Botë

S’do ta shkruajmë çekun për rindërtimin e Gazës, thotë kryeministri i Katarit

Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani

Foto: Associated Press

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed Abdulrahman Al Thani, ka deklaruar të dielën se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë popullin palestinez, por nuk do të “shkruajë çekun” për të paguar rindërtimin e Gazës.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar vuajtjet e tyre”, ka thënë Al Thani në një konferencë në kryeqytetin e Katarit.

“Por ne nuk jemi ata që do të shkruajnë çekun për të rindërtuar atë që të tjerët shkatërrojnë. Ky është në thelb qëndrimi ynë”, ka shtuar ai.

Al Thani i ka bërë komentet gjatë ditës së fundit të Forumit të 23-të të Dohas me disa krerë shtetesh dhe diplomatë që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare në Doha.

Tema e forumit të këtij viti është “Vendosja e Drejtësisë: Nga Premtimet në Realitetin Konkret”.

Al Thani gjithashtu i ka bërë thirrje Izraelit të mbështesë një zgjidhje me dy shtete si pjesë e iniciativave të paqes për rajonin.

“Me konfigurimin aktual në Izrael dhe atë që po shohim në peizazhin politik atje në Knesset dhe të gjitha ato rezoluta që po miratojnë kundër zgjidhjes me dy shtete, thjesht na largon nga kjo rrugë”, është shprehur Al Thani.

“Kjo është e vetmja rrugë përpara për të pasur një zgjidhje me dy shtete”, ka shtuar ai.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese muajin e kaluar për të mbështetur një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë dhe për t'i kërkuar Izraelit të angazhohet për një shtet palestinez.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e kundërshton kategorikisht propozimin.