Konsumimi i një ushqimi të lehtë para gjumit mund të ndikojë në cilësinë e pushimit gjatë natës. Sipas dietologëve, një nga zgjedhjet më të mira është kosi i trashë, sidomos kur kombinohet me fruta si banania ose qershitë, ka shkruar RealSimple.
Kosi i trashë përmban rreth 15-20 gramë proteina për racion dhe është burim i triptofanit, një aminoacid që ndihmon në prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, dy substanca që luajnë rol të rëndësishëm në rregullimin e gjumit.
Ai përmban gjithashtu kultura të gjalla bakteriale (probiotikë), të cilat mbështesin shëndetin e zorrëve dhe lidhjen mes sistemit tretës dhe trurit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se konsumimi i kosit vetëm nuk mjafton. Kombinimi i tij me karbohidrate mund të ndihmojë trupin ta shfrytëzojë më mirë triptofanin.
Me çka duhet ta kombinoni kosin grek?
Dietologia Gina Vega rekomandon kombinimin e kosit të trashë me qershi dhe një lugë të vogël mjaltë.
Qershitë përmbajnë natyrshëm melatoninë dhe antioksidantë, ndërsa mjalti siguron një sasi të vogël karbohidratesh që mund të ndihmojnë në përthithjen e triptofanit nga truri.
Ndërkohë, dietologia Lina Begdache sugjeron kombinimin e kosit të trashë me banane.
Banania përmban karbohidrate, vitaminë B6, magnez dhe kalium. Vitamina B6 ndihmon në prodhimin e serotoninës, ndërsa kombinimi me kosin mund të mbështesë proceset që lidhen me gjumin.
Sipas Begdache, ky është një ushqim i lehtë për t’u tretur para gjumit, ndryshe nga ushqimet e rënda dhe të yndyrshme.
Kur duhet ta konsumoni?
Të dyja dietologet rekomandojnë konsumimin e një porcioni të vogël të kosit të trashë me fruta rreth një orë para gjumit.
Nëse vuani nga refluksi i acidit ose keni shqetësime gjatë gjumit, mund të jetë më mirë ta konsumoni deri në tri orë më herët.
Dy kombinimet e sugjeruara janë:
Kosi me qershi dhe mjaltë: ¾ deri në 1 filxhan kos i trashë, ¼ deri në ½ filxhan qershi dhe një lugë çaji mjaltë.
Kosi me banane: ¾ deri në 1 filxhan kos i trashë dhe një banane e vogël ose mesatare.
Të dyja kombinimet ofrojnë afërsisht 15-20 gramë proteina.
A është kosi i trashë zgjidhje për pagjumësinë?
Ekspertët sqarojnë se ky ushqim nuk është një ilaç për pagjumësinë. Studimet sugjerojnë se proteinat e qumështit të pasura me triptofan mund të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e gjumit dhe vigjilencën mëngjesin pasues, por rezultatet nuk janë gjithmonë të njëjta dhe përfitimet mbeten modeste.
Prandaj, krahas ushqyerjes së duhur, është e rëndësishme të ruani orar të rregullt të gjumit dhe zakone të shëndetshme para se të flini.