Botë

Netanyahu paralajmëron Hamasin pasi dorëzoi trupa që nuk i përkisnin pengjeve të zhdukura

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Izraeli do të marrë masa pasi Hamasi dorëzoi trupa që nuk i përkisnin pengjeve izraelite të zhdukura, gjë që Izraeli e konsideron si shkelje të armëpushimit në Gaza, ka thënë të martën kryeministri, Benjamin Netanyahu.

Hamasi ka thënë se po zbaton armëpushimin dhe po përpiqet të gjejë trupat e pengjeve të vdekur, por po has në probleme për shkak të mungesës së pajisjeve për identifikimin e trupave.

Ndërkaq, Netanyahu ka shtuar se do të thërrasë drejtuesit e mbrojtjes më vonë gjatë ditës së martë për të vendosur “hapat e ardhshëm të Izraelit” në përgjigje të kësaj situate.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, ka thënë se është e vështirë të gjenden të gjitha trupat për shkak të shkatërrimit të madh në Gazë.

Megjithatë, “Hamasi do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje të mundshme për të dorëzuar trupat e mbetura deri në përfundim të plotë të kësaj çështjeje dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Qassem për Reuters.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kërkuan nga Netanyahu të ndërmarrë masa të ashpra kundër Hamasit.

Megjithatë, çdo reagim i mundshëm pritet të marrë miratimin e Ëashingtonit, i cili ndërmjetësoi armëpushimin e brishtë këtë muaj, që ndaloi luftën dyvjeçare, tha një zyrtar i lartë izraelit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë të shtunën se do të “vëzhgojë nga afër” dorëzimin e trupave të pengjeve nga Hamasi gjatë 48 orëve në vijim.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Hamasi liroi të gjithë pengjet e gjallë në këmbim të afro 2.000 të burgosurve dhe të ndaluarve palestinezë, ndërsa Izraeli tërhoqi trupat dhe ndaloi ofensivën e tij ushtarake.

Hamasi është zotuar gjithashtu të dorëzojë trupat e të gjithë pengjeve të vdekur që ende nuk janë gjetur, por ka thënë se kjo do të kërkojë kohë për shkak të kushteve në terren. Izraeli, nga ana tjetër, thotë se grupi mund t’i gjejë shumicën e trupave pa pengesa të mëdha.