Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Si shkaktoi Jeremiq skandal, duke lejuar që në selinë e OKB-së të interpretohej këngë nacionaliste serbe

Jeremiq

Skandali i së dielës në Forumin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, kur u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës, “Oj Kosovo, Kosovo”, riktheu kujtimet e një skandali tjetër të shkaktuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, në janar të vitit 2013.

Atëbotë, Vuk Jeremiq, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, ishte president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe, me organizimin e tij, u mbajt një koncert më 14 janar në Asamble, ku kori “Viva Vox” interpretoi këngën nacionaliste “Marshi në Drinë”, një këngë ushtarake serbe, e cila asociohet edhe me masakrat e forcave serbe në Bosnjë.

Atëbotë pati reagime nga Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës së Veriut, Instituti për Hulumtimin e Gjenocidit në Kanada, Komiteti Këshillimor për Bosnjë-Hercegovinën dhe Instituti dhe Qendra Edukative Boshnjako-Amerikane e Gjenocidit, të cilat dërguan një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Ky i fundit u detyrua të kërkonte falje për pjesëmarrjen në një ngjarje ku kishte jehuar kjo këngë nacionaliste serbe.

Jeremiq ishte munduar të arsyetohej, duke këmbëngulur se kompozimi ishte një vepër historike e Luftës së Parë Botërore, që nderon luftëtarët dhe ushtarët serbë të rënë në Betejën e Cerit dhe jo një këngë që promovon agresionin.

Interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në Bruksel të dielën është përcjellë me reagime. Kjo ka bërë që një nga temat kryesore të paneleve të sotme të ishte pikërisht kjo çështje.

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, nën udhëheqjen e së cilës është organizuar Forumi, ka thënë se “muzikantët e zgjodhën këngën”.

“Më vjen keq për zgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Ajo prek ndjenjat e ndjeshme, posaçërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë që vijnë nga kjo pjesë po ashtu. Unë dua të nënvizoj se kjo këngë në asnjë mënyrë nuk reflekton qëndrimin e Komisionit Evropian apo qëndrimin tim lidhur me historinë e Kosovës”, ka thënë Kos.

Edhe Emini për skandalin në Bruksel: S’ishte aksidentale, ishte insistim i Marta Kosit që ky bend të performonte Arbëri Emini për skandalin në Bruksel: S’ishte aksidentale, ishte insistim i Marta Kosit që ky bend të performonte

Por njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, e cila ishte e ftuar në këtë Forum si pjesë e shoqërisë civile nga Kosova, tha se nuk beson që ajo që ndodhi ishte aksidentale dhe se Kos vetë e kishte zgjedhur bendin slloven “Kapobanda” për të interpretuar.

Emini ka thënë se ajo që ndodhi nuk ishte aksidentale, pasi komisionerja Kos e përzgjodhi bendin dhe nuk reagoi fare gjatë skandalit të së premtes.

“Përveç të tjerash, ky bend u mor nga Marta Kos. U insistua nga ajo që ky bend të performojë. Është një bend slloven. Ka pasur notë proteste edhe nga Kroacia, e cila thotë se fondet e Komisionit, në të cilat Kroacia kontribuon, nuk duhet të përdoren për gjëra të tilla. Unë nuk besoj se ishte aksidentale. Ku është faji, duhet të adresohet. Nëse i lihet faji vetëm bendit apo sabotimit në nivel të mesëm, atëherë nuk ka përgjegjësi politike nga BE-ja. Prita që aty Marta Kos të reagonte. Nuk pati reagim të tillë. Aty e pashë se nuk është e sinqertë. Çfarëdo deklarate që bëri Kos pas reagimit aty për aty, ishte vetëm reaksionare dhe nuk duhet të merret as parasysh”, tha Emini në “Interaktiv” të KTV-së.