Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Banorët e “Ulpianës” takohen me Ramën, i kërkon anulimin e vendimit për ndërtim

ulpiana

Banorët e “Ulpianës” kanë zhvilluar të hënën një takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtorin e Urbanizmit, Bekim Ramku. 

Sipas njoftimit të Këshillit Iniciues të banorëve të lagjes “Ulpiana”, qëllimi i takimit ishte lidhur me vendimin e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës për projektin “Ulpiana Legacy 2030” e ku planifikohet të ndërtohet një objekt banimi e po ashtu parking nëntokësor. 

Këshilli ka njoftuar se kryetarit Rama i është thënë se qëndrimi i banorëve të lagjes është që nuk ka nevojë për objekt të ri e as për parking nëntokësor. 

“Kundër këtij projekti  banorët e Ulpianës kanë dorëzuar në Komunën e Prishtinës kërkesë për anulimin e vendimit për ndarjen e lokacionit për ndërtim. Gjithashtu Kryetari Rama u njoftua se, në rast se vendimi nuk anulohet, banorët do t’i shfrytëzojnë të gjitha instrumentet dhe mekanizmat ligjorë për shfuqizimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim. 

E për takimin ka njoftuar edhe kryetari i Prishtinës. 

Ai tha se është arritur dakordim që në takimin e radhës të konkretizohen së bashku propozimet e të harmizohen me planin arkitektonik. 

“Sot, bashkë me drejtorin e Planifikimit Bekim Ramku, mirëprita përfaqësuesit e banorëve të Ulpianës për të diskutuar për propozimet e tyre lidhur me këtë çështje. U dakorduam që në takimin e radhës t’i konkretizojmë bashkë propozimet dhe t’i harmonizojmë me planin arkitektonik. Zgjidhjen do ta ndërtojmë bashkë”, ka shkruar Rama në Facebook. 

Vendimi është miratuar disa ditë më parë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por ka pasur reagime të shumta. 

Kryeasamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, në një postim në Facebook ka shkruar se është thirrur mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Prishtinës më 30 nëntor, por në rend dite nuk është anulimi i vendimit për “Ulpiana 2030 Legacy”. 

“Përparim Rama e ka thirrur mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal, por në rendin e ditës nuk e ka përfshirë kërkesën e banorëve të Ulpianës për anulimin e vendimit për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”.  Përparimi dhe ky ekzekutiv komunal edhe një herë po dëshmojnë se nuk i dëgjojnë qytetarët.  Siç kemi premtuar, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të propozojë në këtë seancë anulimin e këtij vendimi. Ftojmë të gjithë asamblistët e Kuvendit Komunal, nga të gjitha subjektet politike, ta mbështesin propozimin tonë, që njëherësh është kërkesë e banorëve të Ulpianës”, ka shkruar Sveçla.