Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë familjeve të viktimave të sulmit të Hamasit të 7 tetorit të vitit 2023, se është “i vendosur” të sigurojë kthimin e trupave të pajetë të të gjitha pengjeve që gjenden ende në Gazë, raporton "BBC".
Ai tha se Izraeli do të vazhdojë ta luftojë terrorizmin me “forcën e plotë”. Ai i bëri komentet disa orë pasi Hamasi ktheu trupat e dy pengjeve tjera, por tha se nuk është në gjendje të sigurojë qasje te trupat e 19 pengjeve tjera.
Ka pasur zemërim në Izrael që Hamasi ende nuk i ka kthyer trupat e të gjitha pengjeve, në pajtim me marrëveshjen e armëpushimit të arritur javën e kaluar, ndonëse SHBA-ja ka minimizuar sugjerimet se kjo përbën shkelje. Izraeli i është përgjigjur vonesës duke kërcënuar se do ta kufizojë sasinë e ndihmës që do të hyjë në Gazë.
Izraeli ka konfirmuar të enjten se dy trupat që u dorëzuan nga Hamasi te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të mërkurën në mbrëmje janë identifikuar si Inbay Hayman dhe rreshteri Muhammad al-Atarash. Kthimi i trupave të tyre e çoi numrin në nëntë nga 28 trupa të pajetë sa është paraparë të kthehen. 20 pengje të gjalla u liruan të hënën në këmbim të 250 të burgosurve palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite dhe të 1718 të paraburgosurve nga Gaza.
Në sulmin e udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, u vranë 1200 persona e u morën rreth 251 pengë. Në ofensivën izraelite në Gaza që ka pasur u vranë rreth 68 mijë palestinezë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.