Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Netanyahu: S’ka tërheqje izraelite nga Gaza pa çarmatosje të plotë të Hamasit

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të martën se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga pozicionet e tyre aktuale në Gazë derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.

Në komente të bëra në rrjetet sociale, Netanyahu ka lënë të kuptohet se kishte mosmarrëveshje midis Izraelit dhe administratës Trump lidhur me një marrëveshje të fundit të shpallur për çarmatosjen e grupit militant.

Marrëveshja parashikonte që Hamasi të fillonte çarmatosjen, ndërsa Izraeli të ndalonte sulmet dhe të fillonte tërheqjen nga Gaza. Ajo ishte pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi të muajit tetor, e cila u ka dhënë fund operacioneve të mëdha ushtarake, por që ka ngecur në aspekte të tjera. Në vend të kësaj, Netanyahu ka theksuar se çarmatosja duhet të jetë hapi i parë dhe se forcat izraelite do të vazhdojnë të bëjnë “çdo gjë të nevojshme për të mbrojtur veten, territorin tonë dhe qytetarët tanë”.

“Administrata Trump na dërgoi një draft. Ne nuk ramë dakord. Nuk është drafti ynë. Ne dërguam komentet tona. Ky është qëndrimi ynë. Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të interesave tona; besoj se këtë e bëjmë me mençuri dhe vendosmëri”, ka shtuar.

Grupi palestinez, Hamas, ka njoftuar të premten se është i gatshëm të nisë procesin e çarmatimit, si pjesë e një marrëveshjeje të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump. Marrëveshja parashikon gjithashtu që Izraeli të ndalojë sulmet në Gazë dhe të tërheqë trupat nga territori.