Lideri i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, ka thënë të martën se partia e tij PVV do të largohet nga koalicioni, duke rrëzuar qeverinë aktuale në kërkim të zgjedhjeve të reja, shkruan Reuters.
Wilders ka thënë se partnerët e koalicionit s’ishin të gatshëm të pranonin idetë e tij për të ndaluar migrimin, për të cilën kishte kërkuar mbështetje javën e kaluar.
“Asnjë nënshkrim për planet tona të azilit. PVV largohet nga koalicioni”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Lëvizja e befasishme e Wildersit i jep fund një koalicioni tashmë të brishtë, që ka pasur vështirësi të arrijë konsensus në çështje të ndryshme që nga formimi i tij në korrikun e vitit që shkoi.
Ka të ngjarë që kjo të sjellë zgjedhje të reja brenda pak muajsh, duke shtuar pasigurinë politike në ekonominë e pestë më të madhe të eurozonës.
Edhe
Kryeministri holandez jep dorëheqje
Ndër të tjera, këto zhvillime gjithashtu mund të vonojnë vendimin mbi rritjen historike të shpenzimeve të mbrojtjes për të përmbushur objektivat e reja të NATO-s.
Populisti anti-mysliman Wilders ishte fituesi i zgjedhjeve paraprake, mirëpo sondazhet e fundit kanë treguar se ai ka humbur mbështetjen që kur iu bashkua qeverisë.