Botë

Netanyahu paralajmëron negociata të vështira për fazën e dytë të armëpushimit në Gazë

Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të dielën se pret që së shpejti të kalojë në fazën e dytë të armëpushimit në Gazë, por ka paralajmëruar se negociatat do të jenë "po aq të vështira" sa faza e parë.

"Ne e përfunduam pjesën e parë, siç e dini, dhe pastaj shumë shpejt presim të kalojmë në fazën e dytë, e cila është më e vështirë, ose po aq e vështirë", ka deklaruar ai pas një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Sipas fazës së parë të planit të paqes prej 20 pikash të presidentit të SHBA-së Donald Trump, luftimet u ndalën dhe dhjetëra pengje të mbajtura në Gazë u shkëmbyen me qindra palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Izraeli dërgoi një delegacion javën e kaluar në Egjipt për bisedime mbi kthimin e eshtrave të pengut të fundit.

Faza e dytë përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie në Gazë, formimin e një qeverie të re teknokratike për territorin, çarmatosjen e Hamasit dhe një tërheqje përfundimtare të forcave izraelite.

Netanyahu ka theksuar gjithashtu rëndësinë e zbatimit të një faze të tretë.
"Kjo është për të deradikalizuar Gazën, diçka që edhe njerëzit besonin se ishte e pamundur", ka thënë ai.

"U bë në Gjermani, u bë në Japoni, u bë në shtetet e Gjirit, mund të bëhet edhe në Gazë, por sigurisht që Hamasi duhet të shpërbëhet", ka shtuar ai.

Netanyahu pritet të takohet me Tumpin në Shtëpinë e Bardhë në fund të muajit.

"Ne duhet të sigurohemi që të arrijmë të njëjtat rezultate në fazën e dytë dhe kjo është diçka që mezi pres ta diskutoj me presidentin Trump", është shprehur Netanyahu.