik që funksionon në ambientet tona. Problemi nuk ka të bëjë me sulme kibernetike”, tha Joe Evangelisti, zëdhënës i bankës.

Ndërprerja ndodhi vetëm pak ditë pas dy defekteve të mëdha teknike që prekën pjesë të tjera të ekonomisë amerikane. Të enjten, një ndërprerje e madhe e shërbimeve të Microsoftit zgjati disa orë dhe ndikoi rëndë në shërbime si Outlook, Teams dhe asistenti i inteligjencës artificiale Copilot.

Kjo u pasua të premten nga një ndërprerje që preku sistemin kombëtar të kontrollit të trafikut ajror në SHBA, duke shkaktuar pezullimin e të gjitha fluturimeve në vend për disa orë. Problemet vazhduan të shkaktonin çrregullime në transportin ajror edhe gjatë fundjavës.

Në të njëjtën deklaratë, Evangelisti tha se problemi ishte i kufizuar vetëm në Chase.

“Ky nuk është një problem sistemik. Bankat e tjera mund të jenë prekur nga ngadalësimi i transaksioneve vetëm në rastet kur kanë qenë palë në një transaksion me ne”, tha ai.

Problemet teknike të së hënës duket se kanë prekur kryesisht klientët e Chaset dhe klientët e bankave të tjera që tentonin të kryenin transaksione me këtë bankë. Bankat e tjera, përfshirë Bank of America dhe Citigroup, nuk kishin probleme me shërbimet e tyre bankare.

Një zëdhënës i U.S. Bank tha se sistemet e saj nuk janë prekur drejtpërdrejt, por shtoi se “klientët që tentojnë të dërgojnë ose të pranojnë pagesa përmes Zelle me një institucion tjetër financiar mund të përjetojnë vonesa në transaksione”.

Zelle është një sistem pagesash mes individëve, të cilin bankat e mëdha amerikane e përdorin për t'u mundësuar klientëve të transferojnë para te miqtë dhe familjarët pothuajse në kohë reale.

Zelle është në pronësi të kompanisë Early Warning Services, me seli në Arizona, e cila nga ana tjetër zotërohet nga disa institucione financiare, përfshirë Bank of America, Capital One, JPMorgan Chase, PNC Bank, Truist, U.S. Bank dhe Wells Fargo.

Një zëdhënës i Early Warning Services tha se rrjeti Zelle po funksiononte plotësisht.

“Një problem në institucionet financiare mund të jetë duke shkaktuar vonesa në pagesat përmes Zelle për disa prej klientëve të tyre”, tha zëdhënësi.

Disa klientë të Chase morën një njoftim ku thuhej: “Disa shërbime nuk janë të disponueshme. Po punojmë për t'i rikthyer ato. Ju lutemi, provoni përsëri më vonë”.

Ndërsa banka Chase njoftoi se po përballet me një problem të përkohshëm të shkaktuar nga një defekt në softuer, edhe kompania ajrore United Airlines po përballet me probleme të veta teknike.
Kompania ajrore tha në një deklaratë për CBS News se po përballet me një “ndërprerje të gjerë të sistemit”, e cila po ndikon në fluturimet që ende nuk janë nisur. Pas një kohe kompania raportoi se është zgjidhur problemi.