Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Liberalët fytafyt me të djathtët në Holandë

Holanada

Partia liberale qendrore D66, e udhëhequr nga Rob Jetten, është në garë shumë të ngushtë me partinë populiste të djathtë të Geert Wildersit në zgjedhjet holandeze, sipas rezultateve pothuajse të plota.

Me rreth 99% të votave të numëruara, si D66 ashtu edhe Partia për Lirinë e Wildersit (PVV) pritet të marrin nga 26 vende në parlamentin 150-anëtarësh, sipas projeksioneve të agjencisë holandeze të lajmeve ANP, të enjten.

Sondazhet e para pas votimit e kishin vendosur Jetten në krye. “Miliona holandezë kanë kthyer faqen; ata i kanë thënë lamtumirë politikës së negativitetit”, u tha ai mbështetësve të tij.

Ndërkohë, Geert Wilders u shfaq i mërzitur dhe ka pranuar se rezultati nuk ishte ai që dëshironte, pasi humbi 11 vende në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, ai ka thënë se ky ishte ende rezultati i tij i dytë më i mirë ndonjëherë.

Kur u numëruan votat e fundit të enjten, gara u bë aq e ngushtë sa avantazhi kalonte herë te njëri e herë te tjetri. Por, rezultatet përfundimtare nga Amsterdami e çuan ndjeshëm përpara Rob Jettenin me mbi 15 mijë vota më shumë.

Edhe “Fushata pozitive” mposht lëvizjen populiste në Holandë Botë “Fushata pozitive” mposht lëvizjen populiste në Holandë

Të dy partitë morën më pak se 17% të votave kombëtare, ndërsa tri parti të tjera ishin shumë afër: partia konservatore-liberale VVD me 22 vende, pasuar nga koalicioni i majtë GreenLeft-Labour dhe Kristiandemokratët.

Gjatë gjithë fushatës, Wilders kishte udhëhequr në sondazhe, por pasi rrëzoi vetë koalicionin e tij në qershor për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështjet e azilit dhe migracionit, shumica e liderëve të tjerë politikë thanë se nuk do të bashkëpunonin më me të.

Wilders e pranoi se ka pak shpresë për të formuar qeveri vetë, por tha në rrjetin X se, nëse partia e tij do të dilte e para, ai duhet të ishte i pari që të përpiqej të krijonte qeverinë.

Edhe pa një fitore të qartë, Jetten, i cili zhvilloi një fushatë të suksesshme, ka më shumë gjasa të udhëheqë qeverinë e ardhshme. Vetëm pak javë më parë, sondazhet i jepnin D66-s vetëm 12 vende.

Lideri 38-vjeçar, i njohur për pamjen e tij tërheqëse dhe mënyrën e qetë të të folurit, fitoi mbështetje përmes paraqitjeve të mira në debatet televizive dhe intervista. Madje, pjesëmarrja e tij në emisionin televiziv “Personi më i zgjuar” pak para zgjedhjeve, e bëri edhe më të njohur në publik.

Megjithëse mbështetësit e tij festuan, Jetten nuk shpalli fitoren të mërkurën në mbrëmje.

Partia konservatore-liberale VVD e Dilan Yesilgoz doli në vendin e tretë dhe mund të jetë një partnere e mundshme në një koalicion të udhëhequr nga Jetten.

Edhe Zgjedhjet në Holandë, liberalët dhe të djathtët kokë më kokë Botë Zgjedhjet në Holandë, liberalët dhe të djathtët kokë më kokë

Para votimit të së mërkurës ishte e qartë se zgjedhjet do të ishin shumë të ngushta, pasi pesë parti kishin shanse për të fituar. Partia e Wildersit kishte fituar 37 vende në zgjedhjet e nëntorit 2023, por shumë votues këtë herë duket se e braktisën, pasi e kuptuan se ai do ta kishte të vështirë të gjente partnerë për qeveri.

Në vitin 2024, Wilders arriti të formonte një qeveri pas shtatë muajsh negociatash, por ajo u rrëzua vetëm 11 muaj më vonë.