Kryeministri i Holandës, Dick Schoof, ka dhënë dorëheqje të martën, disa orë pasi lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, vendosi ta braktisë koalicionin qeverisës, raporton The Guardian.
Më herët gjatë ditës, Wildersi ka thënë se partia e tij PVV do të largohet nga koalicioni, duke rrëzuar qeverinë aktuale në kërkim të zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, partnerët e koalicionit s’ishin të gatshëm të pranonin idetë për të ndryshuar politikat e migrimit dhe azilit, për të cilën kishte kërkuar mbështetje javën e kaluar.
“Asnjë nënshkrim për planet tona të azilit. PVV largohet nga koalicioni”, kishte shkruar ai në rrjetin social X.
Lëvizja e befasishme e Wildersit i jep fund një koalicioni tashmë të brishtë, që ka hasur në vështirësi për të arritur konsensus në çështje të ndryshme, që nga formimi i tij korrikun e vitit të kaluar.
Në këtë drejtim, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja brenda pak muajsh, duke shtuar pasigurinë politike në ekonominë e pestë më të madhe të eurozonës.
Populisti anti-mysliman Wilders ishte fituesi i zgjedhjeve paraprake, mirëpo sondazhet e fundit kanë treguar se ai ka humbur mbështetjen që kur iu bashkua qeverisë.