Aktori i njohur Brad Pitt do të luajë në filmin e ri “Connector”, i cili shënon rikthimin e regjisorit Darius Marder në realizimin e një filmi artistik, gjashtë vjet pas suksesit të tij me filmin fitues të çmimit “Oscar”, “Sound of Metal”, ka shkruar Deadline.
Filmi do të zhvillohet në New Yorkun e viteve '70 dhe do të tregojë historinë e një punëtori, montues të strukturave prej hekuri që punon në lartësi dhe që sfidon forca shumë më të mëdha se vetja.
Skenari është shkruar nga Darius Marder dhe motra e tij, Nina Marder, bazuar në një histori të Derek Cianfrance.
Pitt do të jetë gjithashtu producent përmes kompanisë së tij “Plan B”, së bashku me Dede Gardner dhe Jeremy Kleiner. Sipas Deadline, aktori e ka pëlqyer aq shumë versionin e fundit të skenarit, saqë dëshiron që “Connector” të jetë projekti i tij i radhës për vitin 2027.
Filmi do të realizohet nga “Apple Original Films”, me të cilën “Plan B” ka bashkëpunuar edhe më parë në projekte filmike si “F1” dhe “Wolfs”.
Ndërkohë, Pitt ka folur edhe për ndikimin e platformave të transmetimit në industrinë e filmit, duke theksuar se ato u kanë krijuar më shumë mundësi produksioneve të pavarura.
“Mendoj se mënyra se si funksionon sot industria ka qenë shumë e favorshme për filmat e pavarur, sepse gjithnjë e më shumë njerëz po i shohin këto projekte. Më duket se situata është po aq e mirë sa në vitet ’90”, është shprehur ai në Festivalin e Filmit në San Sebastian të Spanjës.
Aktori ka treguar se e vlerëson mundësinë që platformat online u japin artistëve për të realizuar projekte më të guximshme, të cilat studiot e mëdha ndonjëherë hezitojnë t’i financojnë.
“Më pëlqen që kemi këto platforma, sepse po shoh filma me ide të guximshme, të cilët studiot nuk janë gjithmonë të gatshme t’i financojnë. Përmes platformave të transmetimit, artistët kanë më shumë liri për të rrezikuar. Jam mirënjohës për këtë”, ka deklaruar Pitt.
Ai ka shtuar se industria e filmit duhet të përshtatet me teknologjitë e reja, në vend që të mbetet e lidhur me të kaluarën.
Për Pittin, realizimi i një filmi është mbi të gjitha punë në grup.
“Bërja e një filmi kërkon të gjithë ekipin. Secili kontribuon me atë që di dhe mundet. Ndonjëherë rezultati është më i mirë nga sa kemi dhënë atë ditë, e ndonjëherë më i dobët. Por në fund, gjithçka është punë ekipi”, ka thënë ai.