Botë

Nis votimi në zgjedhjet parlamentare në Holandë, pritet t’i fitojë partia e Geert Wilders

Geert Wilders

Foto: Associated Press

Votimi është duke u zhvilluar në zgjedhjet parlamentare në Holandë, të cilat sondazhet sugjerojnë se mund të fitohen përsëri nga Partia e Lirisë (PVV) e Geert Ëilders, i cili është kundërshtar i imigracionit, megjithëse ka pak shanse që ajo të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.

PVV, e cila përfundoi e para në zgjedhjet e mëparshme dhe formoi një koalicion katërpartiak tërësisht konservator që mezi ka zgjatur një vit para se të shpërbëhej, është pak përpara në sondazhe dhe parashikohet të rikthejë 24 deri në 28 deputetë në parlamentin me 150 vende, raporton The Guardian.

Megjithatë, popullariteti i partisë së ekstremit të djathtë ka rënë që nga viti 2023, kur fitoi 37 vende, dhe të gjitha partitë kryesore kanë përjashtuar mundësinë e hyrjes në qeveri me Ëilders, për shkak të planeve të tij radikale kundër refugjatëve.

Në fund të fushatës së dominuar nga migrimi, kostot e kujdesit shëndetësor dhe kriza akute e strehimit në Holandë, aleanca e qendrës së majtë, Partia e Gjelbër e Majtë/Partia e Punës (GL/PvdA), e udhëhequr nga ish-komisioneri evropian, Frans Timmermans, është në vendin e dytë me një diferencë të ngushtë, me parashikime për të fituar midis 22 dhe 26 vende.

Gjithashtu parashikohet të ketë rezultate të mira edhe partia liberale-progresive D66, e cila parashikohet të rrisë numrin e vendeve pothuajse pesëfish në 21-25 vende, dhe Demokratët e Krishterë (CDA) e qendrës së djathtë, të cilët pritet të dyfishojnë numrin e deputetëve të tyre në midis 18 dhe 22.

Nga 27 partitë që garojnë në zgjedhje, deri në 16 mund të hyjnë në parlament.

Kjo shkallë e lartë fragmentimi do të thotë që asnjë parti e vetme nuk ka gjasa të fitojë kurrë shumicën, dhe Holanda është qeverisur nga koalicione të përbëra deri në katër parti, për kohë të gjata.