Takimi treorësh i presidentëve amerikanë e rusë për paqe në Ukrainë ka përfunduar pa marrëveshje. Presidenti amerikan, Donald Trump i ka quajtur “tejet produktive” bisedimet që i ka pasur me presidentin rus, Vladimir Putin, të premten në Alaskë. E homologu i tij që pushtoi Ukrainën tre vjet më parë ka thënë se kanë arritur një dakordim me Trumpin. Përderisa asnjëri nuk ka dhënë detaje të tjera, të dy kanë paralajmëruar lëvizje të reja “në përpjekjen për paqe”.
Përfundon konferenca e përbashkët për shtyp
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përfunduar fjalimin e tij të shkurtër në konferencën e përbashkët për shtyp, duke e falënderuar Vladimir Putinin dhe duke thënë se do të flasin sërish së shpejti.
“Herën tjetër në Moskë” iu përgjigj Putini në gjuhën angleze.
Më pastaj, Trumpi e ka mbyllur konferencën për shtyp pa pranuar asnjë pyetje nga gazetarët dhe pa ofruar ndonjë detaj mbi atë që Putin e quajti “marrëveshje”, të cilën ata e kishin arritur gjatë tre orëve të bisedimeve.
Trump: Bisedime tejet produktive, por duhet më shumë punë t’i jepet fund luftës
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lavdëruar bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, por ka thënë se duhet të bëhet më shumë punë që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.
Presidenti amerikan ka deklaruar gjithashtu se do t’i telefonojë udhëheqësit evropianë dhe ata të NATO-s, për t’i informuar rreth takimit me Putinin.
Trumpi ka nënvizuar se është bërë “përparim i madh” në takimin e tij dypalësh me presidentin rus, tek ka thënë se “janë rënë dakord për shumë pika”, si dhe kanë mbetur “shumë pak” çështje për t'u adresuar.
“Besoj se patëm një takim shumë produktiv. Kishte shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord”, ka thënë Trumpi. “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje. Do ta telefonoj NATO-n... Natyrisht do ta telefonoj edhe presidentin Zelensky dhe do t’i tregoj atij për takimin e sotëm”.
“Kanë mbetur vetëm shumë pak. Disa nuk janë edhe aq të rëndësishme, njëra ndoshta është më e rëndësishmja. Por kemi shumë gjasa ta arrijmë, nuk e arritëm sot, por kemi shumë gjasa ta arrijmë”, ka shtuar ai.
E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk ishte fare i ftuar në samitin e Alaskës.
Putin: Kemi dakordim me Trumpin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ai dhe homologu amerikan, Donald Trump, kanë arritur një “mirëkuptim” për Ukrainën. Ai ka paralajmëruar Evropën “të mos e pengojë progesin e sapolindur”.
Ai nuk ka ofruar asnjë detaj mbi atë se çfarë përfshin marrëveshja.
Ai gjithashtu ka përsëritur kërkesën e tij të shpeshtë që duhet të adresohen shkaqet rrënjësore të konfliktit.
Në të kaluarën, Putini ka sugjeruar se këto shkaqe përfshijnë qeverinë e zgjedhur të Ukrainës, për të cilën ai ka pretenduar se udhëhiqet nga neo-nazistët.
Putin ka pohuar se lufta, e cila filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, nuk do të kishte ndodhur në qoftë se Trump do të ishte atë kohë president i SHBA-së.
Ai ka nisur fjalimin duke folur për raporte fqinjësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Teksa ka folur për trashëgiminë historike ruse, Putini ka thënë se “gjithmonë e ka konsideruar Ukrainën si komb vëllazëror”.
“Jemi të ndarë me oqeane, por jemi fqinj të afërt. Jemi vetëm katër kilometra larg. Jemi fqinj të afërt dhe ky është fakt”, ka thënë Putini.
Përfundon takimi Trump-Putin, pas pak konferenca për shtyp
Pjesa “tre me tre” e takimit në Alaskë – mes presidentit amerikan, Donald Trump, të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, kryediplomatit, Sergei Lavrov, dhe këshilltarit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov – ka përfunduar.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se konferenca e përbashkët për shtyp mes Trumpit dhe Putinit, do të fillojë pas pak.
Përmes një video të shkurtër të ndarë në rrjetin social Telegram, ministri rus i Mbrojtjes, Andrey Belousov është pyetur nga agjencia e lajmeve “TASS”, se si është disponimi i përgjithshëm pas takimit Trump-Putin. “I shkëlqyeshëm”, ka thënë ai, duke buzëqeshur.
Trumpi e Putini takohen “në përpjekje për paqe”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, të premten në Alaskë në një takim që është cilësuar historik për nga rëndësia. Samiti mund të përcaktojë trajektoren e luftës në Ukrainë dhe fatin e sigurisë evropiane. Pavarësisht se tema kryesore është pushtimi i Ukrainës nga Rusia, në takim nuk ka qenë i pranishëm presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Takimi që nisi rreth orës 21:30, sipas kohës lokale në Kosovë, dha sinjale të përziera. “Alaska 2025” i priti dy presidentët me katër aeroplanë luftarakë në të dy krahët e shiritit të kuq në bazën ushtarake “Elmendorf-Richardson”. Gjithçka nisi me ngrohtësi, kur Trumpi e priti me duarshtrëngime e buzëqeshje Putinin. Të dy u ndalën për fotografinë e përbashkët para mediave para se të niseshin për takimin e mbyllur. Nuk dhanë përgjigje në asnjë pyetje se a do të arrihet armëpushimi në Ukrainë apo se cili është mesazhi i liderëve për njëri-tjetrin. Gjatë rrugës, udhëtuan bashkë me “Bishën amerikane” - vetura e presidentit Trump. E përgjigje nuk dhanë as në hapësirën e takimit. Të dy liderët qëndronin para një prapavijë të kaltër me shkrimin “Në përpjekje për paqe”. Trumpi e Putini ishin ulur në mes të karriges së rregulluar në formë patkoi. Në mes kanë një tavolinë të vogël. “Faleminderit”, ishte fjala e vetme që Trumpi e përdori drejtuar gazetarëve. E në një çast, presidenti Putin është parë duke i bërtitur një gazetari, por nuk është e qartë se çka i ka thënë.
Përderisa kaluan orë të tëra në hapësirën e dedikuar për takim sy më sy, para se të niste samiti Kremlini zyrtar kishte paralajmëruar “takim maratonik”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pati thënë se pret që diskutimet e presidentit rus, Vladimir Putin, me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë të zgjasin deri në 6 ose 7 orë. E takimi i zgjatur konsiderohej me vlerë të madhe, pasi Trumpi më herët gjatë javës ishte shprehur se për pak minuta do ta dinte nëse Putini është i interesuar për të siguruar paqe. Ai kishte thënë se nëse samiti do të shkonte keq “do të dilte”. “Mund të largohem shpejt dhe të them ‘paçi fat’ dhe ky do të ishte fundi”, pati thënë Trumpi.
Takimi në tokën amerikane nuk premtonte asnjë sukses, sidomos në kohën kur Rusia e Ukraina mbeten shumë larg njëra tjetrës në kërkesat për arritjen e paqes, kur lufta ka hyrë në vitin e katërt. Por gjatë udhëtimit të tij për në Alaskë, presidenti amerikan ka folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”. Ai ka thënë se Putini është i zgjuar dhe se ata kuptohen mirë me njëri-tjetrin.
“Putini është djalë i zgjuar dhe ne kuptoheni shumë mirë. Kemi respekt të ndërsjellë. Mendoj se do të dalë diçka nga ky takim. Vura re se ai po sjell edhe shumë biznesmenë nga Rusia, mirëpo nuk do të ketë biznes pa marrë fund lufta”, ka thënë ai në prononcimet e para gjatë fluturimit. E më vonë gjatë rrugës u është drejtuar sërish gazetarëve. “Dua të shoh armëpushim shpejt. Nuk e di si do të rezultojë sot, por nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot. Të gjithë kanë thënë se nuk mund të arrihet sot, por unë po them thjesht se dua të ndalen vrasjet”, ka thënë ai.
Shpresë nga takimi, edhe pse larg tij në distancë, ka shprehur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shkruar se është koha që lufta të përfundojë.
“Gjëja kyç është që ky takim duhet të hapë një rrugë reale drejt paqes së drejtë dhe diskutimit thelbësor midis liderëve brenda një formati trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse. Është koha t’i japim fund luftës, ndërsa hapat e nevojshëm duhet të bëhen nga Rusia. I kemi shpresat tek Amerika”, ka thënë ai.
E Putini ka zgjedhur të mos flasë gjatë gjithë ditës së takimit. Ai ka bërë vizitë zyrtare në rajonin Magadan. Aty ka vizituar një memorial për bashkëpunimin ruso-amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Statuja, që përshkruan pilotët sovjetikë e amerikanë të ngrirë në mes të shtrëngimit të duarve pranë një avioni, përkujton rrugën Alaskë-Siberi që transportoi rreth 8000 aeroplanë luftarakë në frontin sovjektik në periudhën 1942-1945. Një monument i ngjashëm është edhe në Fairbanks të Alaskës. Dikur ishte edhe me flamurin rus, por që nga 2022-a aty ka ngelur vetëm flamuri amerikan. Televizioni shtetëror rus ka thënë se rikthimi i flamurit rus atje do të ishte “shumë simbolik”. Dhe këtë Rusia e synon nga samiti i sotëm. Siç ka shkruar CNN-i, mesazhi i Putinit me këtë vizitë është i qartë: Kujtesë që një ditë Moska e Washingtoni ishin aleatë.
Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, para takimit ka deklaruar se pala ruse shpreson që t’i vazhdojë “diskutimet e dobishme” edhe gjatë samitit.
“Ne kurrë nuk planifikojmë përpara. E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë. Kemi arritur shumë gjëra edhe gjatë vizitave të Steve Witkoffit, i emëruar special nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme. Shpresoj që të vazhdojmë këtë bisedë shumë të dobishme”, ka thënë Lavrovi.
Për dallim nga herët e shkuara, takimi ka qenë me më shumë pjesëmarrës. Në vend të takimit një me një, SHBA-ja dhe Rusia janë ballafaquar në takim tre me tre. Trumpi është shoqëruar nga sekretari i shtetit, Marco Rubio e i dërguari i posaçëm Steve Witkoff. Delegacioni rus ka përfshirë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.
Aleatët e Trumpit e konsiderojnë presidentin amerikan si negociator të fortë që mund të gjejë mënyrë për t’i dhënë fund luftës, diçka për të cilën ai mburrej se mund ta arrinte shpejt. Për Putinin, samiti me Trumpin ia ofron mundësinë e shumëpritur për të negociuar marrëveshjen për të çimentuar përfitimet ruse në terren, të bllokojë përpjekjet e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n dhe përfundimisht ta tërheqë Ukrainën në orbitën e Moskës.
Udhëheqësit evropianë, të cilët kanë mbetur po ashtu jashtë bisedimeve, janë shprehur të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i cungojë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.
E përderisa e gjithë bota po priste takimin e liderëve amerikanë e rusë, Ukraina po përballej me bombardimet nga Rusia. Një raketë ruse ka marrë jetën e një qytetari të premten pasdite në Dnipro, ndërsa disa të tjerë janë lënduar në sulmet e tjera. Raketat kanë goditur edhe Sumyn në kufi. Po ashtu, edhe dy policë ukrainas janë vrarë në Sviatohirsk në rajonin e Donetskut. Për këto ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. “Edhe në ditën e negociatave, ata po vrasin. Dhe kjo flet shumë”, ka thënë ai.
“Alaska 2025” i priti me aeroplanë luftarakë të dy liderët. E ky vend ishte pjesë e perandorisë ruse deri më 1867, por të premten u bë hera e parë që një lider rus e vizitoi vendin. Ajo u kolonizua nga Rusia në fillim të shekullit të 18-të deri kur Alexander II e shiti te SHBA-ja më 1867 për 7.2 milionë dollarë.
Gërgi: Putini nuk do të ofrojë armëpushim të plotë
Besar Gërgi, hulumtues në GLPS, ka thënë se nuk pret që presidenti rus, Vladimir Putin, të ofrojë armëpushim të plotë për luftën në Ukrainë, në takimin që po mban me presidentin amerikan, Donald Trump, në Alaskë.
Sipas tij, Rusia mund të ofrojë diçka, por jo armëpushimin e plotë, siç kërkon Perëndimi.
“Patën bisedë të përbashkët liderët evropianë dhe Zelensky me Trumpin para se të niste ky takim dhe më pas kancelari gjerman tha diçka të rëndësishme. Ai tha se ‘e kemi parasysh se çfarëdo diskutimi do të bazohet mbi realitetin në terren, por se kërkesa jonë është që nëse ka negociata dhe diskutime mbi kufijtë kjo të bëhet vetëm me prezencën e Ukrainës’. Prandaj Trumpi kishte presion edhe nga elektorati i vet por edhe nga liderët evropianë që të mos diskutojnë dhe e bëri të qartë që sot nuk do të ketë diskutim për kufijtë, por vetëm për një lloj armëpushimi. Është kërkesë perëndimore që para çfarëdo negociate duhet të ketë armëpushim”, ka thënë Gërgi në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se Putini mund të ofrojë një lloj armëpushimi, qoftë në ajër apo në det, por jo të plotë.
“Ndoshta në ajër ku kemi pa se Rusia ka marrë shumë goditje nga dronët rusë... ndoshta në det kur s’ka ndonjë farë luftimi të madh... edhe aty ka pasur humbje të mëdha Rusia. Sipas të gjitha gjasave do të ofrojë copëz armëpushimi, por jo që ndryshon realitetin”, ka shtuar ai.
Takimi i zgjatur Trump-Putin “sinjal pozitiv”
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, dhe delegacionet e tyre qe më shumë se një orë kanë nisur takimin.
Kjo ka vlerë të madhe, pasi Trumpi më herët gjatë javës ishte shprehur se për pak minuta do ta dinte nëse Putini është i interesuar për të siguruar paqe. Ai kishte thënë se nëse samiti do të shkonte keq “do të dilte”.
“Mund të largohem shpejt dhe të them ‘paçi fat’ dhe ky do të ishte fundi”, pati thënë Trumpi.
E para nisjes së samitit, Kremlini zyrtar kishte thënë se takimi mund të zgjasë deri në 6-7 orë.
Nis takimi Trump-Putin
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, edhe zyrtarisht kanë nisur takimin bilateral.
Tema kryesore e diskutimit është për përfundimin e luftës në Ukrainë. E në takim nuk ka përfaqësues të Ukrainës.
Të dy liderët kanë hyrë në një ambient me ndihmësit e tyre. Prapa të dyve është një prapavijë e kaltër me shkrimin “Në ndjekje të paqes”.
Trumpi e Putini ishin ulur në mes të karriges së rregulluar në formë patkoi. Në mes kanë një tavolinë të vogël.
Ata nuk pranuan pyetje nga gazetarët. “Faleminderit”, ishte fjala e vetme që Trumpi e përdori drejtuar gazetarëve.
Në një çast, presidenti Putin është parë duke i bërtitur një gazetari, por nuk është e qartë se çka i ka thënë.
Momenti i shumëpritur: Trump-Putin takohen në Alaskë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, të premten në Alaskë në një takim që cilësohet historik për nga rëndësia.

Liderët kanë zbritur nga aeroplanët presidencialë për të ecur në tepihun e kuq që rrethohet nga katër aeroplanë luftarakë.
Më pas kanë shtrënguar duart para gazetarëve.
Gazetarët ia shtruan disa pyetje dyshes, por nuk pati përgjigje.
“President Putin, a do të pajtoheni me armëpushim?” pyetu njëri.
E një tjetër se cili është mesazhi i Trumpit për Putinin.
Megjithatë të dy u nisën drejt veturës zyrtare të presidentit amerikan. Vetura ka nofkën “Bisha”.
E përgjatë duarshtrëngimeve në vazhdimësi ka pasur fluturime të aeroplanëve luftarakë amerikanë.
Samiti mund të përcaktojë trajektoren e luftës në Ukrainë dhe fatin e sigurisë evropiane.
Mbërrin edhe Putini
Aeroplani i presidentit rus, Vladimir Putin, ka aterruar në Anchorage të Alaskës për takimin historik me Donald Trumpin.
E gjithë bota është në pritje të duarshtrëngimit Trump-Putin.
Trump: S’do të jem i lumtur nëse s’ka armëpushim nga sot
Teksa është edhe dy orë larg aterrimit në Anchorage për takim me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur sërish për gazetarët gjatë fluturimit me “Air Force One”.
Ai ka thënë se dëshiron që të ketë marrëveshje armëpushimi sa më shpejt që të jetë e mundshme.
“Dua të shoh armëpushim shpejt. Nuk e di si do të rezultojë sot, por nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot. Të gjithë kanë thënë se nuk mund të arrihet sot, por unë po them thjesht se dua të ndalen vrasjet”, ka thënë ai.
Trumpi ka thënë se nuk po vepron “si satelit” për evropianët.
“Kjo s’ka të bëjë me Evropën. Evropa nuk po më tregon se çfarë të bëj”, ka thënë ai. “Por ata do të jenë të përfshirë në proces sigurisht, me presidentin Zelensky”.
Rreziku nga spiunazhi dhe sulmet – mobilizim i jashtëzakonshëm i sigurisë në Alaskë
Kur presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, të ulen për bisedime për pak orë, liderët do të përballen me masa të jashtëzakonshme të sigurisë që synojnë t’i mbrojnë nga kërcënimet fizike, por edhe spiunazhit prej palës tjetër, sipas burimeve të sigurisë që kanë folur për CNN-in.
Agjentët federalë dhe ushtarakë amerikanë janë përgjegjës për sigurinë në ngjarjen në Anchorage të Alaskës. Por agjencia e shërbimit sekret amerikan ka punuar me ekipin e afërt të Putinit për sigurinë e tij, ka thënë ky burim.
Sot një aeroplan “Boeing E-3C” është aktivizuar. Ai ka për detyrë të mbikëqyrë zonën. Dhe me radarin e tij mund të zbulojë kërcënime, përfshirë ato nga aeroplanët apo raketat.
Rreziku nga spiunazhi: Përderisa zyrtarët amerikanë dhe rusë të sigurisë po punojnë bashkë për t’i ruajtur Trumpin e Putinin nga sulmet fizike, një operacion më pak diplomatik po zhvillohet në prapavijë: mbrojtja nga spiunazhi.
“Nuk ka aspak besim në mes të shërbimeve të inteligjencës”, ka thënë një zyrtar që ka marrë pjesë në operimet e sigurisë për takimet e mëhershme të ngjashme.
Inteligjenca amerikane është kujdesur që të ketë masa shtesë për mbrojtje nga përgjimi pasi “delegacioni i Putinit ka gjasa të marrë me vete telefona e kompjuterë të rrezikshëm”.
E Putini i njeh taktikat më mirë se shumë të tjerë. Dikur ka qenë vetë zyrtar i inteligjencës në KGB.
Zonat kohore shkaktojnë “kaos” para takimit Trump-Putin
Dallimi i madh në zonat kohore mes Moskës, Washingtonit dhe Alaskës ku do të mbahet takimi i shumëpritur në mes të presidentëve amerikanë e rusë, ka shkaktuar “kaos” në rrjetet sociale.
Moska është me zonë kohore 11 orë përpara Anchorages ku do të mbahet takimi.
Washington DC është katër orë para Anchorages.
Rusia i ka 11 zona kohore.
SHBA-ja i ka katër zona në territorin e saj.
Shtëpi e Bardhë dhe Kremlini kanë shtatë orë dallim.
Presidentët do të takohen në Anchorage rreth orës 11 sipas kohës lokale atje, e që në Washington i bie të jetë ora 15:00 e në Moskë 22:00.
Në Kosovë, kjo nënkupton se takimi do të nisë rreth orës 21:00.
Putini me “vizitë simbolike” para takimit me Trumpin
Para se të niset përfundimisht drejt Alaskës për takim me Donald Trumpin, presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur kurora lulesh në memorialin për bashkëpunimin ruso-amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Statuja, që përshkruan pilotët sovjetikë e amerikanë të ngrirë në mes të shtrëngimit të duarve pranë një avioni, përkujton rrugën Alaskë-Siberi që transportoi rreth 8000 aeroplanë luftarakë në frontin sovjektik në periudhën 1942-1945.
Një monument i ngjashëm është edhe në Fairbanks të Alaskës. Dikur ishte edhe me flamurin rus, por që nga 2022-a aty ka ngelur vetëm flamuri amerikan.
Televizioni shtetëror rus ka thënë se rikthimi i flamurit rus atje do të ishte “shumë simbolik”. Dhe këtë Rusia e synon nga samiti i sotëm.
Siç ka shkruar CNN-i, mesazhi i Putinit me këtë vizitë është i qartë: Kujtesë që një ditë Moska e Washingtoni ishin aleatë.
Rusia s’i ndal sulmet në Ukrainë
Përderisa e gjithë bota po pret takimin e presidentit amerikan, Donald Trump, me atë rus, Vladimir Putin, në Alaskë për luftën në Ukrainë, Rusia nuk po i ndal bombardimet në Ukrainën qendrore.
Një raketë ruse ka marrë jetën e një qytetari të premten pasdite në Dnipro, ndërsa disa të tjerë janë lënduar në sulmet e tjera.
Raketat kanë goditur edhe Sumyn në kufi.
Po ashtu edhe dy policë ukrainas janë vrarë në Sviatohirsk në rajonin e Donetskut.
Për këto ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Edhe në ditën e negociatave, ata po vrasin. Dhe kjo flet shumë”, ka thënë ai.
Paralajmërohet diskutim “maratonik” Trump-Putin
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pret që diskutimet e presidentit rus, Vladimir Putin, me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë të zgjasin deri në 6 ose 7 orë.
E takimi paraprak në Helsinki pati zgjatur rreth dy orë.
Takimi është paraparë të nisë në 11:30, sipas kohës atje, apo në 21:30 sipas kohës në Kosovë.
Putini u vonohet të gjithëve, “por jo Trumpit”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbërrijë në kohë për takimin historik me presidentin amerikan, Donald Trump, në Alaskë.
“Presidenti gjithmonë ia del (në kohë)”, ka thënë Peskov teksa hipte në një aeroplan në rajonin Magadan.
Putini njihet për vonesat në takime. Në një rast ai e ka lënë Papa Françeskun të priste për një orë në një vizitë në Vatikan më 2013. Përgjatë dekadave, ai njihet se i ka lënë liderë të shumtë që ta presin.
Gjatë rrugës për në Alaskë, Putini u ndal në qytetin e Magadanit, ku vizitoi një fabrikë e një shkollë.
Nga ky qytet për në Alaska fluturimi zgjat katër orë.
Peskov ka thënë se Putini do të aterrojë në Anchorage të Alaskas rreth orës 11 në mëngjes (sipas kohës lokale), ku do të pritet nga Trumpi.
Takimi është paraparë të nisë në 11:30, sipas kohës atje, apo në 21:30 sipas kohës në Kosovë.
Trump e Putin takohen sot në Alaskë, temë qendrore – lufta në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen sot në samitin historik që zhvillohet në Alaskë, ku temë qendrore do të jetë përfundimi i luftës në Ukrainë.
Gjatë udhëtimit të tij për në Alaskë, presidenti amerikan ka folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.
Ai ka thënë se Putini është i zgjuar dhe se ata kuptohen mirë me njëri-tjetrin.
“Putini është djalë i zgjuar dhe ne kuptoheni shumë mirë. Kemi respekt të ndërsjellë. Mendoj se do të dalë diçka nga ky takim. Vura re se ai po sjell edhe shumë biznesmenë nga Rusia, mirëpo nuk do të ketë biznes pa marrë fund lufta”, ka thënë Trump. (Detajet)
Takimi i së premtes, pjesë e të cilit nuk do të jetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, shihet si vendimtar për të ardhmen e Ukrainës, si dhe për synimet e Trumpit për arritjen e paqes.
Ky takim konsiderohet i rëndësishëm për përpjekjet e Putinit për ta riformuar pozitën e Rusisë në skenën botërore.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky ka deklaruar se është koha që lufta të përfundojë.
“Gjëja kyç është që ky takim duhet të hapë një rrugë reale drejt paqes së drejtë dhe diskutimit thelbësor midis liderëve brenda një formati trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse. Është koha t’i japim fund luftës, ndërsa hapat e nevojshëm duhet të bëhen nga Rusia. I kemi shpresat tek Amerika”, ka shkruar Zelensky. (Detajet)
Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se pala ruse shpreson që t’i vazhdojë “diskutimet e dobishme” edhe gjatë samitit.
“Ne kurrë nuk planifikojmë përpara. E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë. Kemi arritur shumë gjëra edhe gjatë vizitave të Steve Witkoffit, i emëruar special nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme. Shpresoj që të vazhdojmë këtë bisedë shumë të dobishme”, ka thënë Lavrov.
Pjesë e delegacionit amerikan janë Marco Rubio, Sekretar i Shtetit, Scott Bessent, Sekretar i Thesarit, Howard Lutnick, Sekretar i Tregtisë, John Ratcliffe, Drejtor i CIA-s dhe Susie Wiles, Shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Atyre do t’u bashkohet gjithashtu një grup zyrtarësh të tjerë të lartë, përfshirë të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe shefen e protokollit Monica Crowley.
Delegacioni rus do ta përfshijë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, ministrin e Financave Anton Siluanov, kreun e fondit sovran rus, Kirill Dmitriev dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.
Udhëheqësit evropianë, të cilët kanë mbetur po ashtu jashtë bisedimeve, janë shprehur të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i cungojë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.
LEXO EDHE: