Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur të martën se ka urdhëruar ushtrinë të kryejë menjëherë "sulme të fuqishme" mbi Gazë, duke shënuar kështu një provë të re për armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që mund të thyhet shkaku i një arkivoli me mbetje që iu dorëzua Izraelit nga Hamasi të hënën.
Arkivoli i dorëzuar nga Hamasi të hënën nuk përmbante trupin e ndonjë pengu tjetër të vrarë.
Sipas autoriteteve izraelite, testet forenzike kanë treguar se mbetjet i përkisnin Ofir Tzarfatit, trupi i të cilit ishte gjetur nga forcat izraelite që në fund të vitit 2023, dhe jo ndonjërit prej 13 pengjeve të vrarë që ende ndodhen në Gaza.
Në deklaratë thuhet se veprimi i Hamasit përbën “shkelje të qartë” të marrëveshjes së armëpushimit dyjavësh në Gaza.
Hamasi në përgjigje ka thënë se Izraeli po fabrikon pretekste të rreme për ta nisur sulmin.
Armëpushimi në Gazë, i arritur sipas planit 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, ka hyrë në fuqi më 10 tetor.
Më 19 tetor, Izraeli dhe Hamasi kanë thyer armëpushimin. Izraeli kishte sulmuar jugun e Gazës, me pretendimin se grupi militant palestinez kishte sulmuar ushtrinë e tij.
Mirëpo Hamasi e kishte mohuar përfshirjen.
Armëpushimi ishte rikthyer të nesërmen, më 20 tetor.
Disa prej zyrtarëve më të lartë amerikan, përfshirë zëvendëspresidentin, JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, kanë qëndruar në Izrael javën e kaluar, në përpjekje për të ruajtur armëpushimin.
Izraeli ka nisur sulme në qytetin e Gazës
Ushtria izraelite ka nisur sulme ajrore mbi qytetin e Gazës, kanë raportuar dëshmitarët për Reuters.
Sulmet po kryhen nga aeroplanë sipas dëshmitarëve.
Të martën në mbrëmje kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se kishte udhëzuar ushtrinë që të kryente sulmi mbi Gazë.
Vendimi është marrë me arsyetimin se Hamasi ka kryer sulme ndaj ushtrisë izraelite në jug të Gazës.
Hamasi akuzon Izraelin për “fabrikim pretekstesh të rreme”
Hamasi ka akuzuar Izraelin se po përpiqet “të fabrikojë pretekste të rreme në përgatitje për të ndërmarrë hapa të rinj agresivë” në Gazë.
Grupi militant palestinez ka thënë se Izraeli po pengon përpjekjet për të kërkuar trupa në Rrip.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje ndërmjetësve që “të lejojnë organet përkatëse të kryejnë detyrat e tyre humanitare larg llogaritjeve politike dhe agresive".